U mbyll pas tërmetit, Muzeu Historik Kombëtar hapet për vizitorët
Muzeu Historik Kombëtar u hap dje për vizitorët. I mbyllur prej disa javësh për shkak të tërmetit që goditi vendin tonë në 26 nëntor të viti që lamë pas, dje institucioni njoftoi se çeli dyert për vizitorët. “Ju njoftojmë se duke filluar, që prej ditës së sotme, datë 6. 2. 2020, Muzeu Historik Kombëtar është i hapur për vizitorët. Orari i vizitave është nga e marta në të shtunë: 10:00 – 17:00, të dielën: 09:00 – 14:00, të hënën pushim. Ju mirëpresim”, shkruan institucioni.
Në vitin që lamë pas ekspozita e “Plein Air” e çelur në Muzeun Historik Kombëtar më 12 dhjetor, që duhej të përfundonte më datë 20 dhjetor, u mbyll para afatit të lajmëruar. Kjo ndodhi për shkak të gjendjes në MHK pas tërmetit. Piktorët morën veprat e prezantuara në këtë ekspozitë që erdhi në edicionin e pestë, pasi sipas tyre iu ishte komunikuar që MHK do mbyllet për arsye sigurie pas tërmetit. Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. Në fasadën e tij është mozaiku “Shqipëria” realizuar nga një grup prej pesë artistësh, Vilson Kilica, Aleksandër Filipi, Josif Dobroniku, Anastas Konstandini e Agim Nebiu. Mozaiku është me sipërfaqe mbi 440 metra katrorë. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu është konceptuar që prezantimi i tij të bëhet nëpërmjet tetë pavioneve.
Në materialet për Muzeun Historik Kombëtar, thuhet se institucioni synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai përfton, ruan dhe studion, provat materiale dhe jo materiale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin dhe argëtimin.
Ai organizon dhe mundëson gjithashtu aktivitetet, të cilat përkrahin vizionin dhe misionin e tij. Pavioni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme. Në muzeu janë dhe pavioni i Mesjetës, i Rilindjes Kombëtare, i Pavarësisë, i Ikonografisë, etj.