Vajza, vendlindja e Ali Asllanit e Perlat Rexhepit…

Nga: Agim Jazaj   –                                                                     

Fshati Vajzë, fshati i barikadave, rrëzë Beunit historik, të malin “Tartar”, mban të shënuar në historinë e vet ngjarje dhe data historike, bij që i kanë dhënë e lenë vepër e emër, jo vetëm këtij fshati, por edhe historisë së vendit…

Janë Dy bij me emër, të ndritur nga fshati Vajzë i Vlorës: Ali Asllani dhe Perlat Rexhepi.

Vargjet e largëta vijnë të afërta, me klithma për këdo e kudo…Çdo kalimtar teksa i dëgjon, hap sytë e mban këmbët, sidomos në rrugën që përshkon për në thellësi të Labërisë, nyja lidhëse e vjetër, tashmë e shkretuar, që lidhte Vlorën me Tepelenën, Gjirokastrën, Përmetin e shkonte deri në

Selanik e Stamboll, nëpërmjet Sevasterit. Rruga nga Kota është e asfaltuar deri në “Guri i Lunecit”, përballë me Kalivaçin-Tepelenë, rrugë me standarde europiane, falë kontributit dhe përzgjedhjes me votën e arsyes të ish kryetarit të Komunës së Sevasterit, tashmë kryetar i Bashkisë Selenicë; z. Përparim Shametaj.

Kalimtarët ndalin qëndrimin dhe ngulin vështrimin në fshatin Vajzë, “porta” e krahinës së “Kudhës Grehotit”, mbajnë frymën, qëndrojnë në drejtëqëndrim përballë dy figurave madhore të Labërisë, Vlorës dhe të vendit: pendë artit: Ali Asllani dhe pushkë ndriturit: Perlat Rexhepi, përkrah njëri-tjetrit!

Nga e djathta, një foto e vizatuar, qëndronte në mur, (shumë pak) ngrihet pendë-hali, poeti i madh: Ali Asllani, në krahun e majtë ngrihet monumenti i pavdeksisë, Heroi i Popullit: Perlat Rexhepi.

Ndërsa busti i poetit të famshëm; Ali Asllani është ngritur në qytezën e Kotës, aty ku para 2 muaj u ngrit edhe busti i Ismail Qemalit. Por busti i poetit, diplomatit, zyrtarit model, duhet të ngrihet dhe të ndrihet në vendlindjen e tij, për të cilin çdo bir, bij, nip e mbesë, por dhe çdo njeri i kësaj krahine labe, çdo vlonjat ndihet krenar dhe frymëzohet nga Vepëra momunentale e Poetit Ali Asllani, dhe duhet të KONTRUBOJNË…

Ismail Qemal, Bej Vlora, pas shpalljes së Pavarësisë e ngarkoi Ali Asllanin me detyrën historike të sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës së këshillit të Ministrave, detyrë të cilën e kreu deri më 22 janar të vitit 1914.

Detyrat e rëndësishme dhe të besueshme i janë ngarkuar atij burri të ndritur, ku në cilindo pozicion shkelqente: aftësia, besnikëria, zotsia, dhëmsuria, ndjeshmëria, atdhetaria etj, të cilat e mernin frymëzimin dhe bekimin nga poezia e poetit të famshëm.

Prej vitit 1918 e deri në vitin 1920 poeti: Ali Asllani zgjidhet kryetar i Bashkisë Vlorë. Gjithashtu në vitet 1934- 1939 ishte përsëri kryebashkiak i qytetit të Vlorës.

*Vepra e tij poetike u bë e njohur edhe me “Hanko Halla”. Vargjet e tij satirike, të formuluara dhe të gdhënduar si me daltë, zbuznin paksa edhe shpirtin e egërsuar të lexuesit”:

Hanko Halla isha, Hanko halla jam,

Halë në sy u kisha, halë në sy u kam…

*Vajza dhe Vlora kanë qënë shtëpia e shënjtë e poetit, vatrat e zjarrit ku kanë lindur e janë gatuar edhe poezitë e tij.

       

             “VLORË TUNGJATJETA”

 

Andej Qaf’e Topit, hedhur si sorkadhe,

  Këtej Kuzbabaja, një uratë e madhe.

  Mu në mes të tyre, shtrihet një qytet,

  Shtëpi e shqiponjës, për eternitet.

  Vlorë tungjatjeta, vend i mrekullive,

  Matem me Sazanin, degat e ullive.

 

*Aq aktuale, drithëruse dhe apeluese janë vargjet e poetit rrebel, kur sheh gjëndjen e sotme, hatanë, greminënë e nesërme, të shkruar me aq art e largpamësi, në vazhdën e veprës së tij: “HAKËRRRIM “

 

A dini që fitimi, brënda katër vjet mizor,

nuk është yti nuk është imi, është i kombit arbëror.

Është i syrit me lot mekur, është i vendit djegur pjekur,

Ju do to thoni si të doni…po e drejta dërmon hekur.

 

*Poeti Ali Asllani, i lindur në fshatin Vajzë në vitin 1882, u largua nga bota e të gjallëve në vitin 1966, duke mbetur i përjetshëm, në altarin e historisë dhe të letërsisë, mes të gjallëve, me veprën e tij të pavdeksisë dhe me “KOHA E MASKARENJVE”, etj.  I selitur si një mjeshtër i rrallë edhe i poezisë lirike, me adhurimin dhe pasionin e pashoq djaloshar, i ka thurur vargje pa fund vajzës, zonjë e bukuroshe, që sheh me bish të syrit, pret angthmbuluar tek dera, vajzës nurndritur, te burimi, në rrugë, duke e quajtur atë: flutur, pëllumbeshë, sorkadhe e Shullërit:

 

Kush të paska rritur, kush të ka selitur,

Trupi ytë i bukur, si flori i situr.

Në je ndonjë hije, një hije hyjnore,

Kthemë zemrën time, zemrën që më more…

 

Dhe vasha bukuroshe, naze madhe i përgigjet:

Është dritë e diellit, është dritë e hënës.

Më shumë nga të gjitha, është sisa e nënës!…

Shpirti revoltues i poetit rrebel lab, i pa pajtueshëm me ligësitë, paudhësitë e padrejtësitë, i vë në majën e pendës, si në grykën e topit; abuzuesit, të pa udhët, zullumqarët, grabitqarët, hileqarët dhe haleqarët edhe në: “Dasma e Radhës”:

 E pra ti o perëndi, pse na lë në dorë të djallit,

që na shtyp na përtyp, nëpër nofulla të çakallit.

***

Ka popuj, kombe që i shënjtërojnë poetët, talentet i duan shumë, sakrifikojnë për ata, ndërsa popujt dhe kombet, politikat, qeverit demode, të inkriminuara, të pa zhvilluara; ngërtheshen, gëzohen duke i dhunuar, munduar e stërmunduar këta yje të shoqërisë, për t’i zbehur yjet, për të lartësuar xizëllonjat, për të zvëndësuar shqiponjat me laraskat, duke ju shkaktuar dhimbje të pa fundme këtyre njerëzve që vuajnë edhe dhimbjet e të tjerëve e kurrë su shkaktojnë dhimbje të tjerëve…

Dhe kur largohen nga bota e të gjallëve këta ndriçues, frymëzues e udhërrëfyes të shoqërive, turren t’u referohen, u lartësojnë veprën, për të përfituar sadopak nga vepra e tyre, të pa vlerët!

 

 PYETA LABËRINË…

 

Vargjet klithma të poetit vajziot; Ali Asllani për heroin, po vajziot; Perlat Rexhepi, mbeten epokale, kë nuk rrënqethin, teksa i lexon, shënon dhe kurrë si harron:

 “Pyeta Labërinë e ku është Perlati,

  Kombi ulërinë, më shumë se i ati.

  Pyeta djalërinë, ç’e bët shokun, mikun?

  Nder për Shqipërinë, vdekje për armikun.

  Tani tinë dhe unë, e dim për Perlatin,

  Djep kishte Beun, varr ka Rozofatin!…

 

Perlat Rexhepi dha jetën e tij për Shqipërinë, duke luftuar si trimat, biri i denjë, i lavdishëm i fshatit Vajzë të Vlorës dhe i gjithë Labërisë.

Akti heroik i Perlat Rexhepit, është i pa shëmbullt, ka një shkëlqim sipëror në gjerdanin e artë të historisë së Luftës Çlirimtare, i cili së bashku me heronjtë e Shkodrës; Branko Kadia e Jordan Misja, ranë heroikisht në “Shkodrën Loce”!

Perlati lindi më 25 tetor të vitit 1919, në fshatin e barrikadave Vajzë; rrëzë “Beunit”, në një familje të njohur, me tradita patriotike, aty ku u mblodhën burrat e ndritur, në “Kuvendin e Beunit”.

Prindërit e tij, gjyshi e stërgjyshi, janë nga ai fis i fisëm, që nuk e kanë ndarë mendjen dhe shpirtin asnjëherë nga atdhedashuria. Ata në breza kanë qënë të dijes, të pushkës dhe të penës…

Rexhep Sulejmëni, babai i Perlatit, njihet dhe ruhet në gjthë trevën e Labërisë e më gjerë si një nga patriotët e spikatur, bujar, me zemër të madhe, i mençur, me vizion të gjerë e shumë trim. Ai kishte studiuar në Austri, ku kishte marë dhe diplomën e mjekut.

Rexhep Sulejmëni, ishte një ndër figurat më të shquara, pjestar aktiv në “Luftën e Vlorës”, më 1920.

Si shumë patriot vlonjatë, mori pjesë e luftoi si burrat në revolucionin “Demokratiko-Borgjez”, që udhëhiqte Fan S. Noli.

Pas këtyre ngjarjeve, detyrohet të marë arratinë me gjithë familjen dhe vendoset tek miqtë e tij, në ishullin e Korfuzit, për t’i shpëtuar përsekutimit të regjimit zagollian, si kundërshtar politik.

Perlati atë kohë ishte vetëm 5 vjeç. Në moshën 6 vjeçare, filloi shkollën fillore, ku mësonte midis nxënësve grek, në gjuhë të huaj, me mësues grek dhe italian. Perlati fliste, shkruante dhe komunikonte me mësuesit grek e italian, pa asnjë pengësë e dallim, madje dhe mbi të tjerët.

Pas shumë përpjekjesh të atit, Perlati vazhdoi rrugën e dijes në shkollën “Tregëtare” të Vlorës, në klasat përgatitore, siç quhej, semimaturë, ku vazhdoi dy vjet e më pas studimet e plota për 6 vjet.

Edhe aty ra në sy veprimtaria e tij adhetare dhe e përjashtojnë nga shkolla. Më pas ati i tij i mundësoi shkollimin për gjeometër, në shkollën “Teknike”, ku studionte dhe libra jashtë shkollore, si romanin: “Nëna” e Maksim Gorkit, “Puna me mëditje, si dhe gazeta e revista të huaja, të botuara jashtë vendit nga Halim Xhelua. Ai lexonte Naimin, Çajupin, “Historinë e Skënderbeut”, si dhe poetin me famë; Ali Asllani, gjigandin e poezisë edhe ky bir i fshatit Vajzë.

Pushtimi i Shqipërisë më 7 Prill 1939, solli dhe mbylljen e shkollave, po edhe përndjekjen e Perlatit, i cili për t’i shpëtuar, vendoset në vendin më të afërt, në Mali i Zi, pa asnjë ndihmë ekonomike fal, bujarisë së shqiptarëve aty, qëndroi në shtëpitë e tyre 3-4 muaj, me shpenzimet e tyre.

Perlat Rexhepi, gjithënjë ishte prezentë, midis njerëzve të punës, po dhe në ballë të aksioneve. Dyshimet e drejtuesve bën të largonin Perlatin nga qyteti i Vlorës për në zonën e Sevasterit, gjoja për të projektuar rrugën e re, që fillonte nga Peshkëpia, Gorishti e Dushkaraku, për të dalë në Memaliaj, përgjatë buzë Vjosës.

Perlatin me shokët e tij, edhe aty i kishin thirruar e paralajmëruar nga kuestura. Dhe kjo arsye bëri të transferohej më pas në Shkodër.

Zyra e gjeometrit nga Vlora, në Shkodër e bashkoi me shumë njerëz të mirë, në punë dhe jashtë sajë. Shumë shpejtë u bë i njohur jo vetëm si specialist, por dhe si njeri me njohuri të thella. Në Shkodër Perlatin e donin dhe respektonin, jo si jabanxhi, por dhe si i ardhur nga Vlora e Pavarësisë, së Flamurit.

Ai së bashku me Jordan Misjen, strehohej në shtëpinë e këtij të fundit. Shokët e këshillonin, të ruhej, madje nuk i flisnin as në emër, po e thërrisnin me pseudonim “Tarzani”.

Ai fliste shumë rrjedhshëm në dialektin shkodran. Perlatit i ngarkuan të kryenin një aksion për djegien e kuesturës fashiste. Këtë aksion e mori me shumë dëshirë përsipër me njësitin gueril. Në kohën kur Perlati i fliste rojës, shokët e tij hodhën lëndën ndezëse dhe i vun flakën kuesturës. Në moment kuestura mori zjarr. Fashistët u tmerruan dhe u alarmuan, ndërsa guerilasit u larguan me shpejtësi, pa pësuar asnjë gërvishtje.

Ky aksion u kalli frikë, panik e pasiguri forcave pushtuese dhe ngirti më lartë moralin e popullit, si dhe krijoi besim tek forcat çlirimtare, se po u dilin për zot vatanit.

Ndonëse ishte i maskuar, duke ndryshuar edhe veshjen, patrulla e policisë e pikasi dhe i kërkuan të ndalte. Ilegali e ndjeu rrezikun dhe shtoi shpejtësinë, për t’i shpëtuar kapjes. Patrullat hapi zjarr duke e plagosur. I plagosur, shkoi në bazën ilegale, në shtëpinë e nënë Lagjes, në Dobraç, patriote shkodrane. Edhe i izoluar, në bazë mori vesh se; ishte vrarë shoku i tij, i të njëjtit ideal: Qemal Stafa. U prek thellë, u pkëllua pa masë.

Pas 20 ditëve të regjimit, vendosi të dilte dhe më vështirësi kaloi nëpër rrugët e rrugicat, shkoi te shtëpia e Jordan Misjes, në lagjen “Firaj”, sot lagjia e: “Tre Heronjtë”. Por syri i shitur i spiunve e kishte zbuluar, kishin informuar autoritet fashsite.

Në shtëpinë e Misajve, përveç Perlatit e Brankos, ndodheshin edhe 2- 3 shok të tjerë, dhe gjithë familja e Jordanit.

Në orën 04 të mëngjezit filluan lëvizjet, zhurma e trupave. Thirrjet alarmuese, trokitje tek porta dëgjohen: “Hapeni se jeni të Rrethuar”. “Dorëzohuni”. “S’kini nga të dilni”!

Në momentet më të rënda, trimat nuk e humbën toruan. Të tre i kërkuan nënës, bashkë me vëllain e motrën e Jordanit, të dilnin nga Shtëpia. Ata do të luftonin, nuk do të dorëzoheshin të gjallë!

Tre heronjtë kishin një shqetsim: Së bashku me ta kërkonte të vdiste edhe familja e Misajve.

Pas shumë lutjesh e kerkesash të Perlatit, nëna bashkë me djalin e vajzën, u detyruan të pranonin, me zemër të coptuar, me lot në sy, të bënin ndarjen e përjetëshme, t’i linin luftëtarët e lirisë, të binin heroikisht në shtëpinë e Misajve.

Në orët e para të mëngjezit, një avion fluturonte në ultësirë, mbi qytet, mbi shtëpinë e rrethuar.

Vendi u ndez flakë nga krismat e armëve, nga brënda e jashtë shtëpisë, bombat shpërthenin pa pushim. Zjarri nga të gjitha anët, rrëzoi për tokë trimin Branko Kadia. Tani mbetën dy. Perlati me Jordanin. Shoku i tyre u nda. Ai ishte dëshmori i parë i kësaj kështjelle.

Perlati luftonte, shtëpia ishte përfshirë në flakë.

Jordani kishte marë plagë, nuk lëvizte, flaka i mori gjithë trupin.

Ndihma ishte e pa mundur.

Perlat Rexhepi, po luftonte me guxim, pa u ndalur, duke mos i pasur më shokët e idealit pranë.

Po zbraste dhe fishekun e fundit, me të cilët luftoi për 6 orë rresht.

Trimi nga Labëria, edhe në sekondën e fundit të jetës, thërriste: “Poshtë fashizmi”, “Rroftë Shqipëria”!

Legjendari Perlat Rexhepi, me vetëdijen e tij shkoi drejtë sakrifikimit të jetës.

Poeti shkodran i ka kënduar me pathos Heroit vlonjat:

                Perlat fol nji fjalë/ Shpirti sa pa t’dalë

Figura të tilla, si një rast i rrallë, dy bij nga një fshat: Heroi i pushkës dhe Poeti i pendës me famë kombëtare, kryebashkiaku simbol i Vlorës, dhe i vendit, ku ishin të mpiksura: poezia, aftësia dhe mirësia, arti për të drejtuar Bashkinë e Parë, duke u rënë kryq e tërthor rrugëve me një karro, si qytetar, drejtues dhe poet.

Ali Asllani mbetet i shënuar, si një shënjtor dhe shërbëtor edhe për veprën e tij poetike: “Koha e Maskarenjve”, me tingëllimet aktuale, etj

-“A e dini që fitimi, brenda katër vjet mizor’,

  Nuk është yti nuk është imi, është i kombit arbëror”…

 

           NË RRJEDHËN E KOHËS…    

                       

Fshati Vajzë ka nxjer edhe 2 ministra, të nderuar për vendin: Lavdosh Ahmetaj dhe Maliq Sadushi. Por dhe kontribues, luftëtar të lirisë, drejtues me zë si: Rexhep Sulejmëni, Laze Sulejmëni, Piro Rexhepi, Gani Vajza, Xhipe Mersini, Çize Hamiti, Kamo Tare, Sali Mezini, Daver Elezi, për shumë vite kryetar i Kooperativës, si dhe pasardhës në detyrat drejtuese; Myfyt Zaçe, Qemal Bilbili, Gëzim Çobaj, Patriot Çobaj, etj.

Njihen si vazhdues e pasardhës nga fshatit i pendës: Luan Rexhepi, Riza Çize, Mynyr Hanaj, Lefter Hitaj, Erjon Habilaj, Lilo Çobaj. Sokrat Habilaj; ndër pendat e denja, i cili ka publikuar edhe në gazetën ”Zeri i Vlorës”, i shpalosur për talentin e tij, në publicistikë, por edhe në poezi është njohur nga lexuesi, duke zënë vend edhe në faqet e librit: “BIJ TË VLORËS”.

Bij e bija vajziote, të njohur i kanë ruajtur emrin dhe zbardhur faqen vendlindjes, Vajzës shënohen edhe: Besnik Elezi, Tasim Sheraj, Xhevair Hanaj, Agim Çobaj, Gjon Vajza, Sokol Sadushi, Natasha Sheraj, Fadil Caushaj, Sinan Sinanaj, Luan Murataj, Fadil Sheraj, Pandeli Bilbili, Lilo Çobaj, Mitat Bellaj, Ahmet Hazizaj, Fredi Hitaj, Agim Sheraj, Jaho Islamaj, këngëtarja Fiqirete Kapaj, djemtë e lokalit të “Shpellës”, vëllezërit; Shkëlqim e Leonard Hitaj, etj

Nga fshati Vajzë kanë dalë edhe shumë shofer, qysh në ditët e para të çlirimit të vendit, sa i quanin: “Batalioni i shoferëvë të Vajzës”, në parkun Automoblistik të Mallrave- Vlorë: Ymer Ymeri, Temo Çobaj, Selim Ahmetaj,Yzedin Ymeri, Hano Zagolli, Durim Bellaj, shofer të përzgjedhur dhe të dalluar në transportin e  Udhëtarëve-Vlorë.

Shoferë të tjerë shënohen, si në parkun e Naftës: Pajtim Hanaj, Ismet Hametaj, si dhe Hiqmet Hitaj, Sulçe Sulçaj …. bij të zot dhe të zot edhe për timon…

Në Vajzë ka lindur edhe një njeri i rrallë, për në librin: “GINNES”. Ai ishte Lamçe Përrallaj. Njeriu më 6 gishta në këmbë dhe po më 6 gishta në dorë…E kam njohur nga afër dhe e kam parë më sy këtë krijesë të rrallë, ndoshta kaloi pa vëmëndjen e duhur…

*DY figuara pikante- Maja: Poeti dhe Heroi, në hartën e bashkisë së Selenicës,

mbeten YJE, në qiellin e shqiponjave, përmbi “TARTAR”, në frymëzimin dhe angazhimin e kryebashkiakut të Selenicës: Përparim Shametaj, për t’i përjetësuar e ngritur në obeliskun e munguar deri më tani, për t’i nderuar e mbetur modele të frymëzimit dhe referimit, të cilët kanë bërë e lënë epokë për kombin!…

Vargjet e hershme me klithma dite të poetit Ali Asllani:

*Sidomos ju dredharak,

ju me zemër aq të nxira.

Ju dinak ju shushunja,

ju gjahtar në errësira…

 

SHKARKO APP