Vermoshi mes historisë dhe bukurisë së natyrës
Tingujt e Lahutës dëshmojnë se Malësia e Madhe nuk ruan vetëm krenarinë e maleve te larta por edhe traditën e të parëve. Nosh Naçaj, është një nga lahutarët e fundit në Shqipëri. 84 vjeçari nga Vermoshi na tregon sesi kjo vegël muzikore u trashëgua tek ai brez pas brezi. “Lahuatën e kam mësuar që në moshën 7-vjeçare. Duke parë babanë, i vogël fillova ta mësoj. Tradita e malësorit gjërat më të bukura ka gjerat folklorike, kombëtare, duhen trashëguar të gjitha. Djemtë e mi e kanë mësuar.”
Vermoshi, fshati i vogël kufitar me Malin e Zi, ruan në fondin e historisë edhe bëmat e Prek Calit. Nga Kulla e tij thuajse s’ka mbetur asgjë, por historinë e Prek Calit, nuk mund të mos e dëgjosh në Vermosh. Nik Perjës ja kanë treguar këtë histori që në fëmijërinë e tij të hershme. Sot 70 vjeç ai e kujton ende me detaje. “Prek Cali ka ruajtur rolin e ruajtjes së tokës shqiptare që ekzistojnë sot kufijtë prej Kelmendit, edhe një pjesë të Malësisë së Madhe prej Zotit edhe prej Prek Calit. Kur është pushkatu Prek Cali, kullën e tij Partia e bëri komandë, tashmë është rrënuar”, tregon Nik Peraj, banor i Vermoshit.
Historitë e motçme dhe bukuritë e rralla natyrore kanë marrë edhe vëmendjen e turistëve të huaj. Thonë se është vendi perfekt për të kaluar kohë në ajër të pastër dhe larg temperaturave të nxehta të verës. Në këtë zonë janë ngritur edhe disa bujtina, me synimin që turistët të qëndrojnë më gjatë në Vermosh. “Shtëpinë ka 45 vite që është ndërtuar nga Gjyshi, tani po e punojmë ne për bujtina”, thotë Zef Peraj, pronar bujtine. Megjithatë turistët nuk janë në bujtinë. Që në orët e para të mëngjesit kanë zgjedhur të shëtisin në pyjet dhe malet pranë fshatit, të rralla nga madhështia dhe bukuria që ofrojnë. /TCH/