Viti 1898, Salih kopili, nga “Ramazanske večeri”i Branisllav Nushiq (1864 – 1932)
Ylvije hanëmja vazhdonte të kujdesej për bukën dhe shtëpinë e saj. Punonte ditë e natë dhe më fund ajo arriti që ta përgatiste të birin Salihun për mejtep. Atë e përgatiti mirë, qitabi i tij ishte gjithnjë i mbështjellë në çevre, qesja ku e vendoste pak bukë dhe një copë djathë ishte gjithmonë e mbështjellë me pambuk të pastër dhe e stolisur me merxhane. Me çfarë vullneti e përcolli ajo të birin dhe me çfarë dhembje e priti kur një ditë Salihu u kthye në shtëpi dhe iu ankua asaj: “Nënë, pse shokët po më quajnë kopil?” Ajo e dinte dhe kishte dëgjuar mirë se çfarë fliste bota për të
Kanë kaluar njëzet vjet, kur një ditë, në mes të mëhallës sonë në sokakun e epërm, ndaloi një qerre e mbuluar dhe prej aty doli një grua me një fëmijë në krah. Duke shikuar herë andej e herë këndej dhe duke iu drejtuar Shehabedin efendiut, hoxhës, i cili në ato çaste kaloi andejpari; gruaja tha se ajo ishte jabanxhi, dhe se nuk e kishte asnjë të njohur në këtë kasaba; tha se është e varfër, e ve dhe dëshiron të vendosej këtu, prandaj i kërkoi hoxhës, që për sevap t’i thoshte se ku mund të shkonte ta kalonte natën. Hoxhë efendiu iu përgjigj menjëherë:
– Hanëme shtëpia ime është e hapur për ju. Ejani pas meje, por edhe qerrja mund të ju përcjellë.
– Ejvallah! – tha e veja. – Allahu ju shpërbleftë! Por, them se deri sa të vijë nata ka akoma kohë; dhe ajo që mund të kryhet sot pse të lihet për të nesërmen! Shehu le të ulet në qerre, por do të ishte shumë më mirë nëse ju e dini ndonjë shtëpi të vogël, të zbrazët që mund ta bëjë pazar menjëherë!
Shehabedin efendiu, u soll herë andej e herë këndej. Iu kujtua se te Suphi aga ishte një shtëpi e vogël, kështu i ndjekur nga gruaja e ve u nis për atje dhe pas tyre shkonte qerrja e mbuluar, ku ndodhej shtroja dhe mbuloja. Por, ja që Suphi aga nuk qëlloi aty por në ndërkohë ai e kishte dhënë edhe shtëpinë.
Ndërsa fëmijët e mëhallës nuk u duruan pa u mbledhur rreth turmës së njerëzve dhe disa prej tyre i thanë;
Shehabedin efendiut për një shtëpi që ndodhej aty pranë urës së vogël, poshtë nën tabakhane. Ata e kthyen qerren dhe me të vërtetë, u gjet një shtëpi e zbrazët dhe e vogël, që ishte shumë e qëlluar për gruan e ve.
Shehabedin efendiu u mor vesh që qiraja të paguhej 140 grosh në vit, ndërsa gruaja e ve e pagoi menjëherë qiranë për një vit.
Kështu pasi ndaloi qerrja, nisi shkarkimi i gjësendeve, ndërsa gruaja e ve i vendosi ato ashtu siç mundi, sa të kalonte nata e parë. Me t’u vendosur aty, njëri nga komshinjtë ia solli një barrë me dru, një tjetër i solli qymyr, ndërsa Shehabedin efendiu ia dërgoi katër pjata me gjellë.
Në këtë mënyrë erdhi në mëhallën dhe kasabanë tonë, Ylvije hanëmja dhe prej atëherë ajo ndodhet në shtëpinë te ura e vogël, nën tabakhane. Ajo është punëtore, e pastër e mirë dhe e ndershme. Punon që nga mëngjesi deri në mbrëmje, por edhe atëherë kur i bën punët e huaja, ia vlen që ato të shihen.
Ajo thur, qëndis dhe nëse i hapni arkat e hanëmes aty do të gjeni gjithçka prej çevreve, bohçeve, uçkurëve, pra të gjitha ato i kanë punuar duart e Ylvije hanëmes. Dhe ato punëdore kanë mjaftuar që ajo të ushqente veten dhe të birin e saj. Në fillim Ylvije hanëmja mori ndihmë atje e këtu, por ajo nuk e shqetësoi askënd apo ta zëmë të kërkojë lëmoshë, ta lusë dikë apo të hyjë borxh te dikush.
Shtëpia e saj gjithnjë është e pastër dhe e rregulluar; djali i saj po ashtu është i veshur mirë e me rroba të pastra. Por ajo është e re, kështu flasin të gjithë, dhe nuk është për t’u habitur nëse gjendet dikush që ta kërkojë për grua dhe lëre që vetë do të gjejë kulmin mbi kokë, por do të bëjë edhe sevap se do ta rehatojë një grua të ve.
Kështu, berberi Nuredin Topalli prej kohësh është vejan dhe ai dëshiron të martohet.
Disa i thonë atij për një grua diku, të tjerë për tjetrën, por ai është që ta marrë gruan e ve, jabanixhikën, sepse të gjithë flasin se sa e vyeshme është ajo. Motra e Nuredin Topallit, Umi hanëmja njëherë shkoi makzus te Ylvije hanëmja, për ta porositur një çevre, por edhe njëherësh për ta parë atë dhe shtëpinë, dhe me të kthyer i tha Topallit:
– Ose do ta marrësh atë ose asnjë tjetër!
– Mirë! – tha Topalli dhe shkoi te fqinji Vasfi aga, një mik i mirë i rahmetli babait, me qëllim që të fliste, pasi në këso raste është mirë të dëgjohet edhe fjala e plakut.
Vasfi-aga e këshilloi atë të martohej, por në lidhje me Ylvije hanëmen e porositi Nuredin Topallin:
– Ajo është grua e mirë, flitet mirë për të gjithandej, por është më mirë që të pyesësh, kush është, nga është, a ka kënd të vetin diku ajo? Ajo grua këtu është jabanxhi, ja tani kanë kaluar tre vjet që ajo është vendosur këtu dhe askush nuk e di se kush është dhe çfarë fshihet në të?
Nuredin Topalli u mendua dhe tha: “Ashtu është!”, ndërsa së motrës Umi hanëmes i tha se do të ishte më mirë që:
– Të pyesim së pari, kush dhe çfarë është ajo grua dhe kë e ka prej familjarëve?
Atëherë, Umi hanëmja e mori përsipër të pyeste gjithandej dhe mori vesh se Ylvije hanëmja ishte akoma vajzë dhe pasi e kishte lindur të birin, të afërmit e saj e kishin përzënë prej shtëpisë!
Ajo vinte nga një familje e mirë dhe e ndershme, por familjarët e saj as që dëshironin të dëgjonin më për të – tha Umi hanëmeja.
Kush mund ta dijë se kush e solli këtë haber në kasaba? Disa besonin, të tjerët jo, por dertin më të madhe e kishte Nuredin Topalli, pasi ajo i pëlqente shumë.
Pas fjalëve të fundit edhe ai e mbijetoi merakun dhe hoqi dorë, ndonëse nëpër hareme njerëzit akoma flisnin dhe pyesnin për Ylvije hanëmen.
Vetëm më vonë u mor vesh se ajo e kishte nënën, dy motra dhe tre vëllezër të vegjël; dhe ata nuk e kishin përzënë prej shtëpisë por ajo ishte larguar vetë prej turpit; më pastaj u tha se familjarët i kishin bërë ftesë që të kthehej në shtëpi por ajo kishte refuzuar dhe çfarë nuk u tha tjetër e çfarë nuk do të dëgjohet akoma në lidhje me Ylvije hanëmen. Dihet se kështu ka qenë gjithmonë kur fjala e keqe e merr dhenë!
Ndërsa Ylvije hanëmja vazhdonte të kujdesej për bukën dhe shtëpinë e saj. Punonte ditë e natë dhe më fund ajo arriti që ta përgatiste të birin Salihun për mejtep. Atë e përgatiti mirë, qitabi i tij ishte gjithnjë i mbështjellë në çevre, qesja ku e vendoste pak bukë dhe një copë djathë ishte gjithmonë e mbështjellë me pambuk të pastër dhe e stolisur me merxhane. Me çfarë vullneti e përcolli ajo të birin dhe me çfarë dhembje e priti kur një ditë Salihu u kthye në shtëpi dhe iu ankua asaj: “Nënë, pse shokët po më quajnë kopil?”
Ajo e dinte dhe kishte dëgjuar mirë se çfarë fliste bota për të; qau por edhe duroi; kishte bërë turp, prandaj edhe duhej të vuante, por të paktën lutej që t’ia linin të qetë të birin.
Më pastaj ajo shkoi të kërkojë ndihmë të hoxhallarët dhe kur e pa as askush nuk e ndihmoi, atëherë iu drejtua Shehabedin efendiut i cili iu gjet i pari kur kësmeti e kishte sjellë në këtë kasaba; kështu ajo lutej në radhë që shokët e shkollës mos t’ia kërcënonin të birin. Por kush mundej t’ua mbyllte gojën fëmijëve!
Koha kalonte ngadalë dhe në heshtje; Ylvije hanëmja vuante shumë, por të keqes nuk i shihej fundi.
Salihu u rrit pak dhe filloi të kuptonte se çfarë do të thoshte kopil dhe pastaj vuajtjet dhe e keqja nuk kishin fund. Nuk kaloi një ditë apo dy kur ai u kthye i gjakosur prej shkolle, i gërvishtur, pa fes në kokë, pa qitap. Pothuajse se çdo ditë ai rrihej me shokë.
– Vaj halli çfarë ndodhi përsëri? – e gjora Ylvije hanëmja po përpëlitej, ndërsa Salihu heshtte dhe të nesërmen vazhdonte të përsëritej e njëjta situatë.
Kështu sot, ashtu nesër, dhe një ditë Salihu erdhi i tëri i gjakosur!
Dikush e kishte goditur me gur në ballë, ndërsa gjaku i rridhte faqeve.
Kur Ylvije hanëmja gjynahqarja e pa të gjakosur të birin klithi, shpejt e shpejt e vendosi mbi minder dhe e solli legenin me ujë, ia pastroi dhe ia lidhi plagën të birit duke ia lyer me melheme. E çara në kokë kishte ardhur pasi Salihun e kishin quajtur prapë kopil dhe ai i kishte sulmuar ata që e kishin fyer, pra kështu kishte nisur gjakderdhja!
Dhe pas disa ditësh kur i biri e mori veten, Ylvije hanëmja nuk e lejoi që ai më të shkonte në shkollë.
Asgjë! Më mirë le të qëndrojë me mua këtu! Por ruana Zot, as Salihu nuk ishte më ai fëmija i mëparshëm, Sytë i kishte të vrenjtur, dhe shihej qartë se si i rritej dora e rëndë.
Ai u bë një vrasës, dhe gjithnjë i gatshëm të rrihej, u bë një i papunë dhe e lere që nuk prekte asgjë me dorë, por endej poshtë-lart prej një cepi në cepin tjetër, prej një mëhalle në tjetrën. Kështu, një ditë Salihu e futi thikën në brez dhe shkoi në qoshe para mejtepit dhe kur fëmijët dilnin jashtë, atëherë ai me padurim priste mos vallë dikush ta fyente. Por ata tashmë kishin frikë prej tij dhe as buzët nuk i lëviznin, dhe gjithçka rreth tij ishte qetë. Mirëpo, Salihu ishte i gatshëm ta sulmonte edhe ndonjë burrë nëse ai e fyente duke e quajtur kopil.
Ashtu vit pas viti ai nuk prekte punë me dorë. Tashmë është djalë i ri dhe ka nisur të shkojë në kafene, ose shkon nëpër mejhane ku luan bixhoz, apo nëpër bahçe, luan tavëll, apo bredh kot duke shkuar nëpër mëhallë duke u endur së koti.
Dhe pastaj, kush janë shokët e tij: Xhemili i Zekës, i cili ka qenë në burg tre vjet atëherë kur e theri njeriun në Kurban Bajram, Rrustë Çollaku kaçaku i parë, më pastaj Rama dhe të gjithë beqarë të tillë dhe njerëz më të këqij nuk mund të gjenden në kasaba. Dhe Salihu me ta është në fushë e në qytet, me ta nëpër mëhallë, me ta nëpër mejhane. Ka ndodhur shumë herë dhe ai nuk është kthyer fare në shtëpi, bile nganjëherë edhe nga dy – tri net.
Por, megjithatë ai kujdeset për nënë Ylvije hanëmen dhe me të gjithçka është e bukur dhe e ëmbël. Sa herë që ajo i thotë se është gabim, se i biri e ka zbritur veten kaq poshtë; se nuk është mirë se çfarë po bën kështu, po duhet ta gjejë rrugën e drejtë dhe nëse ka ndonjë rrugëdalje duhet të mendojë për shtëpinë, ai nuk ia kthen fjalën asaj. Vetëm njëherë, kur Ylvije hanëmja i tha diçka të shëmtuar për shokët, ai e sulmoi të ëmën duke i bërtitur dhe e ngrata e mbylli gojën pasi nuk kishte çfarë të bënte!
Dhe kur dikush është i pavyeshëm, ai edhe sherrin e gjen lehtë. Kështu një herë para akshamit, Salihu me shokët e tij të gjithë beqarë, kishin dalë te livadhet nën vreshtat, më saktë te Ura e Sulltanit. Aty ishin Xhemili i Zekës, Çollaku, Rama, Rrusta dhe të gjithë të tillë e të njëjtë me shoqi shoqin. Ata ishin ulur nën hijen e një bagremi, bënin muhabet dhe po pinin duhan. Fjalë pas fjalë dhe kështu plasi grindja rreth diçkafi.
Dhe është e lehtë për beqarët të grinden mes vete; athua kur mund të jetë muhabeti i tyre i zakonshëm? Ata ose do të flasin për ndonjë jevgje, ose për çoçek, për ndonjë dylber, pra tema të tilla ku shumë lehtë arrihet te grindja. Dhe tashmë kur kishte krisur belaja nuk ishte e rrugës që Salihu të mos ishte i pari aty! Po gjithçka mori zjarr shumë shpejt, për asgjë vetëm për një “bre”.
Xhemili i Zekës siç edhe pritej prej tij, i tha Salihut:
– Ti bre, Salih, s’z! (mbylle)
– Kush s’z?! Kujt po i thua?! Qafir bre – shpërtheu Salihu.
– S’z! – bërtiti Xhemili ndërsa duart filluan t’i dridheshin dhe një zjarrmi ia pushtoi edhe sytë:
Salihu të më quaj qafir! Salih kopili?!
Dhe në këtë grindje më tej asgjë nuk mund të merrte fund me kaq. Kishin kaluar kaq shumë vite dhe Salihut askush nuk ia kishte përmendur fjalën kopil, dhe tani ashtu po e thërriste Xhemili i Zekës edhe atë para shokëve. Salihu nisi të bërtasë sikur të ishte plagosur, gjaku iu tërhoq në sy, sa hap e mbyll sytë ai e nxori thikën prej brezit dhe u turr mbi Zekën si egërsirë e tërbuar. Por, të gjithë kërcyen duke e mbajtur herë Zekën e herë Salihun.
– Lëre, largohu! – bërtiti Salihu, duke e kafshuar buzën nga inati dhe tani gjaku i rridhte nën mjekër.
Por, ata nuk e lëshuan Salihun. Ia hoqën thikën prej dore, ndërsa ai u shkëput prej tyre dhe si një tigër, me tri kërcime, zbriti nga kodrina mbi urë duke arritur me vrap në shtëpi.
– Ia mbathi gruaja! – bërtiti Xhemili i Zekës.
– Për Zotin, nuk ia mbathi – tha Çollaku – por shkoi ta marrë martinën. Xhemil, largohu para se të krisë bela edhe më e madhe se kjo.
– Unë të fshihem?! – pyeti Xhemili duke e vendosur shuplakën e dorës në gjoks.
Deri sa atje lart ishte kështu, Salihu nëpër Urën e Sulltanit, nëpër Mëhallë të Romëve, më pastaj poshtë përroit në tabakhane mbërrini në shtëpi dhe me aq fuqi sa kishte i ra derës me këmbë. Hyri në avlli më pastaj drejt në dhomë dhe e rrëmbeu martinën prej muri, që ishte e varur lart dyshekut të tij.
M’u në derë, prej diku mbiu Ylvije hanëmja dhe nisi t’i shohë sytë e përgjakur të të birit me martinën në dorë! Duke i hapur krahët ajo bërtiti me aq fuqi sa pati:
Çfarë ka ndodhur biri im! Çfarë dhe ku je nisur kështu?!…
Salihu duke u dridhur thuajse u gozhdua në prag të derës. Atë e dogji diçka e tmerrshme në shpirt e në fytyrë dhe e ndjeu këtë sidomos në çastin kur u ballafaqua sy më sy me të ëmën. Në atë moment e ëma iu duk Salihut shumë e shëmtuar, e neveritshme, e zezë; ajo ishte shkaku i kësaj belaje; ajo ishte shkaku i turpit të tij, ajo ishte fajtore për gjithçka… dhe përnjëherë një terr i rëndë i ra syve, ndërsa vetë dora ia drejtoi së ëmës tytën e martinën dhe sa hap e mbyll sytë Ylvije hanëmeja u shtri gjerë e gjatë në tokë, ndërsa gjaku gufoi nga zemra e saj.
– Ja ku po shkoj! – bërtiti Salihu. Dua ta laj turpin tënd, kështu që… e lava!… – më pastaj e hodhi martinën larg vetes dhe i rraskapitur u ul në pragun e shtëpisë duke mos dashur që ta kthente kokën që ta shihte të ëmën që po përpëlitej në çastet e fundit të jetës.
Por, Ylvije hanëmja e mblodhi pak forcë, u ngrit në bërryla dhe në heshtje, me një zë të lodhur dhe të penduar, duke e shikuar Salihun, fëmijën e saj, të vetmin djalë më në fund pëshpëriti:
– Salih… më fal… dhe falë të qoftë edhe ty!..
Ajo më nuk mundi të lëvizte, por sytë e saj e thërrisnin, i luteshin, i përgjëroheshin që ai t’i afrohej që ajo ta puthte edhe një herë. Ndërsa Salihu e kishte mbuluar fytyrën me të dyja duart, dhe nuk kishte guxim t’i ngrinte sytë lart… Në ato çaste, në sokak prej së largu u dëgjua një zhurmë. Salihu e ngriti kokën, i curroi veshët dhe pëshpëriti në vete:
– Zaptitë janë duke ardhur këtu!…
– Ai prapë e futi kokën mes duarve dhe e mbylli gojën…
(Serez, 1898)
Ky tregim është pjesë e librit “Ramazanske večeri” të cilin Branisllav Nushiq (1864 – 1932) e shkroi më 1898 gjatë shërbimit të tij diplomatik në Manastir, Serres, Selanik, Shkup e Prishtinë ku qëndroi për dhjetë vjet. Libri ishte botuar më 1922 por siç përshkruhet, “iu fsheh lexuesit serb për gati shekull”. Përktheu dhe përgatiti: Skënder Latifi
Koha.net