U zbulua në mesin e tetorit; Ministria e Kulturës merr në mbrojtje “Mozaikun e Rrallë”
Merret në mbrojtje zona ku u gjet mozaiku i rrallë në Durrës
Ministria e Kulturës mori në mbrojtje në qytetin e Durrësit një zonë ku mesin e tetorit të këtij viti u zbulua një mozaik i rrallë.
Mozaiku doli në dritë kur po hapeshin themelet e një shkolle të mesme e cila do të rindërtohej pasi ishte dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të katër viteve më parë.
Arkeologu Luan Përzhita thotë se mozaiku është në gjendje mjaft të mirë me një sipërfaqe mbi 60 metër katrorë.
“Jemi fatlum pasi mozaiku i zbuluar është në një gjendje shumë të mirë. Ai ka zbukuruar territorin e një vile luksoze, në afërsi të amfiteatrit të Durrësit dhe si kohë datimi mendojmë se është diku nga fundi i shekulli I para Krishtit dhe fillimi i shekulli I pas Krishtit. Sot flasim për atë që njohim, por mbase zhvillimet e ardhshme do të kenë një datim më të saktë të këtij mozaiku. Në vetvete mozaiku është i tillë, i veçantë , edhe për qytetin e Durrësit dhe për Shqipërinë dhe është pjesë pasurisë së mëtejshme të kësaj trashgimie antike që i shtohet qytetit aq të njohur si ka qenë në antikitet qyteti i Dyrrahut”, tha Luan Përzhita.
Zoti Përzhita thotë më tej se zona mbart vlera arkeologjike por është prekur edhe nga ndërtimet ndër vite.
“Është shumë shpejt për të folur. Ajo që ne dimë është se këtu ka qenë ndërtuar shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti” në vitet 1960-1970. Po ashtu në këtë zonë në vitet dyzetë është ndërtuar një bunker i madh nga forcat italiane. Këto ndërtime, me sa kemi parë ne, kanë bërë dëmtime herë pas here të strukturave arkeologjike që ndodhen në këtë territor. Është dhe një qoshe e shkollës që lidhet me pjesën e mozaikut që ka pasur themelet në këtë pjesë”, u shpreh ai.
/VOA