Trashëgimia shpirtërore përmes instrumenteve muzikore
Muzeu Historik Kombëtar ka hapur për publikun ekspozitën me titull “Trashëgimia shpirtërore përmes instrumenteve muzikore”.
Ekspozita është e përbërë me objekte origjinale nga fondi i Muzeut Historik Kombëtar. Midis tyre ndodhen objekte të personaliteteve shqiptare, si dorëshkrimi i Hilë Mosit, oboe e Fan Nolit, violina të Heronjve të Popullit, Qemal Stafa dhe Ylbere Bylykbashi etj.
Ndër të tjerash, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, u shpreh se “midis tipologjive kryesore të trashëgimisë shpirtërore shqiptare përfshihen këngët dhe vallet, meloditë dhe ritet e ndryshme, proza dhe poezia popullore, shfaqjet dhe lojërat popullore, si dhe intrumentet e nevojshme për shoqërimin e tyre.”
Lidhur me instrumentet popullore duhet thënë se ka lloje të ndryshme që përfshihen në instrumentet idiofone, membranofone dhe kordeofone. Pjesa më e madhe e objekteve të përfshira në ekspozitë janë veglat kordeofone, ku hyjnë ato vegla të cilat nxjerrin tinguj nga vibracionet e kordave. Ndër to mund të përmendim çiftelitë, lahutat etj. Në ekspozitë publiku do të gjejë vegla frymore (membranofone) si fyelli, cylja, zymare etj. Nuk mund të mungojë gjinia e veglave idiofone, ku hyjnë mjetet kumbuese që nxjerrin tinguj nga vibracionet e trupit të tyre të ngurtë nëpërmjet tundjes.
Akademiku dhe muzikologu i njohur Vasil Tole, me këtë rast theksoi se: “Të huajt, gjithnjë e kanë pasqyruar shqiptarin tradicional të veshur me kostum popullor dhe me një armë në brez, por në të vërtet, përveç armës, traditë për shqiptarin ka qenë edhe vegla muzikore. Instrumenti kishte një peshë të madhe në traditën popullore. Mjeshtëria e veglave tradicionale po shkon drejt zhdukjes, ndaj kjo ekspozitë duhet të na ndërgjegjësojë së tepërmi në mbajtjen gjallë të kësaj tradite popullore”.
Ekspozita u hap me qëllimin e ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë shpirtërore të krijuar nga shqiptarët ndër shekuj. Këto vlera, unike dhe të shumëllojshme për nga mënyra e krijimit, përçimit dhe realizimit të tyre, përbëjnë një nga shtyllat e identitetit kulturor të shqiptarëve. /ata/