Vajzat e “Eko Mendje”, Shkodër, buqeta lulesh dhe përqafime mirënjohjeje për nënat sakrifikuese, sot më 8 Mars

Nga Albert Vataj
Në kalendarin e kujtesës sonë kolektive, 8 Marsi në Shqipëri nuk është vetëm një datë simbolike e përkushtuar ndaj gruas, Dita Ndërkombëtare e Gruas. Kjo datë përjetohet edhe si dita e nënës, një çast reflektimi dhe mirënjohjeje për atë figurë që përmbledh në vetvete sakrificën, dashurinë dhe qëndrueshmërinë e jetës. Në këtë ditë të shënuar, kur shumëkush e feston në tryeza e lokale, një grup të rinjsh nga Shkodra zgjodhën një mënyrë më sublime, thellësisht domethënëse, për të nderuar nënën, jo vetëm me një buqetë lulesh dhe fjalë zemre, por me më të epërmen mirënjohje për rolin e misionares që ato përfaqësojnë.
Vajzat e lëvizjes “Eko Mendje”, nën drejtimin e Mirasad Bashës, dolën në rrugët e qytetit të Shkodrës për t’u dhuruar lule atyre nënave që dita e sotme i gjeti jo në atmosferë feste, por në përditshmërinë e tyre të lodhshme, nënave që punojnë në rrugë, që shesin për të siguruar bukën e familjes, që mbajnë mbi supe barrën e jetës pa e ndërprerë kurrë përpjekjen. Ky gjest i thjeshtë, por i mbushur me kuptim, ishte një mënyrë për t’u thënë atyre se sakrifica e tyre nuk është e padukshme dhe se mirënjohja nuk duhet të mbetet vetëm një ceremoni formale.

“Sot është 8 Marsi, në Shqipëri festohet edhe si Dita e Nënave. Në shenjë respekti dolëm në rrugët e Shkodrës për t’u dhuruar lule nënave që sot nuk ishin në lokale e festa, apo që ndoshta nuk kishin marrë lule për këtë ditë. Atyre që lodhen çdo ditë për të siguruar bukën e fëmijëve duke shitur në rrugë dhe duke mos bërë kurrë pushim. Respekte për të gjitha nënat shqiptare dhe mirënjohje për çdo sakrificë që bëjnë për ne çdo ditë.”, shkruan në postimin që shoqëron videon e këtij akti vlerësimi, Mirsad Basha.

Në thelb, akti i tyre nuk është vetëm një gjest simbolik, ai është një manifest i një ndjeshmërie qytetare që kërkon të rikthejë në qendër të vëmendjes vlerat më të thjeshta, por më të çmuara të shoqërisë, mirësinë, empatinë dhe respektin për sakrificën njerëzore. Një buqetë lulesh e dhuruar në rrugë, një buzëqeshje e ndalur për një çast, një fjalë e mirë, këto janë shpesh shenjat më të pastra të një qytetërimi që di të shohë dhe të nderojë dinjitetin e njeriut.
Në këtë kuptim, veprimi i të rinjve të “Eko Mendje” shndërrohet në një shembull të bukur të asaj se si brezi i ri mund të ndërtojë ura mes traditës dhe ndjeshmërisë moderne. Ata nuk e kufizojnë rolin e tyre vetëm në aktivitete simbolike, por përmes veprimeve konkrete po përpiqen të kultivojnë një kulturë solidariteti dhe përkujdesjeje për më të brishtët.

Ky gjest i vogël, i mbirë në rrugët e Shkodrës, është në të vërtetë një mesazh i madh për shoqërinë, se respekti për nënën nuk duhet të mbetet vetëm një ritual i përvitshëm, por një ndjenjë e përhershme që shoqëron jetën tonë të përditshme. Sepse në figurën e saj përmblidhen jo vetëm dashuria dhe sakrifica, por edhe forca morale mbi të cilën ngrihet vetë shoqëria.
Në fund, ajo tufë lulesh e dhuruar sot nuk ishte thjesht një shenjë feste. Ishte një përkulje me mirënjohje dhe respekt përpara madhështisë së nënës, një gjest që i rikujton qytetit dhe shoqërisë se mirënjohja, kur vjen nga zemra e të rinjve, ka fuqinë të mbjellë shpresë për një të ardhme më humane, më të ndjeshme dhe më të drejtë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?