Trashëgimia kulturore shqiptare, në mozaikun e familjes së madhe europiane

Konkursi Colours of Albania 2018 çeli siparin në mjediset e Universitetit të Arteve nën moton “Trashëgimia kulturore dhe përkatësia evropiane”.

Konkursi u çel në prani të Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, Ambasadores së Delegacionit të BE-së në Shqipëri Romana Vlahutin, trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri dhe shumë të ftuarve të tjerë nga fusha e artit dhe kulturës.

Edicioni i 4-rt i konkursit të fotografisë dixhitale #ColoursofAlbania2018, ka si moto “Trashëgimia kulturore dhe përkatësia europiane”, e cila përkon me lajtmotivin e Bashkimit Europian për vitin 2018.

Konkursi do të jetë i hapur deri më 30 korrik 2018 dhe do të përfshijë edhe temat mbi ngjyrat e shoqërisë shqiptare, bashkëjetesën fetare, qytetet e fshatrat mahnitëse, bregdetet e peizazhet e paprekura, si dhe transformimin e Shqipërisë në vitet e fundit dhe rilindjen e zonave rurale, shkruan Atsh.

Gjatë fjalës së tij me këtë rast, Ministri Bushati vuri në pah se “shpesh çështjet e politikave evropiane duhet t’i kanalizojmë drejt bashkëpunimit kulturor. Kjo është arsyeja se përse ketë vit vendosëm që fokusin ta kishim tek trashëgimia kulturore, tek inputi dhe kontributi i Shqipërisë në mozaikun e familjes së madhe europiane, me shpresën se do të nxisim sa më shumë imagjinatën e qytetarëve tanë por dhe të atyre që do ta vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit turistik për të fiksuar foto që e dëshmojnë më së miri këtë gjë”.

“Kultura si pasaportë – theksoi Ministrja Kumbaro – tashmë e ka vendin e vet, jo thjesht në Europën e Bashkuar, pasi këtë nuk e ka sot, e ka pasur që kur kontinenti ekzistonte si i tillë. Nëse ka një fushë në të cilën Shqipëria flet në të njëjtën gjuhë së bashku me të gjithë vendet e tjera është trashëgimia jonë kulturore, historia jonë e përbashkët”.

Ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila hapi këtë edicion u shpreh se “jam e lumtur që në këtë libër që është një nga më të preferuarit e mi, ju nuk shihni vetëm vende të bukura, por edhe njerëz të bukur dhe ky është një pasqyrim i ngjyrave, shpirtit dhe zemrës së Shqipërisë”.

Risia e këtij edicioni është përfshirja e artistëve të rinj, liceistë të Liceut Artistik “Jordan Misja” të cilët u angazhuan në vizatimin e logos së re #ColoursofAlbania2018, e cila do të jetë simboli i këtij edicioni.

Këngëtarët Venera Lumani, Lind Islami dhe instrumentistët e Liceut “Jordan Misja artistik përshëndetën aktivitetin me performancat e tyre mbresëlënëse.

SHKARKO APP