“Univers mbi tastierë”, përmes artit jepen mesazhe pro integrimit evropian të Shqipërisë
Të hënën paradite, 28 maj 2018, në sallën e shfaqjeve të shkollës 9-vjeçare “Besëlidhja” në qytetin e Lezhës u zhvillua koncerti recital pianistik “Univers mbi tastierë”, ku interpretuan Johan dhe Ami MUKA, vëlla e motër. Udhëheqëse artistike ishte pedagogia e tyre e pianos, Vjollca STAMO.
Koncerti u organizua nga ABC Tirana Club në kuadër të programit “Edukim përmes kulturës” mbështetur nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Ky është koncerti i katërt recital që realizojnë Johani dhe Ami MUKA, pas “Tingujt e Paqes”, (në vitin 2013); Hapësirë Evropiane”, (2015) dhe “Kodi i Tingujve”, (2016).
Johani ka studjuar në shkollën 9-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë” në Tiranë, që është me orientim muzikor dhe aktualisht është student në vitin e parë Informatikë Ekonomike, në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës. Ami është nxënëse në klasën e 8 të shkollës “Dëshmorët e Lirisë”. Të dy, Johani dhe Ami, kanë marrë pjesë në konkurse kombëtare pianistike, ku kanë fituar dhe disa çmime për interpretimin e pjesëve të autorëve të huaj dhe shqiptarë.
Me “Univers mbi tastierë”, që do të shfaqet dhe në Tiranë pas dy ditëve, ABC Tirana Club synon të ndikojnë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve, nxënës dhe studentë përmes artit, evidentimin e trashëgimisë artistike europiane, të promovojnë në favor të gjallërimit të turizmit kulturor në Shqipëri. Gjithashtu u synua afrimi i nxënësve dhe studentëve në kalendarët artistikë të krijimtarisë klasike dhe moderne; që ata të jenë prezentë në ato evente artistike ku performatorët janë po të rinj si ata, në përmirësimin dhe diversifikimin e shijeve estetike dhe kulturore të tyre. Duke qenë se veç programit muzikor të Johanit dhe Amit në koncert kishte dhe performanca nga dy nxënës të shkollës “Besëlidhja”, shkëmbimi i përvojave artistike ishte një nga synimet prioritare të organizatorëve.
Ky projekt kultoror i ABC Tirana Club përpiqet të pasurojë agjendën kulturore të të rinjve, kërkon dhe të ndezë shkëndija për alternativat proevropianistete, si një përpjekje për kontribut konkret, që përmes artit të jepen mesazhe pro integrimit evropian të Shqipërisë.
Në kuadër të Vitit të Skënderbeut, Lezha mbetet stacioni më i frekuentuar kulturor dhe historik, ku pritet të ketë një kalendar të pasur artistik, gjithëvjetor, me kontributin e artistëve nga të gjitha trevat. Ndaj dhe koncerti recital për nxënësit, prindërit dhe mësuesit e shkollës “Besëlidhja”, u vlerësua si jo vetëm në kohën e duhur, por dhe në vendin e duhur.