Tirana “ndizet” sonte nga ritmet e muzikës xhaz

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Xhaz vjen për publikun në edicionin e shtatë. Artistët nga Izraeli dhe Austria janë të parët, që do të hapin festivalin sonte në mbrëmje. Ndër vite ky festival ka sjellë artistë nga vende të ndryshme, të cilët bashkë me ata shqiptarë janë bërë pjesë e jetës artistike.

Në këtë edicion të shtatë të festivalit marrin pjesë dhjetë grupe me artistë nga Izraeli, Spanja, Turqia, Greqia, Bosnje-Hercegovina, Austria, Italia, SHBA, Belgjika dhe Shqipëria. Edicioni i shtatë do të zhvillohet jo vetëm në Tiranë në hotel Rogner, por dhe në Apolloni, Fier.

Këtë vit festivali ka drejtues artistik artistin e njohur në botë Mike de Ferro dhe organizohet si nismë nga shoqata “Syri blu”. Dhjetë grupe nga vende të ndryshme të botës e mbi 28 artistë para publikut. Si çdo vit, kjo verë jehon me ritmet e muzikës xhaz, ku disa artistë rikthehen për të tretin vit në edicionin e shtatë të festivalit, që do të zhvillohet nga datat 24 deri 28 korrik për publikun në Tiranë dhe në Apolloni të Fierit.

Pjesëmarrës në festival saksofonisti Ermal Rodi vlerëson jo vetëm muzikën, por dhe zhvillimin e work-shopeve, që do të mbahen në kuadër të këtij aktiviteti.

Grupet që do të performojnë në këtë festival janë nga Izraeli me Eldad dhe Zitrin, nga Italia vjen trio Allulli, Zanisti dhe Sferra, nga Shqipëria është trio Gent Rushi, Emiljan Dhimo dhe Ermal Rodi, nga Spanja Las Migas, nga Austria vjen Die Wandervogel, nga Turqia duo Mehmet Celik dhe Atilia Altunkeser, nga Belgjika në festival mbërrin trio Toine thys dhe Sa-Ni-Ti (Sarajevë-Nis-Tiranë).

SHKARKO APP