Veszpremy: Skënderbeu, rol kyç në një nga fitoret e Janosh Huniadit

Historiani hungarez Laszlo Veszpremy solli sot në ligjëratën e tij në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike një temë interesante për studiuesit dhe publikun pjesëmarrës, e cila e solli figurën e heroit tonë kombëtar në kontekstin e një roli kyç në një prej fitoreve më të mëdha të Janosh Huniadit, heroit hungarez, traporton atsh.

Historiani hungarez Laszlo Veszpremy në një pronocim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se, “ligjërata e sotme ka të bëjë me zhvillimin e luftërave në Hungari nga fillimi i shek. 14 deri në fillim të shek. të 16. “Gjatë këtyre luftërave spikati figura dhe kontributi i heroit hungarez Janosh Huniadit dhe pikërisht kjo është arsyeja e pjesëmarrjes time në këtë konferencë”, tha ai.

“Figura e Janosh Huniadit mund të krahasohet me atë të heroit tuaj kombëtar Skënderbeut për nga përmasat që mbart. Nuk e di nëse këta dy udhëheqës mund të jenë takuar ndonjëherë personalisht, por ama sipas të dhënave që kemi ata kanë shkëmbyer korrespondencë dhe kanë hartuar plane të përbashkëta strategjike kundër mësymjes së perandorisë Osmane. Madje në një prej fitoreve më të mëdha të Janosh Huniadit, Skënderbeu ka luajtur një rol kyç”, tha historiani Veszpremy.

Ai gjithashtu vijoi se, “nga pikëpamja hungareze, Skënderbeu ështe i rëndësishëm për kontributin e tij të padiskutueshëm në ekspeditën e 1440-1443 në territorin e Bullgarisë së sotme, por nga ana tjetër sukseset dhe strategjitë e tij na ndihmojnë për të kuptuar dhe njohur jetën personale dhe sukseset e heroit tonë hungarez dhe anasjelltas karrierën e heroit tuaj legjendar i cili mund të krahasohet me personalitete botërore”.

Në fund ai tha se, “mendoj se kjo konference është e rëndësishme sepse në Hungari është e vështirë të sigurosh akses në literaturën që flet për luftëra dhe kohën e Skënderbeut, madje edhe në internet është shumë e  vështirë dhe takime të tilla në nivele akademikësh dhe studiuesish janë një mundësi e mirë për të shkëmbyer ide dhe mendime për këtë periudhë të historisë”, përfundoI historian hungarez Laszlo Veszpremy.

Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka çelur sesionin e dytë të saj, që do të vazhdojë deri më 26 tetor për t’i lënë më pas vendin sesionit të tretë dhe të fundit. Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut do të mbyllet me samitin e madh të diasporës, kur do jetë dhe seksioni i tretë i Konferencës së Albanologjisë. Në këtë muaj (nëntor) do të ketë dhe një sërë veprimtarish të mëdha.

SHKARKO APP