“Udha e qumështit”, vjen në “arTurbina”
Vepra teatrore “Udha e qumështit” pas premierës në teatrin “Skampa” në qytetin e Elbasanit, ku u vlerësua nga publiku erdhi mbrëmjen e djeshme për publikun në skenën e “arTurbina”. Me autor dhe regji nga Armand Bora vepra erdhi në skenë me interpretimin e aktores së njohur Egla Ceno, që sjell 33 personazhe. Vepra është pjesë e trilogjisë së të mbijetuarve, me pjesët “Ata hyjnë pa trokitur” dhe “Domino”. Tema e veprës sipas regjisorit Armand Bora merr nga koha e para viteve ‘90.
Regjisori tregon se “Udha e qumështit” është një monoperformancë, që zgjat rreth 1 orë e 20 minuta dhe rrëfen historinë e një gruaje që u procesua vetëm sepse theu shihen në radhën e qumështit. Por këtë sipas regjisorit ajo e bën duke kaluar në 33 situata të ndryshme e “veshur” me karakteret 33 personazheve.
“Udha e qumështit” në vetvete përmban një eksperiencë të veçantë, që nuk është bërë ndonjëherë të paktën në Shqipëri. Bëhet fjalë për një histori të shkurtër, një histori që ka ndodhur para viteve ‘90 me një personazh konkret real. Një grua nënë e një fëmijë ngrihet në mëngjes për të blerë një qumësht dhe shkon në rradhë. Pasi merr qumështin ajo shikon se ai është i ndotur dhe e derdh. Por pas këtij veprimi atë e arrestojnë dhe zhvillohet një proces hetuesie. Në këtë hetuesi janë 33 personazhe të ndryshëm, të cilët deponojnë atë që kanë parë, e njëjta ngjarje por në 33 mënyra dhe forma si dhe karaktere të ndryshme.
Kjo shfaqje tek publiku përpiqet që të tregojë se çfarë është në gjendje ti bëjë njeriu njeriut. Se si merret dhe shkatërrohet jeta e një personazhi dhe kalon në situata sa komike dhe dramatike. Shfaqja do shoqëroj publikun edhe sot dhe nesër në mbrëmje në skenën e ”arTurbinës”. /ATA/