Vështrime kritike mbi veprën e Lasgush Poradecit

Nga Glen Hasa –
Në vëzhgimin e veprës poetike të Lasgushit, ne fillojmë me formën, duke mbledhur në këtë fjalë fjalorin,përfytyrimet, rimën, ritmin, fonologjinë dhe stilin përgjithësisht.
Fillojmë me fjalorin:
Fjalët janë mjetet ndërmjetësonjëse për të përshkruar realitetin dhe për të shprehur ndjenjat e mendimet, janë gurët me të cilat ngrihet dhe lartësohet ndërtesa e poezisë. Populli e ka shprehur këtë afrim të gurëve dhe të fjalevë me vargjet: gur-gur bëhet kalaja,- fjalë fjalë bëhen bejtet, ku pasqyrohet fryma e tij analitike e rrallë dhe mundësitë e tij metaforike.
Sa për stilin , ky nuk është përvec se menyra e radhosjes së fjalëve në vargje. Inspiratën poetike e cila zbret si një shkëndijë prej së larti, nga bota transcendentale, Lasgushi e konsideron pikësëpari si një frymëzonjës të fjalës:

Zbret një yll prej lartësije,
Një të ndritur shkrepëtime
Posi flakë e posi hije
Ajo hyn në zemrën time
E kuptoj me shpirt të sosur
Si kullon dalëngadalë
E si fjalës së palosur
Mi hap kinden e një pale…
Përmes fjalorit Lasgushi shquhet haptazi nga gjithë poetët e tjerë të shqipes. Ai ka një fjalor të tijin, një fjalor të cilin dalëngadële do stërvitemi ti themi- lasgushian. Elementët kryesorë të këtij glosari janë fjalët e lashta e të rrala dhe të përdorura përpara tij në literaturën e kultivuar, fjalët e thurura dy a tri bashkë sipas shpirtit të gjuhës shqipe dhe fjalët e reja të nxjerra nga fjalët e vjetra pas harmonisë së shqipes. Përmes kësaj Lasgushi ka përtëritur shqipen dhe i ka dhënë ngjyra të reja, ndricim të ri, e gjallëri të re.
Radhisim këtu më poshtë disa fjalë të lashta dhe të rralla, të këputura nga vepra e L.Poradecit. Disa lule : zambak, junap, jargavan, borzilok.
Ma cik qipallëzën e fjetur
me gishtërinj si prej zambaku,
(“Eja, motër”)

Tungjatjeta! Tungjatjeta! Vend o vend ku cel junapi
(“Zog i qiejve”)

Disa sende të përdorura si përfytyrime poetike: cetele, sumbull, kinder, pah, rruaza, shaqiluar, skister.
Në cetele të kutimit qe dhemkoset pak nga pak
(“ Naim Frasheri”)

Pikon si sumbull engjervi
Kjo fjala jote ti moj ti!
(“Mbretëresha jonë”)

Disa fjalë të tjera: venetike dhe venetiku, përgjëratë, fshehtesirë, brohori, pipelim, ronitur, mardhur, sketerrosur, pikëlore, palcore, isker , fërfëllim, ferfelluar……
Është agim tashi moj mike,
Dhe ja! Se ku dola
Nënë strehë venetike…
(“ Syr i fshehur”)

Sa i përket burimit, disa nga fjalët e lashta të mësipërme të përdorura në glosarin poetik të Lasgushit janë marrë prej këngëve popullore dhe të tjerat prej shkrimeve të vjetra të shqipes. Asnjë nga këto fjalë të thurura në mënyrë analitiko-sintetike nuk mund të përkthehet në një gjuhë të huaj. Ato pasqyrojnë ndjenja e koncepsione krejt shqiptare.
Dy janë rrugët që i mbeten Lasgushit ‘për pasurimin e shqipes me fjalë të reja: huajtja nga gjuhët e tjera, më të zhvilluara, ose punimi i shqipes për të nxjerrë sojesh fjale dhe mjete të reja. Secila nga këto dy rrugë ka rreziqet e saj, sepse përzierjen e shqipes me gjuhë të tjera, nuk e pranon as shpirti, as veshi, dhe sepse fjalët e reja të krijuara prej dikujt mund të rëndojnë kuptimin e shijimin e veprës me artificializmin e tyre.
Kjo gjë nuk e ndaloi Lasgushin të zgjedhë rrugën e krijimit të fjalëve të reja si mjet të pasurimit të fjalorit shqiptar. Fundi i fundit fjalët e krijuara prej Lasgushit rrjedhin prej rrënje shqipe të njohur ose prej bashkimit të dy fjalëve të tjera edhe këto të njohura edhe të gjalla.
Emra
Dhembshuri, dredhëri, zhurmëri, vjershëri, drizeri, përjashtësi, vogëlsi, shkëndijim, shëmbëllim, fërfëllim, mosgjë, shëmbëllesë, ndryshmësi.

Mbiemra
Paqtor, mëngjesar, stërgjyshor, vajzëror, vreror, pareveror,vrerak , vraparak, zemerak, vjeshtarak,i përbujshëm, i potershëm, i përmallshëm, stërmadh, vetëtimtare, shokërishte, miturishte, llambaritës, vetëtitës.
Folje
Dhembshuruar, llaftaruar, dimëruar, dhëndëruar, vrerësuar, skëterruar, kombësuar, shqipëzuar, fermuar, perflakur, përndritur.
Ndajfolje
Dhembshurisht, armiqësisht, stërgjyshërisht, gjeratorisht, tmerrisht, perjetësisht, magjiplotë, kurrëkund, tmerrësisht, vetëtimtar.etj…
Të radhosura në vargje vjershash , disa nga fjalët lasgushiane tingëllojne kësilloj:

E kur pat humbur jet e dherit,
kur syr i lodhur mu përgjum,
në shkëndijim të kandilerit
mi shfaq ylberin e një rruaze…
Fatlum, o shpirt , ti je nër gaze,
dhe nër mjerime je fatlum!
(“Shpirtit”)

Po nga mërgimi zemërak
Të pres me mardhje të më vish
të më rrëfehesh si zambak
nër mijë lule dhembshurisht.
(“Të ritë e viteve të mi”)

Lasgushi eëhtë poeti shqiptar që mendon flet dhe shkruan shqip. E begatshme nga pikëpamja e fjalorit dhe e përfytyrimeve, vjersha e lasgushit shquhet dhe për begatinë e rimës. Në fjalën begati kuptojmë ngjyrat e shumta dhe të papritura të mbarimit të vargjeve. Rima e Lasgushit nuk është një mjet mekanik pa ndonjë lidhje të vërtetë me sulmin e brendshëm a me kuptimin e vjershës, përkundrazi ajo është një zgjatje organike e vargjeve:

Vijnë vashat valle-valle
Gushë-e-gji stolisura,
një pëllumb; një sysorkalle
sec vjen me mbollisura.

Shoqe ju dëgjo-më-ni:
Bëni moj një tog me lule
Dhe ndër to mbulo-më-ni
(“Vallja e luleve”)
Përsa i përket dashurisë L.Poradeci e numëron si një mister, një fshehtësi hyjnore , që zotëron e robëron përgjithmonë krijesat:
Se s’dashuroja as un’ as ti,
po dashuronte dashuria;
Një dashuri – në fshehtësi
M’e fshehur sesa fshehtësia.
(“ Ku shtrohet vala”)
Ndjesia –fshehtësi e dashurisë- ky lirizëm i ëmbël, i hidhur, gaz-e-dhembje-prurës- që rrëmben e zotëron e robëron me pushtet absolut gjithë krijesat e botës, është sipas Lasgushit një ndjesi universale dhe e përjetshme, pa fillim e pa mbarim- në kohë- dhe në horizont- një mall gjithmonë i ri, i cili len nga perendon, fryn e shkon e prap fryn dhe nuk vdes përjetë.
Këtë ndjesi universale dhe të përjetshme që u jep dhe u mban jetën krijesave, dashurinë si faktor të harmonisë qiellore-simbol e shembull të harmonisë tokësore- Lasgushi e përshkruan me një sulm shpirtëror të lumtur në poemën e tij erotiko-kozmogonike “Vallja e yjeve” poemë kjo që mbetet një nga prodhimet më të larta të gjeniut shqiptar.

Yjtë e ndezur si fingjill,
që vërtiten palë-palë,
prej mosgjëje zune fill
plot me jetë-e mall të valë.

Zune fill me dashuri
Që kur bota zu të ngjizet,
pa sikush për shok të ti
përvëlohet edhe ndizet.

Ndizet cas edhe për cas,
e si kurrës’ka të shuar,
pa pushim i vete pas
me një sulm të llaftaruar.

E si kurrë nuk mund
ylli yllin që ta kapë,
rrotull qiejve pa fund
venë-e vijnë-e venë prapë…

Ndjenja e dashurisë në koncepsionin lasgushian shfaqet si gjenerator i krijesës dhe i jetës vetë. Sepse duke marrë fill me dashuri keta yj jetojnë përmes dashurisë që kanë me njëri-tjetrin, sepse dashuri do të thotë afrim dhe përqafim.
Lasgushi shfaqet dhe mbetet një kulm vigan, i cili ka për të zotëruar shumë kohë me hijen e vet literaturën dhe mendimin shqiptar.

Punoi: Glen Hasa

SHKARKO APP