Toponimia e arealeve të Kosovës – një monument me vlera të veçanta

Nga: Qemal Murati

Etnokultura, gjuha dhe historia e Kosovës nuk mund të njihen dhe të kuptohen si duhet pa e njohur mirë edhe topo-niminë e saj, sepse këto janë shumë të ndërlidhura ndërmjet-vetshëm. Pa lëndë onomastike nuk ka gjuhësi, e pa fjalor të onomastikës nuk ka dhe nuk mund të ketë histori gjuhe dhe etimologji. Toponimia e arealeve të Kosovës paraqet një monument me vlera të veçanta për leksikologjinë onomastike shqiptare, për albanologjinë dhe për gjuhën shqipe, e posa-çërisht edhe për ballkanologjinë.

Në fjalësin toponomastik të proveniencës shqiptare të Kosovës strehohen shumë fjalë që leksiku i përgjithshëm i gjuhës nuk i ka ruajtur. Kështu, për Bjeshkët e Namuna/ Nemuna (serb. Prokletije) përdorej Mali i Thores. Kjo fjalë në gjuhën e sotme shqipe nuk diktohet. Linguisti Ivan Popović e shpjegon me “therrë, ther-cë”, me ndryshim fonetik të e-së në o, me kuptimin “majë e thepisur, kurorë” (Popović 1957: 202). Në toponiminë e Kosovës hasim një varg emërvendesh me topoleksemën ThoreBrîja e Thorës – sipas formës që ka ky livadh – t’thuer, i tërthortë, vend i lakuar (Bec – Gjakovë). Vija e t’Thoreve – vijë uji që shkon leqe-leqe (Kryshec, Pejë). Arat në Thore (Lumbardh – Deçan); Udha t’Thore – rrugicë, quhet t’Thore, sepse shkon shpatinës e jo rrafshit; është një rrugicë e hollë, thuajse vetëm për këmbësorë (Sllatinë, Podujevë). Údha Thóre – rrugë që çon te Ára e Mullínit e deri në Lŭg t’ Nxēt (Smrekornicë – Vushtrri). Në anë të Veriut edhe sot përdoret thoret bjeshkore për anët e bjeshkës, thore rrugeTërthoret – kompleks arash dhe livadhesh të pjerrëta në faqen e një kodre a një mali (në Malësinë e Kaçanikut). Pra, ja një topoleksemë që e ruan gjuha e toponimisë e që mund të riaktivizohet edhe në fjalësin e përgjithshëm të shqipes.

Leksiku toponimik thuhet me të drejtë se është një arkiv i vërtetë, sepse ruan një botë të tërë emrash të përveçëm vendesh e njerëzish, dhe si i tillë ka vlera të mëdha gjuhësore, etnografike, historike etj. “Emrat vetjakë, të njerëzve, të vendeve, emrat e maleve, të lumenjve… nuk janë më pak të rëndësishëm se fjalët e tjera, ata na ndihmojnë jo vetëm për njohjen e pasurisë së paçmueshme të gjuhës, por shpesh janë dhe kujdestarët më të besueshëm dhe zërat e historisë kombëtare” (Gjuro Daničić). Leksiku toponimik i Kosovës ka vlera të pallogaritshme etnolinguistike, kulturore, historike etj. Ky leksik duhet të qëmtohet i tëri nga goja e popullit dhe t’i shpëtojë bjerrjes së tij, sa nuk është tretur si kripa në ujë.

Për eksplorimin e materialit toponimik të arealeve të Kosovës nuk është punuar as deri në gjysmë të rrugës. Sipas përllogaritjeve tona të bazuara në materialin e vjelë në terren, dhe të publikuar në botime të ndryshme, mund të pohojmë se mund të jenë qëmtuar shumë shumë deri 30 për qind e toponimeve. Kjo gjendje është edhe për arealet e tjera shqiptare (Shqipëri, Maqedoni etj.), që domethënë se toponimia shqiptare fle ende e paregjistruar, me rrezik që në një të afërme jo të largët të tretet e të humbet fare. E me këtë të birret edhe e kaluara jonë.

Prof. Androkli Kostallari në një bilanc të punës që është bërë rreth mbledhjes së toponimeve dhe mokrotoponimeve në krahinat e ndryshme të Shqipërisë, konstaton se janë regji-struar 150 mijë topoleksema, porse ky numër sigurisht është shumëfish më i madh në terren. “Siç dihet, mikrotoponimia e një fshati përfshin, zakonisht, rreth njëqind emra. Në të kaluarën në Shqipëri nga mikrotoponimia e një fshati, edhe në rastet më të mira, nuk ishin mbledhur më shumë se 40-50 emra. Në lëndën e mbledhur këto kohët e fundit ka qindra fshatra, mikrotoponimia e të cilëve i kalon të 150 emrat; në zonat malore dhe në bregdetin jugor ka edhe fshatra me 200-300 mikrotoponime. Parashikohet që në të gjithë truallin shqiptar mund të mblidhen më se 500 mijë toponime, d.m.th. rreth 20 toponime për çdo kilometër katror” (Kostallari 1965).

Sipas këtyre përllogaritjeve, edhe korpusi i toponimeve të Kosovës do të duhej të ishte rreth 150-200 mijë toponime, pra një material jo i pakët e gjithsesi me vlera të shumanshme.

Tërthoret e Kosovës kanë një toponimi të pasur shumë-shtresore e të larmishme:

Emra të lashtë të burimit vendës të shqipes: Bjeshkë, Gjytet, Gropë, Gurra, Gjelbzina/ Gjelbina, Gjolla, Karpa, Kroje, Lugje, Mrize, Qafa, Sheje, Shpate, Shpella, Shullane, Troje, Tuma, Thore/ Tërthore, Butsina, Thatina;

Topoleksema të burimit prej serbishtes: Gradinë, Jaz, Jazbinë, Jezer, Ledinë, Llaz, Llazinë, Llokë, Llugë, Kërrsh, Klisurë, Oborrishta, Orrnicë, Podinë, Rekë, Rupë, Rovinë, Osoj, Seishtë, Utrinë, Vrellë;

Elemente romane (arumune): Bërbatovci, Kika, Llashki Brod, Boka Verdhë (“Gjelbër”), Llashkobare, Muçibabë, Stanishor, Vllahi, Vllasi etj.

Toponime me burim gjuhësor prej turqishtes: Bashçe, Batallaku, Çeshme, Çireçhane, Hajrati, Huduti, Istikami, Kulla, Sakaku, Tepja, Tyrbe, Vakafi, Xhiri etj.

Topikët e tillë duhet të qëmtohen e të vihen në një fjalor sa më të plotë dhe të shpjegohen mbi një bazë sa më shkencore, jo të jepen shpjegime çfarëdo, sipas dëshirës.

Në leksikun toponimik të Kosovës, shtresa mbizotëruese është ajo me burim indigjen shqiptar, topoleksema të farkuara prej brumit vendës. Kurse te shtresa me burim të huaj, mbizotëruese është ajo e proveniencës serbe, kjo sigurisht jo si rezultat sepse Kosova që në krye të herës do të ketë qenë tokë serbe, siç propagandojnë ata të palës serbe, por si rezultat i pushtimit të gjatë serb të Kosovës. Dihet historikisht që Kosova ka qenë vend i pushtuar nga popuj të ndryshëm. E, “Çdo pushtim sjell me vete edhe ndryshimet në onomastikë” (Injac Zamputi).

Pra, përgjithësisht, me gjithë pushtimet e huaja, bie në sy që toponimia dhe mikrotoponimia e Kosovës del kryesisht me fytyrë shqipe dhe me pak topoleksema me burim nga serbishtja, turqishtja, arumanishtja etj.

Emrat e sotëm në Kosovë (të lumenjve, të maleve, të qyteteve, të fshatrave) janë të rinj dhe nuk i takojnë periodës antike

Emrat e sotëm të lumenjve, të maleve, të qyteteve, të fshatrave etj. në Kosovë janë të rinj dhe nuk i takojnë periodës antike, kështu që ata që kanë dëshirë të merren me etimologji gjithsesi duhet t’i kenë parasysh këto fakte, të mos bëjnë krahasime të pakrahasueshme të një emri të sotëm me një emër të periodës antike. Ndryshe, rrëshqasin në etimolo-gjizime qesharake e të pavlera. Edhe ndonjë emër topik si p.sh. Lipjan që e barazojnë disa me emrin antik Ulpiana (Jireçek 2010: 130) nuk ka asnjë mbështetje reale. Në fushën e toponimisë së Kosovës duhet të kihet parasysh ky fakt, që e theksonte prof. I. Ajeti:

Emërtime të hershme, parasllave, në territorin e Kosovës nuk janë ruajtur…” (Ajeti 2006: 206).

Onomastika është shkencë e mirëfilltë dhe si e tillë nuk mund të jetë punë e diletantëve që të japin shpjegime dhe etimologji të pafre. Në onomastikën shqiptare dhe në atë ballkanike është përzier shpeshherë shkenca me diletantizmin. Autorë të ndryshëm që u ka rënë puna të merren me topo-niminë nuk kanë ngurruar aspak të shprehen se në topo-niminë e Kosovës ka toponime që nga kohët pellazgo-ilire dhe të flasin për vendbanime të lashta iliro-dardane. E. Çabej thotë se fshatrat në Ballkan përgjithësisht janë të vonshëm dhe të lëvizshëm. Prandaj, për studimin e toponimeve, më të mirët janë emrat e qyteteve dhe të lumenjve (Hamp 2007: 124). Ndonëse vetë formimi dhe emërtimet e fshatrave në Ballkan dihet që kanë një moshë rreth 500-600 vjeçare, atëherë si u bëka që mikrotoponimet e fshatrave të jenë të periudhës pellazgo-ilire, 3000 vjet përpara?! Madje disa shkojnë e regjistrojnë edhe mikrotoponime të tilla si Livadhi i Ilirëve (!) Dihet që shkrimet dhe pretendimet e tilla janë qesha-rake dhe nuk i sjellin asgjë të mirë shkencës sonë, përkundrazi e dëmtojnë albanologjinë.

Patriarku i albanologjisë shkencore prof. Idriz Ajeti për toponiminë shqiptare shpreh edhe këtë konstante të qëndru-eshme:

Toponimia dhe patronimia nuk është e domosdoshme të jetë mirëfilltë shqiptare, mjafton që ajo të ketë moshë të atillë që mbi bazën e ligjeve fonetike të gjuhës sonë nga trajtat e hershme të mund të shpjegohen format e sotme të saj (Ajeti 1997: 7).

Toponimia nuk “zotëron” dhe as që mund të zotërojë prova absolute për të dëshmuar praninë ose mungesën e një etni-kumi në një territor të caktuar, sepse në thelb ajo është lëndë që u nënshtrohet ligjeve të zhvillimit, bjerrjes ose manipuli-meve politike me të. Ç`është e vërteta, sikundër shprehet dhe historiani i njohur francez Alain Ducellier:

Toponimia është një argument me vlerë të pakët për të përcaktuar etninë e një populli”.

Posaçërisht kur bëhet fjalë për një territor si ai i Ballkanit, shumëfish të përzier. Pra vlerat e saj janë relative, prandaj nuk duhet të bëhen manipulime me të. Operimi me emrat gjeografikë nuk është i sigurt, aq më tepër kur nuk është i njohur kuptimi i tyre” (M. Garashanin).

Toponimet serbe në Kosovë tregojnë gjurmë pushtimi, jo gjurmë autoktonie serbe

Në bazë të toponimeve mund të përcaktojmë habitatin, atdheun e njerëzve, rrugët e tyre të migrimit dhe praninë e njerëzve të tjerë në territorin përkatës. Por natyrisht edhe gjurmët e pushtimit, sidomos atij serb.

Onomasticiania Zagorka Vavić Gros në librin e saj “Toponimi su čuvari našeg jezika” (Toponimet janë gardianë të gjuhës), nga mosdija apo për arsye propagandistike tregon se:

“Vendbanimet në Kosovë (tani me popullatë shumicë shqiptare) kanë emra serbë, dhe se shumë mbiemra familjarë shqiptarë, në fakt, janë toponime serbe: Berisha (Berisha), Brovina (fshati Brovina) Brezovica (Brezovica), Vllasi (Vllasi), Kaçaniku (Kaçanik), Korenica (Korenica), Morin (Morin), Pagarusha (Pagaruša), Prekadin (Prekada), Prekazi (Prekaze), Presheva (Preshevo), Prishtina (Prishtina), Rugova (Rugovo), Tërnavci (Trnavci)” (Gros 2014).

Sipas saj, ky fakt dëshmuaka se serbët dhe gjuha serbe kanë qenë dominantë në Kosovë.

Ç’është e vërteta, emrat e vendbanimeve rrjedhin nga emra personalë, por provenienca gjuhësore serbe e emrave të tillë nuk nënkupton aspak se dhe popullsia e atyre vendbanimeve ka qenë serbe. Në Kosovë serbët sollën ose krijuan emra të rinj të proveniencës së tyre sllave, si: vetë topikun KosovëVuçitërnë, Podujevë, Golesh, Jezerc, Sitnica, Nerodimka, Devet Jugoviç, Kamenicë, Uroševac, Mitrovicë, Drenicë, Serbicë, Suharekë etj., duke e mbështetur këtë proces mbi kategori të ekuiva-lencës midis karakterit etnik të territorit dhe emërtimit të tij: sipas mendësisë së tyre, një emër duhet të jetë serb për të dëshmuar serbicitetin e vendit. Kjo, si të thuash, ka qenë mani e psikologjisë nacionale serbe që për çdo vend që ata e push-tonin të krijonin dhe emërtimin e tyre, e më pas ta shpallnin si “tokë serbe”. Në Kosovë serbët krijuan emra të rinj të prove-niencës së tyre për ta serbizuar vendin. Pretendimet e auto-rëve serbë të cilët janë përpjekur ta paraqesin Kosovën si vis të tyre mbi bazë të prejardhjes serbe të toponimisë së këtij vendi (Ivić 1990), nuk kanë ndonjë vlerë të madhe. Kështu, edhe një studiuese tjetër Rada Stijović, në një fashikull Onomastika – riznica narodnog pamćenja, i sillet edhe toponimisë së Kosovës, e atje toponimisë së Rugovës, ku thotë shprehimisht:

Onomastička istraživanja Rugova, predela u kome već više od dva i po veka žive Šiptari, pokazuju da je pre njih ovde živelo srpsko stanovništvo (preko dve trećine mikrotoponima, koje u tom govoru čuvaju upravo Albanci, jesu srpski) (Stijović 2015: 158).

/Hulumtimet onomastike të Rugovës, një rajon ku për më shumë se dy shekuj e gjysmë jetojnë shqiptarët, tregojnë se përpara tyre këtu ka jetuar popullsia serbe (mbi dy të tretat e mikrotoponimeve, që në këtë të folme i kanë ruajtur shqiptarët, janë serbe/.

Materiali toponimik i vjelë në terren nga zona e Rugovës, i depozituar në Kartotekën e Institutit Albanologjik (1974), që unë e kam pasur në dorë dhe e kam konsultuar, dëshmon të kundërtën e asaj që thotë Rada Stijović. P. sh., në fshartin Koshutan të Rugovës, Osman Krasniqi në vitin 1974 kishte regjistruar 319 mikrotoponime (informator Ramë Syla), ku prej tyre me prejardhje serbe rezultojnë topoleksemat: Llazet, Megja, Seishta, Orrnica, Otrrgu (Otrrgu i Malushaj), Podet, Rijeka (Rijeka e Katunit), Vrella (krahas saj përdoret më shpesh topoleksema shqipe Gurra). Raporti është ky: 319 mikrotoponime, e prej tyre vetëm 8 mikrotoponime serbe.

Për sa u përket kontakteve historike dhe etnike të shqiptaro-serbe, edhe vetë studiues të mirëfilltë serbë të këtyre problem-matikave pohojnë që sllavët kur erdhën në Ballkan në shek. 6-7, në territorin e sotëm të Shqipërisë veriore, e rrjedhimisht edhe në Rugovë, gjetën aty popullsinë shqiptare, e cila është e vetmja nga popullsitë e vjetra të Ballkanit që i kishte shpëtuar romanizimit:

Историјски и етнички контакти Срба и Албанацакао што је познатозапочињу великом сеобом и доласком Словена на територију Балкана у 6. и 7. векукада се ова два народа први пут сусрећу на заједничкој територијиРазличити историјски и језички подаци говоре у прилог томе да су Словени тада на простору данашње северне Албаније затекли албанско становништво које је једино међу старобалканским народима избегло романизацију (Станишић: 1995, 14; Сивачки 2017).

Toponimet sllave nuk mund të shërbejnë si fakte historike se ku ndeshen topikë të tillë atë territor të parët e kanë poseduar sllavët, siç shprehet etnografi i njohur Mark Krasniqi:

Toponime sllave ka shumë në vise të Ballkanit, ku nuk ka sllavë, siç janë Greqia dhe Shqipëria. Edhe nga ky fakt autorët serbë nxjerrin përfundim se aty më parë kanë jetuar serbët. As ky përfundim nuk mund të mbrohet shkencërisht, sepse shumë toponime tregojnë se ka pasur ndikime reciproke ndërmjet popujve të Ballkanit nga një anë, kurse nga ana tjetër, toponimet mund të tregojnë se aty ka qenë një kohë pushteti i huaj. Serbia është plot me toponime turke, e të mos flasim për Bosnjën, sepse kjo dihet se nga vjen. Beogradi ka më shumë toponime turke se sa serbe, duke filluar nga qendra e tij Terazije, Kalemegdani, Cubura, Tashmajdan, Rospi, Çuprija etj. Kjo nuk do të thotë se aty ka mbizotëruar popullsia turke, por tregon se aty ka qenë administrimi, përkatësisht pushteti turk” (Dedushaj 2016: 37).

Toponimia sllave ka një shtrirje të konsiderueshme edhe në territorin e Shqipërisë:

Prania e një numri të madh toponimesh sllave në Shqipëri është e shpjegueshme po të mbahen parasysh dy rrethana: së pari të kihet parasysh se viset e banuara nga shqiptarë kanë qenë të pushtuara për një kohë të gjatë nga dy mbretëri sllave; së dyti, është e ditur që pushtuesit përpiqen të zëvendësojnë toponimet e mëparshme me emërtime nga gjuha e tyre” (Demiraj 1999: 129).

Prania e toponimeve të vjetra sllave në fjalorin topo­no­mastik shqiptar, si p.sh. Kosovë, Gjakovë, Berat, Pogradec, Korçë etj., sikundër dhe e atyre greke e latine, dëshmon për konta-ktet e hershme të shqiptarëve me këta popuj me të cilët patën të marrë e të dhënë, dhe jo se këto vende në krye të herës qenë sllave, greke ose latine. Këto toponime janë një element më tepër për autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre të sotme dhe historike (Totozani 2005).

Për onomasticienin gjithsesi detyra primare është që të mbledhë sa më shterueshëm materialin toponimik në terren dhe vëzhgimet e tij linguistike në këtë fushë t’i shtjellojë me metoda shkencore, larg paragjykimeve të së kaluarës dhe larg politizimeve të së sotmes. /Revista “Akademia”/

BIBLIOGRAFIA

Ajeti 1997 = Ajeti, Idriz, Shqiptarët dhe gjuha e tyre, ASHAK, 1997.
Ajeti 2001 = Ajeti, Idriz, Vepra, ASHAK, Prishtinë, 2001.
Ajeti 2006 = Ajeti, Idriz, Për të vërtetën shkencore, ASHAK, Prishtinë, 2006.
Çabej 1975 = Çabej, Eqrem, Studime gjuhësore V, Rilindja, Prishtinë, 1975.
Dedushaj 2016 = Dedushaj, Rexhep, Krahina e Plavë- Gucisë nëpër shekuj, Prishtinë, 2016.
Demiraj 1999 = Demiraj 1999 = Demiraj, Shaban, Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Shtëpia Botuese “Shkenca”, Tiranë, 1999.
Gros 2014 = Gros, Vavić Zagorka, “Toponimi su čuvari našeg jezika”, Prometej – Novi Sad, 2014.
Hamp 2007 = Hamp, P. Eric, Studime krahasuese për shqipen, ASHAK, Prishtinë, 2007.
Ivić 1990 = P. Ivić, P., O etničkoj prošlosti Kosovo, te “O jeziku nekadašnjem i sadašnjem, BIGZ-Jedinstvo, Beograd, 1990.
Jireček 2010 = Jireček, Konstandin, Historia e serbëve. Shtëpia Botuese 55, Tira¬në, 2010.
Kostallari 1965 = Kostallari, Androkli, Rreth studimeve onomastike në lëmin e shqipes, “Studia Albanica”, 1965, n.1.
Popović 1957 = Popović, Ivan, Shënime për emnat gjeografikë në vendet shqiptare, “Përparimi” 4/1957, Prishtinë. 1957.
Сивачки 2017 = Сивачки, A.: Фразеологизми с конституентом соматског порекла у албанском језику и њихови преводни еквиваленти у српском, докторска дисертација, Београд, 2017.
Станишић 1995 – В. Станишић: Српско-албански језички односи. Београд, Балканолошки институт САНУ
Stijović 2015 = Stijović, Rada, Srpski jezik: norma i praksa : prilozi pisanoj i govornoj komunikaciji, Čigoja štampa, Beograd, 2015.
Totozani 2005 = Totozani, Igli, Kosova, mësimet e një historie tra¬gjike, “Koha Jonë”, 25. 12. 2005

SHKARKO APP