Vajza që u dogj në bibliotekë, në tentativë për të shpëtuar librat

Sipas miqve të saj, Aida Buturoviq ishte një nga studentet më të mira në degën e Letërsisë në Universitetin e Sarajevës. Fliste pesë gjuhë. E donte kulturën dhe librat. Librat, si ata që ndodheshin në Bibliotekën e Sarajevës ku ishin tre milionë libra si dhe qindra dokumente origjinale nga koha e Perandorisë Osmane dhe monarkisë austro-hungareze.

Ato ishin dëshmi e historisë qindravjeçare të Bosnjës dhe të identitetit të një shoqërie multikulturore. Serbët e dinin mirë këtë, ndaj në prill të vitit 1992 filluan të rrethonin qytetin. Disa muaj më vonë, në gusht të të njëjtit vit, ushtria serbe nën komandën e Radovan Karaxhiqit dhe gjeneralit Ratko Mlladiq, kishte nën shënjestër ndërtesën e bibliotekës të njohur si “Vijeçnica”.

Aida ishte atje, sepse punonte aty, sepse i donte librat, sepse nuk mendonte se ishte e drejtë që të prekeshin librat.

Kur bombat filluan të shkatërronin bibliotëkën, ajo nuk mendoi për asnjë çast që të largohej por vrapoi për të shpëtuar librat – historinë e Bosnjës. Ndërkohë që të gjithë po largoheshin e zjarret po bëheshin gjithnjë e më të fuqishme, Aida arriti të merrte disa prej tyre, pastaj akoma disa të tjerë, duke u munduar që të shpëtonte sa më shumë që të ishte e mundur. Në fund erdhi shpërthimi përfundimtar që i morri jetën dhe shkatërroi tre milionë libra.

“Biblioteka Kombëtare në Sarajevë u dogj tre ditë me radhë, ditë në të cilat mbi Sarajevë fluturonin zogj të zinj”, shkruante atëherë shkrimtari Valerijan Zujo: “Janë fletët e djegura nga libri i madh për ngritjen dhe rënien e Bosnjës dhe Sarajevës.”

SHKARKO APP