Tre thesare kulturore shqiptare bashkohen në Tiranë

Nga Msc. Rita Shkurtaj, korespondente e ACTV New York
Në ambientet mikpritëse të restorantit “Kurora e Artë” – Çekrez, Rrethina – Tiranë, u organizua një ngjarje që shpalosi thesaret më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore. Nën tingujt e melodive epike shqiptare, Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” mblodhi në një skenë të vetme Plisin, Xhubletën dhe Kërcimin e Tropojës, tre simbole të pavdekshme të identitetit tonë kombëtar.
Ky manifestim i veçantë, përveçse një takim tradicional i “Forumit të Femrave Bytyçase”, shënoi një moment historik, ku për herë të parë këto pasuri kulturore të mbrojtura nga UNESCO u bashkuan simbolikisht. Me ftesë të Shoqatës “Bytyçi”, në këtë tubim morën pjesë Shoqata Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, Shoqata Kulturore “Kërcimi i Tropojës” dhe Shoqata Atdhetare “Luma”, duke kurorëzuar këtë event me një marrëveshje pune dhe bashkëpunimi për ruajtjen dhe promovimin e këtyre vlerave.
Një tjetër moment i veçantë i këtij manifestimi ishte prezantimi i librit “Xhubleta – Pasaportë e Identitetit Kulturor Kombëtar” nga znj. Rita Shkurtaj, kryetare e Shoqatës Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”. Ky botim sjell një dritë të re mbi historinë dhe vlerat e kësaj veshjeje magjike, ndërsa kopje të tij iu dhuruan Shoqatës “Bytyçi”.
Ashtu si xhubleta që ka sfiduar shekujt, edhe kërcimi i Tropojës mbetet një testament i fuqisë dhe shpirtit të kombit tonë. Kryetari i Shoqatës Kulturore “Kërcimi i Tropojës”, z. Skënder Haklaj, prezantoi punën e jashtëzakonshme për hartimin e dosjes që e përfshiu këtë vlerë të çmuar në listën e UNESCO-s. Dhe si dëshmi e gjallë e kësaj tradite, grupi artistik i vajzave kërcimtare emocionoi publikun me lëvizjet e tyre të magjishme.
Në shenjë respekti për punën dhe përkushtimin e tyre në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare, Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” ndau tituj dhe mirënjohje, ndër të cilat spikati “Plisi i Bardhë – Emblemë Hyjnore Shqiptare – Klasi i Parë”, i akorduar për znj. Rita Shkurtaj, z. Skënder Haklaj dhe personalitete të tjera të shquara. Ky moment u shoqërua me duartrokitje të ngrohta dhe një emocion të thellë tek të pranishmit.
Për të përcjellë sa më besnikërisht gjithë magjinë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme dhe historike, kamera e TV Kultura Shqiptare në New York ka regjistruar disa intervista ekskluzive, ku të ftuarit ndajnë ndjesitë dhe mesazhet e tyre për ruajtjen e identitetit tonë kulturor.
Në këtë natë të mbushur me kulturë dhe krenari kombëtare, Plisi, Xhubleta dhe Kërcimi i Tropojës u bashkuan jo vetëm si simbole të trashëgimisë sonë, por edhe si një thirrje për t’i mbrojtur ato në brezat që vijnë. Kultura jonë është pasuria jonë më e madhe, dhe është detyra jonë ta ruajmë me dinjitet dhe dashuri.