Virion Graçi: Jam veçse fasada e shpirtit tim

Intervistë me poetin dhe shkrimtarin Virion Graçi

Intervistoi: Lavdërim Lita (Faktor.al)

Zoti Virion! Sa jetë jeton poeti në të gjallë të tij? Ku shenjohet kufiri midis heroit lirik dhe atij vetë?

Ndihemi mikluar që më drejtoheni si poet; sa më pak t’imeritojmë disa epitete, aq më shumë gëzohemi kur na i japin. Veprimtaria ime shkrimore si poet, në zhanrin e poezisë ka qenë vetëm 4-5 vjeçare, 1987-90/91, diçka e tillë si shtrirje në kohë. Në këto vite kam shkruar vetëm poezi; prej tyre botova të vetmin libër me poezi deri tani, prej tyre kam botuar e botoj herë pas here, për të shuar kureshtjen e mirë të miqve të mi, që drejtojnë faqe letrare. Besoj se poeti jeton vetëm një jetë, jeta e njeriut; ajo pastaj, me dhjetëra e qindra përjetime të saj, agoni, drama, makthe, fantazmagori, fluturime pindarike, kur materializohet artistikisht, kur shndërrohet në ligjërim poetik, kur figurohet me sukses në shtratin e zhanrit përkatës, bën jetën e saj të pavarur te ata që e lexojnë dhe e përjetojnë. Poezia jeton te secili lexues që e pëlqen atë. Heroi lirik nuk ekziston si diçka më vete, është ligjërimi i brendshëm i autorit, është ajo pjesë e zgjedhur e qenies që arrin t’ua ofrosh të tjerëve si letërsi.

Ai mbani mend poezitë e para dhe sa ndryshojnë ato nga pozitë e fundit?

Rrethanat e krijimit i mbaj mend, sigurisht. Nuk mund të riprodhoj nga mendja shumicën e tyre pa u ngatërruar, por e di çfarë kam bërë, e di. Nuk ka poezi të hershme e të sotme, të fundit. Çdo poezi të cilën me endje ia mërmëris vetes apo ia kujtoj lexuesit duke e postuar diku, është e tashme, e çastit aktual të përjetimit; kurse duke ndjekur kronologjinë e botimeve ka një farë ndryshimi; dikur isha zemërgjerë me to, isha nëna e tyre e dashur, sot, në të tashmen jam babai i rreptë i tyre, ato që nuk më ngacmojnë emocionalisht as mua, i fshij përgjithmonë; nga poet jam bërë redaktor poezie.

 

A besoni te rritja e shpirtit poetik apo ai mbetet një, i dhënë e i pandryshuar?

Mbetet i njëjti, besoj, vazhdon të kultivohet në vijimësi, duke u goditur nga drita e pamëshirshme e fakteve materiale jetësore, por latohet, lëngon, ngazëllehet sipas rastit duke mbetur i njëjti. Dhe në kulmin e pjekurisë a të suksesit letrar ta mendoj veten, vetëm duke u kthyer e qëndruar te shpirti im burimor, i dikurshmi, i vërteti mund të jem vetvetja, dikushi. Pra, unë sot jam fasada buzë rruge e një shpirti, që ka ardhur i plotë në jetë para disa dhjetëvjeçarësh.

Cili është dallimi mes një poezie të botuar dhe një poezie të pabotuar?

Poezia e botuar është si një farë luleje e hedhur në saksi, e kultivuar me sukses, e mbirë, gati t’i gëzojë me ngjyrat e saj ata që do t’i qëndrojnë pranë; poezia e pabotuar është stolí e mbyllur në kutinë e saj të ambalazhit, në xhepin e prodhuesit të saj, asgjë më shumë.

 

A ndryshon ndonjë gjë kur mes poetit dhe poezisë hyn lexuesi?

Poezia është si dashuria, dy gjysma e bëjnë tërësinë; në fillim është poeti dhe poezia e tij e kjo duket krejt bota e plotësuar; kur vjen lexuesi, poeti duhet të tërhiqet, të rrijë mënjanë; dashuria poezi-lexues nuk ka vend për dëshmitarë, kujdestarë apo udhëzues.

Si i përdorni mjetet e lavrimit poetik si rima, metri, rrokjet? Sa të dobishme janë ato?

Kam pasur e kam alergji nga prozodia, nga retorika klasike në poezi; jo vetëm po t’i mendoj kur shkruaj, por dhe po të më dalin rastësisht përpara kur lexoj; mbase poezitë e mia janë proza të sublimuara, nëse mund ta them këtë; parimisht jam për një tekst që e provokon ndjenjën, e nxit atë te lexuesi e jo një poezi rimash e përkujdesjesh metrike që i bën me dije parnasiane lexuesit çfarë vluaka në gjoksin e kokën e poetit.

A ndikoheni nga vërejtjet e lexuesve? Apo vazhdoni me veten tuaj?

Nuk bëj kurrë biseda me lexuesit e mi për të shkëmbyer mendime për poezitë e mia; nëse të gjithë do të pëlqenin çdo poezi timen, do të hiqja dorë nga botimi i tyre, do të më dukej qesharake, pa kuptim, marrëzi kolektive. Mjafton të JESH, po u përpoqe të hedhësh dhe hapin tjetër, pra, të bëhesh i pëlqyeshëm, je pranë një grope të thellë, humbet lartësi.

Si e mendoni sasinë në poezi, ata që shkruajnë dhe botojnë shumë poezi?

Sasia mund të jetë gjendje fëminore e tejzgjatur e autorit, pavarësisht viteve që i varen mbi supe, mund të jetëpasiguri, spekullim, engledisje ose pak nga të gjitha këto; përjashtim bëjnë vetëm të Mëdhenjtë, Poetët Vërtet të Mëdhenj.

Shqipëria mbahet si vend me shumë poetë; nga se buron ky superprodhim?

Mungesë serioziteti, mungon një rend vlerash, foshnjëri kolektive; por dhe paaftësi e njerëzve krijues të rrëfejnë në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e tyre, kohën, shoqërinë, nëpërmjet prozës dhe ngelen te kulla e vogël dy vendëshe e poezisë. Ju konstatoni se kemi shumë poetë për të ma lënë mua barrën e rëndë për përpilimin e një liste me poetë shqiptarë: tepër e shkurtër, gishtat e njërës dorë…

A keni orare fikse që shkruani një sasi faqesh të limituara, apo shkruani pa kufizim?

Asgjë e paracaktuar, asnjë planifikim për shpërndarjen e kohës së shkrimit; kur më stërmundon një mendim, një shprehje, një figurë apo fati i mëtejshëm i një historie nxitoj ta shkruaj dhe vazhdoj të qëndroj me të, duke shkruar për aq sa ajo qëndron me mua, d.m.th., nuk matet me orë, faqe apo afate, është krejtësisht proces spontan, çlirim i fuqishëm mendor, psikologjik, shpirtëror.

Sa vepra keni botuar deri tani dhe a e keni shkruar ende librin më të rëndësishëm?

“San Valentino” poezi, 1993; dhe romanet: “Të çmendur në parajsë,” 1995; “Bijtë e zotit majmun,” roman satirik, 1999; “Shpata e ndryshkur”,  roman satirik, 1999; “Babai në shi”, 2000; “Zonja pa emër,” 2005; “Babai në shi,”(Ribotim), 2007; “Litari dhe lamtumira”, roman, 2011; “Stina e Hijeve”, roman, 2014; “Autobiografizmi dhe romani,” studim krahasues, 2015; “Djali memec,” roman, 2016.

Nuk mund të parashikoj cili mund të jetë libri im më i rëndësishëm pasi janë dy kritere; më i dashuri për mua si autor dhe ai që mund të jetë posaçërisht i  rëndësishëm për lexuesit. E rëndësishme për mua është se asnjëri nga librat e deritashëm nuk i nënkupton të tjerët në kuptimin që i zëvendëson ata, i bën ata të panevojshëm duke u bërë ai përfaqësues i vetëm i asaj çfarë unë kam dashur të rrëfej.

 

Prozat tuaja shquhen për ironinë therëse, groteskun si dhe për ndjeshmërinë lirike humane; nga ju burojnë?

Duke perifrazuar Balzak, mund t’i lejojmë vetes të ndihemi si sekretarë gjyqi; shoqëria, koha, jeta e përditshme na i dikton personazhet, historitë, ngjyresat komike, tragjike, elegjiake, groteske apo lirike; kjo lëndë e parë që vjen e papërpunuar nga jeta shndërrohet në art, në kategori të ndryshme estetike për të cilat autori nuk është as fajtor as arbitrar; autori është njëfarë pasoje, një membranë e ndjeshme, në të cilën vizatohen e gdhenden përplasjet e tij me realitetin e shumëdimensional shoqëror-historik.

Si mendoni, poezia dhe proza juaj, a iu kanë bërë juve më të mirë apo lexuesin?

Të dyja, poezia e proza janë prova të ekzistencës sime, më shumë romanet, jo vetëm pse janë angazhimi im bazik, por sepse mishërojnë më shumë, ndoshta kanë më tepër domethënie, mendim, dritë. Ndikimi është i pritshëm te lexuesi, atyre u ofrohet diçka e re, e panjohur në rastin fatlum të një krijimtarie origjinale e me vlera të mirëfillta.

Ju faleminderit dhe suksese!

Marrë nga Faktor.al

SHKARKO APP