“Udhëtimi” shekullor me lavdi i hoxhë Mehmet Alcanit
–Kleriku i shquar nga Neshta, vrarë nga serbët më 1915, shpallet “Dëshmor i Atdheut” pas 104 vjetësh dhe rivarroset me ceremoni solemne në varrezat e dëshmorëve-
Nga Xheladin ÇELMETA
Është vrarë nga serbët në vitin 1915, dhe tani pas gati një shekulli e ca nderohet me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” dhe me ceremoni solemne rivarrimi në varrezat e dëshmorëve të Atdheut. Ky ka qenë fati i klerikut të shquar nga fshati Neshtë i Librazhdit, Hoxhë Mehmet Sali Alcani. Një figurë e ndritur atdhetare e viteve të pas periudhës së Pavarësisë. Për një kohë relativisht të gjatë, historianët librazhdas dhe të tjerë, janë marrë seriozisht me studimin e rrethanave të vrasjes të këtij kleriku patriot, dhe më në fund, së bashku edhe me rrëfimet e më të moshuarve nga ky fshat, dokumentet, si dhe me dëshmitë e më të vjetërve dhe veteranëve, kanë kërkuar që kësaj figure t’i jepet statusi i Dëshmorit. Kjo ka ngjarë vetëm para pak kohësh, në vitin 2013, kur Komisioni shtetëror i ka dhënë atij titullin “Dëshmor i Atdheut”. Nga ky moment e më pas, familjarët pasardhës i kanë kërkuar Bashkisë Librazhd dhe degës së Organizatës së Dëshmorëve, që eshtrat e Hoxhë Mehmet Alcanit, të merren nga vendvarrimi i hershëm në zonën e Malit të Gurit (te Krasta e Pllejëve) në Stëblevë (Fushë Stude) dhe të rivarrosen aty ku prehen dëshmorët e Atdheut. Sali Alcani (i riu), nipi i Mehmet Sali Alcanit, i cili ka ardhur që nga Laҫi ku banon bashkë me pasardhës të tjerë të klerikut dëshmor, ka qenë një ndër më të interesuarit për realizimin e këtij ceremoniali.
Sali Alcani, nip i dëshmorit: “Jam i gëzuar që po rivendoset nderi i gjyshit tim”
Sipas kryetarit të Organizatës së Dëshmorëve dega Librazhd Ahmet Kenga, edhe pse Mehmet Sali Alcani është shpallur “Dëshmor i Atdheut” disa vite parë, më 2013, për shumë e shumë arësye nuk qe bërë e mundur që ai të rivarrosej në varrezat e dëshmorëve në Librazhd. Por ka qenë interesimi i të afërmve të tij, si dhe i Bashkisë, që kjo gjë më në fund të realizohej. Kështu, më datë 30 maj 2019, në pallatin e kulturës “Sadi Halili”, Bashkia e Librazhdit në bashkëpunim me Organizatën e Dëshmorëve dega Librazhd organizoi ceremoni solemne rivarrimi për Hoxha Mehmet Sali Alcanin, klerikun dëshmor që dha jetën për Shqipërinë në vitin 1915, i masakruar nga shovinistët serbë. Të pranishëm në ceremoni ishin kryetari i Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra, kryetari i këshillit të qarkut të Elbasanit Bukurosh Stafa, nënprefekti i qarkut Enver Koҫi, kryetarja e OKDA dega Elbasan Xhuljeta Graceni, kryetari i OKDA dega Librazhd Ahmet Kenga, kryetarja e veteranëve të rrethit Ruzhdije Hasula, etj. Në fjalën e tyre, si kryetari i këshillit të Qarkut z. Bukurosh Stafa, ashtu edhe kryetari i Bashkisë Librazhd, z. Kastriot Gurra vlerësuan lart figurën e klerikut dëshmor dhe thanë se mesazhi i veprës së tij do të përcillet ndër breza. Emocionuese ishte fjala e nipit të dëshmorit, Sali Alcani (i riu), prej vitesh me banim në Laҫ, i cili mes të tjerash tha për gazetën “Koha Jonë” se “tani ndjehem i qetë dhe shpirtërisht i lumtur, e shumë krenar që më në fund gjyshi im po trajtohet me dinjitetin që i takon për atë që ka bërë për Shqipërinë, duke dhënë edhe jetën e tij. Dhe ai tani do të prehet në varrezat e dëshmorëve. Sikur kam lindur për së dyti, aq shumë jam gëzuar”. Mbresëlënëse ishte edhe prania e zgjeruar e familjarëve të dëshmorit, disa prej të cilëve të ardhur nga rrethe të tjerë, si nga Laҫi, por dhe nga zona e Çermenikës, nga Tirana, etj, si: Sali Alcani, Xhemile Isaku (mbesa), Xhaferr Isaku (bashkëshorti i Xhemiles), Lirie Agastra dhe Fatime Llushi (stërmbesa të dëshmorit), Urim dhe Kudret Alcani (stërnipër), Nazmi Gjokola (stërnip), Shpëtim Isaku (stërnip), Hamdi Alcani, Petrit Alcani, Ismet Alcani, Zenel Alcani, Azem Alcani, Refik Alcani, Kujtim Alcani, Përparim Alcani, Rifan Kaca (kushurinj të dëshmorit), Rexhep Mukja, Xhemal Cysa, Selman Isaku, Sefedin Muҫa, Flutura Hyka (Kaca), Mahir Hyka, Demir Lukani, Shaban Qibini (miq të afërm të familjes Alcani), nga shoqata “Çermenika” ishte kryetari i saj Ferit Balla dhe Maksut Balla, Behar Almeta, Ilmi Leka, Xhelo Luka. Këtë listë të familjarëve pjesëmarrës, na e jep një tjetër stërnip i dëshmorit, një djalë i ri ushtarak kariere i sapo kthyer nga misioni i NATO-s në Afganistan, Ilir Alcani. “Do ju kërkoja ndjesë nëse kam harruar ndonjë një emër nga të familjarëve”, merakoset ai. Pas homazheve, kortezhi niset për në varrezat e dëshmorëve, të cilat prej disa vitesh janë zhvendosur nga zona hyrëse e qytetit, në atë të Dragostunjës. Atje, rreth orës 12.30, sipas protokollit zyrtar, u krye rituali i rivarrimit, dhe më pas pranishmit si dhe familjarët vendosën kurora me lule mbi varrin që sapo i është vënë pllaka me mbishkrimin “Dëshmori i Atdheut Hoxhë Mehmet Sali Alcani”.
Kush ishte hoxhë Mehmet Sali Alcani
Hoxhë Mehmet Sali Alcani, vrarë mizorisht nga shovinistët serbë në maj 1915. Lindi në vitin 1860 në Neshtë të Librazhdit, në një familje atdhetare. Deri në vitin 1890 në moshën 30 vjeçare në Dibër të Madhe e Ohër, ai mbaroi shkëlqyeshëm të gjithë ciklet e shkollimit shqip. Fillimisht punoi si hoxhë në Dibër të Madhe, pastaj kryemyfti po në këtë qytet, atëhere me mbi 10 mijë banorë, kryesisht të besimit mysliman e që varej nga vilajeti i Manastirit. Shqipëria në ato kohë, që kur lindi Mehmeti, e deri sa dha jetën për Atdhe, kaloi situata të turbullta. Perandoria Osmane, ishte në grahmat e fundit. Duke shfrytëzuar këtë dobësi të Perandorisë otomane, Fuqitë e Mëdha të kohës nën presionin e shteteve fqinje, filluan “lojra tragji-komike” në kurriz të kombit shqiptar. Kujtojmë “Traktatin e Shën Stefanit (3.3.1878)”, “Kongresin e Berlinit (13.6.1878)”, “Konferencën e Ambasadorëve, Londër (26.4.1915)”, të cilat nuk i sollën Shqipërisë asgjë të mirë, veҫ telasheve. Në këto kushte, pyetja se “ҫfarë duhet bërë për kombin?”, e mundonte shumë Hoxhë Mehmet Alcanin, si dhe bashkëluftëtarët e tjerë të tij. Kështu, krahas detyrës si klerik, Mehmet Alcani nuk reshti së punuari si atdhetar i flaktë për çështjen kombëtare. Shkon me mision në Mekë (Kajro) dhe takohet me figura të shquara atdhetare, ku bisedojnë për çështjen e arsimit shqip. Bashkëpunon me atdhetarë intelektualë rilindës të tjerë dibranë të kohës si Seit Najdenin, Iliaz Pashë Çokun (Dibrën), Ali Nuredin Postinë (Dibër e Madhe) vrarë duke luftuar kundër serbëve më 1915, etj. Jep mësime në disa objekte kulti si në Teqen e Sheh Hysen Kuçit, etj. Përballë raprezaljeve të shpeshta serbe e malazeze, Hoxhë Mehmet Alcani komandonte forcat që vinin nga dega e lidhjes e Elbasanit, nga Golloborda, Çermenika, e më gjerë. Krah i djathtë për Hoxhë Mehmet Alcanin bëhet Shaban Ismail Sejdini, nga lagja Gradec e Lunikut, pjesëmarrë në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit më 10.6.1878. Një atdhetar nga Dibra, i quajtur Isuf Vargu me 10.7.1916 shkruante: “Shaban Sejdini rreshtohet në ushtrinë e Hoxhë Mehmet Alcanit; në vitin 1900 në betejën e përgjakshme të Fushë Studës ku u vranë me mijëra serbë”. Në korrik 1909, Hoxhë Mehmet Alcani merr pjesë si delegat i Çermenikës e Gollobordës në Kongresin e Dibrës, ku u vendos që gjuha shqipe të përdorej në trevat shqiptare të sunduara nga Perandoria Osmane. Në shkurt 1912, Perandoria Osmane nisi të gremisej. Ndërkaq, Serbia, Greqia, Mali i Zi krijuan famëkeqen “Aleanca Ballkanike”, kundër Shqipërisë. Hoxhë Mehmet Alcani u vu përsëri në komandë të forcave të Gollobordës, Çermenikës, etj. Shpallja e Pavarësisë ngjalli shpresa te Hoxhë Mehmet Alcani, se dicka e mirë do bëhet për Shqipërinë. Kështu që në krye të vullnetarëve për liri nga Golloborda, Çermenika e më gjerë qëndronte sërish burri trim nga Neshta e Librazhdit Hoxhë Mehmet Sali Alcani. Në maj 1915, gjatë luftimeve me serbët në Qafë Pervallë, Hoxhë Mehmet Alcani zihet rob. Serbët e marrin dhe e çojnë në shtabin e tyre në Malin e Gurit mbi Studën, ku e masakrojnë barabarisht dhe aty ndërron jetë. Fshatarët e zonës e varrosin në një varr modest, dhe që prej asaj dite, në majë mali mbi 1700 metra mbi nivelin e detit. Ashtu, i vetmuar, kalimtarët, që prej 104 vjetësh e kanë thërritur “Varri i Hoxhës”. Vetëm pak ditë më parë, eshtrat e kësaj figure të ndritur e patriote, klerikut Mehmet Alcani janë rivarrosur për t’u prehur përjetësisht në varrezat e Dëshmorëve Librazhd. Kurse shpallja “Dëshmor”, sipas pohimit të kryetarit të Organizatës së Dëshmorëve dega Librazhd, Ahmet Kenga, është bërë me vendimin nr. 662, dt, 27.6.2013, me propozim të Komitetit të Veteranëve të rrethit Librazhd. Nga ky moment komisioni i posaçëm shtetëror e shpalli Hoxhë Mehmet Sali Alcanin “Dëshmor i Atdheut”.
————————————————————————————
“Përkujdesje maksimale për dëshmorët dhe simbolet e LANÇ”
Nga Kastriot Gurra*
Ky i rënë për atdhe, ky klerik i shquar, Hoxhë Mehmet Alcani sot po varroset aty ku i takon në Varrezat e Dëshmorëve, ndërkohë që ky akt bëhet në një muaj të shenjtë, pasi ka qenë dhe muaji rëndësishëm për shqiptarët muaji i Ramazanit. Sepse përveҫ se një klerik dhe veprimtar shumë i devotshëm, Hoxha ka qenë dhe një patriot shumë i madh dhe nuk është rastësi që përfaqësuesit më të mëdhenj të klerit kanë qenë dhe njerëzit që kanë marrë pjesë në shumë luftra ndër vite. Kanë qenë njerëzit më të iluminuar dhe kanë hapur shkolla kudo nëpër Shqipëri, ku kanë mundur duke rrrzikuar jetën e tyre. Rivarrimi i tij po bëhet në një muaj që po ashtu është i shenjtë se është muaji Maj, që brenda vetes ka datën 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve. Ndaj kjo është arësyeja që ne krenohemi me historinë tonë, dhe Hoxhë Mehmeti është dëshmia më e mirë që tregon se shqiptarët nuk kanë pranuar kurrë pushtimin; shqiptarët në kushtet ku kanë qenë kanë bërë gjithshka kanë mundur për të transmetuar vlera të mëdha tek brezat e ardhshëm. Dhe ishte detyrimi ynë, dhe për fat të keq një detyrim shumë i vonuar. Jemi shumë të vonuar me këtë vendim për të ҫuar në vend nderin që i takon Hoxhë Mehmetit, se ne besojmë që dëshmorët e Atdheut meritojnë respektin maksimal dhe lavdinë e përjetshme. Atë që ata kishin më të shenjtë, jetën e tyre, e kanë dhënë për Shqiprinë. Pavarësisht se kur kanë qenë kohët, pavarësisht se kush ishin armiqtë me të cilët janë përballur; ata kanë sakrifikuar nga jeta e tyre dhe është detyra jonë, detyra e ҫdonjerit nga ne, detyrë e ҫdo shqiptari, detyrë e ҫdo administrator, që të përpiqet ta lartësoi veprën e tyre. Çdo Komb pa histori është i destinuar të zhduket. Dhe jemi krenarë me historinë tonë, jemi krenarë me të gjithë luftëtarët të cilët kanë dhënë jetën për vendin e tyre, për vendin tonë, Shqipërinë. Mendoj se ne e kemi për detyrë që brezat që vijnë t’i edukojmë me përpjekjet e shqiptarëve ndër shekuj për liri e pavarësi, e sidomos me Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, pasi ajo ka qenë periudha me e ndritshme që ka patur historia jonë. Edhe ky aktivitet sot për rivarrosjen e Hoxha Mehmetit, nuk ka asnjë dallim nga ata që që ranë në luftën nacional-ҫlirimtare, sepse heronj ishin edhe ata që u ngritën kundër serbëve dikur, heronj ishin edhe ata që u ngritën kundër nazistëve gjermanë dhe heronj janë të gjithë ata që ngrihen për të mbrojtur trojet e tyre kudo që të ndodhë, në ҫdo kohë. E ritheksoj, që një Komb që nuk respekton të rënët, ai është komb pa histori. Dhe një komb pa histori, është i destinuar të zhduket. Ne jemi krenarë për historinë tonë. Dhe Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare është një ndër faqet më të ndritura të historisë. Është një luftë, e cila e bashkoi Shqipërinë me Koalicionin më të madh kundër së keqes, kundër nazifashizmit. Është i njejti koalicion sot, që po përpiqet ta bëjë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian. Dhe dua të shtoj se, gjithnjë jam përpjekur të jem i lidhur ngushtë, me Organizatën e Dëshmorëve dhe atë të veteranëve. Dua të them se ata janë heronj me punën që bëjnë, duke mbrojtur idealet e të rënëve, duke u informuar dhe duke u kujdesur për lapidarët e simbolet e tjera të luftës.
*Kryetari i Bashkisë, Librazhd