U promovuan librat “Testamenti” dhe “Kukuta e Sokratit” të Sabri Hamitit
Biblioteka Kombëtare e Kosovës në një organizim në kuadër të “Javës së bibliotekës” ka promovuar sot dy librat më të rinj të akademik Sabri Hamitit.
Libri “Testamenti” në botim të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës përmbledh studime letrare për letërsinë shqipe që nga Marin Barleti e Pjetër Bogdani deri te letërsia bashkëkohore me Pashkun, Kadarenë e Shkrelin, dhe konsiderohet vazhdim i projektit të autorit për një “poetikë shqipe”, ky hyjnë librat paraprakë “Bioletra”, “Tematologjia”, “Albanizma” dhe “Utopia letrare”.
Libri poetik “Kukuta e Sokratiti” është libri i dhjetë me poezi i Sabri Hamitit, që përmbledh krijimet më të reja të tij, të sistemuara në shtatë cikle me nga dhjetë poezi.
Akademik Ali Aliu, i cili e njeh krijimtarinë e Hamitit që nga fillimet, në paraqitjen e tij të titulluar “Mendimtari dhe liriku” vlerësoi lart librin “Kukuta e Sokratit” duke e konsideruar vazhdimësi të krijimit të sistemit poetik të autorit, duke i lidhur madje shtatë ciklet e librit me dekadat e jetës së Hamitit.
Akademik Rexhep Ismajli në paraqitjen e tij ndër të tjera tha: “Në këtë lexim të parë të këtyre dy librave, te ‘Testamenti’, vepër që shpalos aventurën diturake të tij nëpër transformimet në kohë të letrave shqipe, që vjen si përmbyllje e projektit të shënuar nga autori me veprat ‘Bioletra’, ‘Tematologjia’, ‘Albanizma’, ‘Utopia letrare’, qoftë dhe si nyjëtime të rimarra, gjithsesi identifikime dhe në ‘Kukuta e Sokratit’, vepër poetike që me nyjëtim të ngjeshur gnomik, me shprehje të përzgjedhur formash shenjë të poetikës tradicionalisht solemne shpreh qenësinë personale, dola me përshtypjen për nevojën për të theksuar ndërlidhjen dhe shtresëzimet e nduarduarta të subjekteve në tërë këtë aventurë kërkimore, por gjithashtu dhe për nevojën për të vënë në pah identitetin dhe identifikimet që shpesh tretin diku udhëve, për t’u shfaqur si përsëritje që përsëritet përsëri në jetë dhe kalon në ‘Testament’. Kështu mund të shikohet dhe drejt një kapërcimi që, si interpretim gjithnjë personal, pra, me shumë mundësi refuzimi: ky jam ‘Û’, ndërsa të gjitha lidhen tek e përbashkëta unë.”
Profesori i letërsisë, Muhamet Hamiti, pas leximit të të dy veprave konkludoi: “Edhe në poezi edhe në kritikë letrare, Hamiti e ka krijuar idiomin e vet duke kapur në rrjedhë të kohës ato çaste të gjithëkohshme, të pamatshme. Duke lënë dëshmi për jetën e jetuar për poezinë dhe për jetën e jetuar në poezi. Kritika e tij është letrare në radhë të parë, personale dhe pasiononte. Një dashuri letrare, por edhe letërsi e urtisë në rrafsh tjetër, do të thoshim me gjuhën e Harold Bloom-it”.
Edhe profesori i letërsisë shqipe dhe njohësi shumë i mirë i krijimtarisë letrare të akademik Sabri Hamiti, Nysret Krasniqi, i ka vlerësuar lartë si librin studimor Testamenti, ashtu edhe librin poetik Kukuta e Sokratit.
Vetë akademik Sabri Hamiti, mbasi ka falënderuar folësit për vlerësimin e veprave të tija, ka thënë se do të flasë pak për veprat e veta, mbasi kushdo që është i interesuar do t’i gjejë përgjigjet brenda tyre. Ai ka thënë se është pyetur shpesh për librin më të dashur për të, dhe duke theksuar se kryesisht një i tillë nuk mund të veçohet, këtë herë tha se librat më të dashur për të janë i pari dhe i fundit. /RTKLive/