Vepra e një personaliteti të shkencës shqiptare
Nga Prof. dr. Valter MEMISHA*
Universiteti “F. Noli”, na mblodhi përsëri e në këtë rast për një veprimtari promovuese. Sa kanë dalë nga shtëpia botuese tri vëllimet e fundit të serisë 5-vëllimshme me artikuj e studime të akademiku J. Thomai, botim i posaçëm i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Akademia e Studimeve Albanologjike. Dhe, kur i thonë fjalës, pa u tharë ende boja e shtypjes, Korҫa e dijes, e menҫurisë dhe e bujarisë ҫel rrugën e paraqitjes së tyre në mjediset shkencore universitare.
Zonja dhe zotërinj të nderuar, akademiku Jani Thomai shenjohet si një nga personalitetet më të spikatura shkencore të botës shqiptare dhe hyn në kategorinë e atyre njerëzve që, falë veprimtarisë së çmuar dhe kontributit në vite, zënë vend të pazëvendësueshëm në albanologji. Puna e shkencëtarit të talentuar e prodhimtar, e studiuesit të palodhur e të suksesshëm, e njeriut me kulturë të shumanshme, është e lidhur për disa dhjetëvjeçarë me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ai ka punuar përkrah personaliteteve më në zë të shkencave gjuhësore, me akademikët Eqrem Çabej, Mahir Domi, Androkli Kostallari dhe me dijetarë të tjerë, duke peshuar rëndë në fytyrësimin e punës së Institutit dhe të gjuhësisë shqiptare.
Emri i këtij gjuhëtari është i lidhur dhe identifikohet me vetë leksikologjinë, frazeologjinë, semantikën leksikore e leksikografinë shqipe, sidomos të shqipes standarde. Kjo lidhje shpërfaqet komplekse dhe shumëplanëshe. Ai ka dhënë ndihmesë të merituar në formimin, konsolidimin e rritjen e këtyre fushave, duke u rritur, vepër pas vepre, edhe vetë si studiues i formuar.
Së pari, Jani Thomai bën pjesë në grupin e mjeshtërve të fjalës shqipe të lidhur përjetësisht me leksikografinë e sotme, duke punuar përkrah personaliteteve më të spikatura të leksikografisë sonë njëgjuhëshe Ai është bashkëhartues, kryeredaktor ose bashkëredaktor në të gjitha veprat normative të kësaj leksikografie, si: Fjalor i gjuhës së sotme shqipe,; Fjalor i shqipes së sotme; Fjalor i gjuhës shqipe; Fjalor i vogël i gjuhës shqipe (i përfunduar nëvitn 2011dhe i pabotuar ende), Për pastërtinë e gjuhës shqipe. Ai është hartues i të parit fjalor frazeologjik të gjuhës shqipes, është bashkëhartues e kryeredaktor i Fjalor frazeologjik ballkanik; bashkëhartues e kryeredaktor i Fjalorit sinonimik të gjuhës shqipe etj. Të gjitha proceset për hartimin e veprave të tilla me funksione të shumëfishta kanë njohur dorën e leksikografit e të profesionistit, të shkencëtarit e të njeriut fjalëpak e punëshumë. Si kryeredaktor, bashkëredaktor dhe drejtues i punës leksikografike, ai ka dhënë ndihmesë të madhe në redaktimin e njësimin e punës së hartuesve. Kjo punë, shpërfaqet si kompetencë, përgjegjësi, aftësi, profesionalizëm, këmbëngulje, krijueshmëri, sukses.
Jani Thomai ka qenë drejtues i disa projekteve kombëtare leksikografike dhe platformat e përgatitura prej tij janë shkencërisht të një niveli të lartë. Ato mishërojnë vazhdimësinë e punës e të përvojës së krijuar, si dhe një shkallë të re sasiore e cilësore në hartimin e fjalorëve.
Theksojmë se tek akademiku i nderuar janë ndërthur pandashëm puna hartuese me atë studimore, një tjetër vlerë shumë e spikatur e personalitetit të tij shkencor. Në veprën e tij shpërfaqen dijet e sakta e metodologjia bashkëkohore e studimit, produkti shumëvalencësh dhe rrugët e realizimit, shpërfaqet vetë identifikimi kombëtar përmes gjuhës shqipe. Ai mbetet, tani për tani, leksikologu me studime më të shumta monografike me vepra si : Çështje të frazeologjisë në gjuhën shqipe; Prejardhja kuptimore në gjuhën shqipe; Leksiku dialektor e krahinor në gjuhën shqipe; Veçori leksiko-semantike të ndajfoljeve me prapashtesa në gjuhën shqipe, 2004 etj., përmbledhja me artikuj Teksti dhe gjuha etj. Këto vepra që janë sinteza e përgjithësime të veprimtarisë krijuese shkencore për fjalën shqipe, i kanë shërbyer rritjes së nivelit të studimeve tona leksiko-semantike.
Jani Thomai ka marrë pjesë, ka referuar dhe ka kumtuar në dhjetëra veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare, brenda e jashtë vendit. Ai është autor i mbi 120 artikujve me nivel të lartë shkencor, në shqip, frëngjisht e anglisht, botuar në revista shkencore brenda e jashtë vendit, duke ndihmuar nëpërmjet tyre në prezantimin në botën shkencore të nivelit të ngritur të gjuhësisë shqiptare.
Ndihmesa e akademiku shfaqet gjithashtu, në pasurimin e Kartotekës së leksikut të shqipes, dhe në dhjetëra ekspedita leksikologjike në terren në Shqipëri e Kosovë.
Akademik Jani Thomai, për shumë vjet drejtues i Departamentit të leksikologjisë dhe terminologjisë, ka merita të veçanta për organizimin e kërkimit shkencor, për ideimin e zbatimin e shumë projekteve hartuese e studimore dhe për punën e jashtëzakonshme në dobi të shkencës. Ai ka qenë organizator e drejtues i disa konferencave shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Aftësi organizative akademiku i nderuar shpalosi kur punoi për disa vjet edhe si sekretar shkencor i Seksionit të shkencave shoqërore dhe më pas si Sekretar i përgjithshëm shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai ka qenë anëtar e bashkëkryetar i Këshillit ndërakademik për gjuhën shqipe, si dhe është anëtar i Shoqatës Evropiane të Leksikografëve.
Emri dhe veprimtaria shkencore e prof. Jani Thomait, delegat i Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1972), është e lidhur edhe me problemet e formimit të fjalëve, të drejtshkrimit e të kulturës së gjuhës. Ai ka shumë studime të veçanta për kodifikimin e standardizimin e shqipes apo punime në mbrojtjen, pastërtinë e pasurimin e kësaj shqipeje
Me kontributin e vet shkencor akademiku i ka shërbyer edhe mbarëvajtjes së revistave Studime filologjike e Gjuha jonë, si anëtar i redaksive të tyre, e me artikuj të botuar në to, ka bashkëpunuar me organet e tjera të specializuara, si Studia Albanica ose me revista në Kosovë, si Gjurmime albanologjike, Gjuha shqipe, etj..
Veprimtaria shkencore e akademike e prof, Jani Thomai është e pandashme nga ajo mësimdhënëse në shkollat e larta. Ai është autor tekstesh universitare (Leksikologjia e gjuhës shqipe, Semantikë leksikore, Ligjërata pasuniversitare etj.), i programeve të studimeve universitare e pasuniversitare për leksikologjinë e semantikën leksikore. Ai ka dhënë ligjërata për programe universitare e pasuniversitare në Universitetin e Tiranës, të Korçës, të Gjirokastrës, të Prishtinës etj.
Për prof. Jani Thomain mund të thuhet se nuk punoi e nuk punon vetëm për vete, por edhe për të tjerë. Ai ka udhëhequr dhjetëra tema diplomash, punime mikrotezash për master e teza doktoratash. Janë shumë studiues, punonjës shkencorë, pedagogë etj., të cilët, në hapat e tyre të parë në shkencë e në afirmimin e tyre të mëtejshëm, e kanë ndier drejtpërdrejt dhe nga afër ndihmën, kujdesin e drejtimin e tij shkencor.
Akademik Jani Thomai mbetet vizionar në shkencë. Në të gjithë produktin shkencor dhe në punën e tij të pandërprerë shpaloset jo vetëm një pjesë e së sotmes së shkencave gjuhësore, por edhe e së ardhmes së tyre.
Nisur nga ky kontribut i shquar shkencor i akademikut Jani Thomai, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë ndërmori botimin në 5 vëllime të studimeve, artikujve shkencorë, kumtesa etj. që kishin dalë nga dora e tij:
Vëllimi I, Leksikologji
Vëllimi II, Frazeologjia gjuhësore
Vëllimi III, Leksikografi
Vëllimi IV, Semantikë leksikore
Vëllimi V, Dialektologji, Shqipja standarde, Kulturë gjuhe, Për personalitete dhe vepra
Në këto vëllime përfshihen materiale të publikuara në revista shkencore brenda e jashtë vendit, si: BUSHT – Seria Shkencat Shoqërore, Studime filologjike, Studia albanica, Gjuha jonë, Revista pedagogjike, Gjurmime albanologjike, Gjuha shqipe etj., ose në përmbledhje studimesh si: Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe, Seminari Ndërkombëtar Albanologjik etj. Në të pesë vëllimet gjen edhe shkrime të pabotuara (Rreth Fjalorit sinonimik të gjuhës shqipe, Për një Fjalor të madh të gjuhës shqipe, Për një Fjalor të vogël të gjuhës shqipe etj.).
Për fat të keq, për shkak të vështirësive për të siguruar materialet, kanë mbetur jashtë këtij botimi disa kumtesa e referate në veprimtari shkencore ndërkombëtare, e disa në konferenca e simpoziume shkencore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.
Për çdo vëllim janë marrë botimet e para të studimeve. Ato ruajnë veçanti në trajtimin e lëndës, në analiza, argumentime e përfundime specifike. Edhe ndonjë përsëritje a rimarrje paragrafësh të veçantë, në fare pak raste, nuk është hequr, kur lidhet me plotërinë e vetëqëndrueshmërinë e studimit, pra, kur është funksionale. Në fare pak artikuj në variante të ndryshme e bëjnë po ashtu funksionale ndonjë rimarrje, gjithsesi sipas rastit, për çështje të vështruara nga anë të ndryshme, të pranuar vetëdijshëm për të ruajtur tërësinë dhe mëvetësinë e punimit.
Disa nga punimet pas një përpunimi e zgjerimi të mëtejshëm të botimit të parë, janë shfrytëzuar më pas në hartimin e pjesëve të monografive, si te Çështje të frazeologjisë së gjuhës shqipe, Prejardhja semantike në gjuhën shqipe dhe Veçori leksiko-semantike të ndajfoljeve me prapashtesa në gjuhën shqipe. Përfshirja e tyre ka synuar që të grupohen bashkë me studimet e tjera të së njëjtës tematikë për të plotësuar sa më shumë sistemin e studimeve të kryera për tematikën e dhënë.
Botimi në vëllime i këtyre studimeve nuk ka synuar të jetë filologjik, por të vërë në dorë të studiuesve, të përmbledhur sipas fushave të studimit, gjithë ç’ka shkruar autori për çështjet në fjalë, pra, vëllimet të shërbejnë si libra pune. Për zgjerimin e dijeve tona dhe për të ndjekur spiralen në ngjitje të mendimit shkencor të autorit në një periudhë krijimtarie prej më shumë se një gjysmë shekulli lënda e këtyre vëllimeve vjen e plotëson botimet në vepra të veçanta të autorit dhe përgjithësisht veprimtarinë e tij shkencore në këto fusha.
Grupimi i studimeve në vëllime është bërë sipas tematikës, kurse renditja e punimeve është bërë sipas kronologjisë së botimit, me dy-tri përjashtime kur vëllimet hapen me punimin më përgjithësues. Kjo jep mundësi të ndiqet edhe rruga e zhvillimit ngjitës të mendimit shkencor të autorit për çështjet e studiuara, plotësimi hap pas hapi i të dhënave, i analizave dhe i përgjithësimeve, evoluimi i gjykimit shkencor, deri edhe tek terminologjia e përdorur në kohë të ndryshme.
Cilësia dhe vlerat teorike e praktike të prodhimit shkencore të Jani Thomait kanë tërhequr vëmendjen edhe të studiuesve të gjuhësisë brenda e jashtë vendit. Për veprat, studimet e artikujt e tij shkencorë janë hartuar monografi, kumtesa e artikuj shkencorë vlerësues nga gjuhëtarë shqiptarë e të huaj, si dhe janë mbajtur dy konferenca shkencore jubilare në Universitetin e Gjirokastrës dhe të Korçës, duke gjallëruar kështu edhe kritikën shkencore. Mbetet detyrë afatshkurtër që edhe këto studime me shumë vlerë të përmblidhen e të botohen në dy vëllime.
Të nderuar të pranishëm, është e gëzueshme që akademiku ynë, në moshën 83-vjeçare nuk resht së punuari në fushën e studimeve, në projekte shkencore e në botime, në pjesëmarrje thuajse rregullisht me kumtesa e referime në konferenca shkencore në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni. Me sa duket vëllimi i gjashtë me artikuj shkencorë do të na mbledhë përsëri e së shpejti.
Duke përfunduar, uroj që botimi i këtyre vëllimeve të jetë një shpërblim moral i çmuar për autorin dhe me vlera të dobishme shkencore për përdoruesit e tyre.
Jetë të gjatë akademikut, faleminderit Universitetit të Korҫës!
*Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë. Fjala e mbajtur në promovimin e veprës së akademikut, Jani Thomai, në universitetin e Korçës “Fan Noli”.