Ulqin, mbahet edicioni i 18 i Panairit të Librit
Në Ulqin ka çelur siparin Panari i 18 i Librit, ku shtëpi botuese nga të gjitha trevat shqipfolëse, përgjatë 3 ditëve do të promovojnë botimet e tyre.
Organizatorja e këtij panairi, Irena Toçi tha se janë plot 45 shtëpi botuese pjesëmarrëse, duke sjellë për lexuesin botimet dhe autorët më të mirë.
“Është një event që i ka dhënë këtij qyteti një dritë dhe një rëndësi tjetër në këtë muaj të mikpritjes të qindra e qindra shqiptarëve, jo vetëm të ulqinakëve të larguar nga këtej prej vitesh, por edhe të qytetarëve të Prishtinës, të Kosovës, apo të Shqipërisë dhe vendeve të tjera”, tha Irena Toçi, organizatore e panairit.
I pranishëm në këtë takim, ministri i Kulturës i Malit të Zi, Aleksandër Bogdanoviç tha se të tilla nisma i shërbejnë shtimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve mes dy vendeve, në art, kulturë e turizëm.
Ndërsa kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Ndrekiç vlerësoi Panairin e Librit si një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore që mbahen aty.
“Qyteti ynë i lashtë bëhet pikë takimi ndërmjet kulturave dhe nxitës i lidhjeve të paqes dhe ato përmes kulturës e artit. Fuqia që sjell libri është dija, bashkëpunimi, kultura dhe toleranca”, tha Loro Nrekiç.
Për kreun e Shoqatës së Intelektualëve të Ulqinit, Ismet Kallaba, ky panair është një mundësi ku autorët shqiptarë në Mal të Zi mund të promovohen.
“Panairi i Librit në Ulqin është një nga ngjarjet kulturore më të rëndësishme në këtë qytet, sidomos sa i përket sezonit veror, dhe ndikon edhe në begatimin e ofertës turistike, sikurse dhe në përmirësimin e imazhit kulturor të Ulqinit në përgjithësi”, tha Ismet Kallaba.
Ky është viti i 18 që në Ulqin zhvillohet Panairi i Librit, ku shqiptarët nga të gjitha trevat bashkohen në emër të librit.
Top Channel