Viti 1938: Mbresat e etnografëve francezë, në malet e veriut shqiptar

Shumë vite më parë, kur sapo kisha filluar punën si diplomat në ambasadën shqiptare në Paris, një zarf u dorëzua nga një etnografe franceze bashkë me një dorëshkrim: ishin mbresat e saj gjatë një udhëtimi në malet e veriut shqiptar bashkë me të shoqin, edhe ai etnograf, në vitin 1938. Padyshim që më bëri përshtypje ky dorëshkrim i shtypur me një makinë shkrimi nga vet zonja Jacqueline Benezech, e cila kishte qenë një mike e vjetër e ambasadës, meqë një histori e veçantë e kishte mbajtur të lidhur me Shqipërinë. Pikërisht në malet e Vermoshit, ajo ishte bërë nune e një foshnje shqiptare, Pashkës së vogël, të cilës në mënyrë ceremoniale i kishte prerë flokët, fëmijë të cilën nuk do ta shikonte më pas atij udhëtimi. Histori interesante për të cilën do të shkruaja diçka dhe në shtypin shqiptar si dhe një kapitull në librin tim të botuar në Paris “Pont entre deux Rives” (Ura mes dy brigjeve). Këtë dorëshkrim të Benezech e rigjeta përsëri kur u ktheva në ambasadë në vitin 1997 dhe një dëshirë më shtynte ta përktheja, por kjo punë do të zgjaste deri më sot, kur më së fundi u ula dhe e përktheva. Dhe sigurisht, fillova të kërkoj akoma më shumë rreth jetës së dy etnografëve francezë René dhe Jacqueline Benezech.

Luan Rama

René Benezech kishte qenë një personazh mjaft interesant dhe me profesion piktor, i cili gjatë Luftës së Parë Botërore kishte qenë interpret i gjuhës kineze dhe më pas kishte rrahur vendet e Magrebit në Afrikë, veçanërisht në Marok, ku kishte pikturuar shumë tablo dhe konsiderohej si “piktor orientalist”. Në vitin 1929 ai kishte udhëtuar nëpër Ballkan si etnograf dhe në vitin 1938, bashkë me gruan e tij, etnografen e re Jacqueline Benezech, nga Bordeaux, ai ndërmori një mision për “Muzeun e Njeriut” në Paris (“Musée de l’Homme”) për të zbuluar jetën dhe botën shqiptare.

Ndoshta ishte misioni i parë i etnografëve perëndimorë të ardhur me një mision të caktuar. Në vitet ’90, kisha parë në fondet për Ballkanin të “Musée de l’Homme” dhe një koleksion objektesh etnografike për Shqipërinë, disa të dhuruara nga senatori Justin Godart, para se ai të vdiste e po kështu dhe koleksionin e pasur të çiftit francez Benezech, që i ishte dhuruar muzeut. Për më tepër aty ruhej edhe regjistrimi i emisioneve të tyre në “Radio-France” pas kthimit të tyre nga Shqipëria (1939) ku të intervistuar nga gazetarët francezë ata tregonin për eksperiencën e tyre shqiptare dhe jetën tradicionale në Shqipëri, pasurinë e kostumeve, zakonet, punimi i qelesheve, zbukurimi i armëve, historitë rreth Kanunit, etj, e ku mbi gjithçka shprehej një simpati e madhe për shqiptarët:

“…Sigurisht vështirë të imagjinoja kostum më hijerëndë dhe njëkohësisht më të jashtëzakonshëm nga bukuria dhe me një prerje aq mjeshtërore, çka e bën xhubletën një përjashtim midis kostumeve më të habitshme fshatare ku gjithçka duket se qëndron në valëzimin e ngjyrave. Prerja e kostumeve popullore shqiptare çka është një nga konstatimet që më ka bërë më shumë përshtypje, është gjithnjë mjeshtëria e rrallë e punimit të tyre. Kjo të çon gjithnjë drejt krijimeve me një origjinalitet të madh, me silueta veshjesh që nuk e kemi zakon t’i gjejmë diku tjetër. Dhe nuk dyshoj se artistët tanë të modës parisiane do të gjenin aty një burim të madh frymëzimi…“.

René Benezech ishte njëkohësisht dhe fotograf dhe një mori fotografish gjenden sot në “Muzeun Mesdhetar të Natyrës” në Marseille, ku gjenden fotografi, veçanërisht mbi kostumet, tipat malsorë, etj., jo vetëm në veriun shqiptar por dhe në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, çka tregon se një udhëtim të shpejtë ata e kishin bërë edhe drejt jugut, çka dëshmojnë fotografitë e tyre me gratë e veshura me kostumet e Dardhës, Korçës, Elbasanit, kostumet orientale të Shqipërisë së Mesme, etj.

Sigurisht, këto fotografi përbëjnë një pasuri të veçantë të trashëgimisë sonë, ashtu siç janë dhe objektet e ndryshme që ata kanë blerë nëpër Shqipëri si figurina poçerie, kostume si xhubleta, etj., bilbila, vegla e instrumenta muzikore, etj. Në disa fotografi të ekspozitës së parë etnografike të hapur në Paris dhe të inaguruar në fillim të viteve 1960 nga ambasadori shqiptar Kristaq Misha si dhe autoritetet franceze, janë dhe disa fotografi të Jacqueline Benezech, e cila, si një njohëse e hershme e etnografisë shqiptare, u prin gjithë të pranishmëve.

Por, shumë vite do të kalonin dhe në vitin 2004, Jacqueline Benezech vdiq në moshën 97 vjeçare, pa e vizituar më Shqipërinë edhe pse një dëshirë e madhe e mbante të lidhur me atë vend. Sidoqoftë, ky libër, ky dorëshkrim i përkthyer tashmë në shqip, do të jetë një pikëtakim imagjinar i etnografes me malet e veriut shqiptar, udhëtim që fillon në 18 tetor të vitit 1938, ku të shoqëruar nga një interpret, Bonati, dhe dy qeraxhinj kuajsh, ata marrin rrugën drejt qafës së Hanit të Hotit për t’iu drejtuar pastaj lartësive të Tamarës, luginës së Cemit dhe Këlmendit, ashtu si dikur në vitin 1921 dhe gazetarja amerikane Rose Lane apo ajo franceze Paule Fercoq de Leslay më 1936, e cila kishte botuar dhe një reportazh të gjatë për udhëtimin e saj për tetë muaj me rradhë në malet e veriut dhe të jugut shqiptar. Padyshim një udhëtim i rrezikshëm përmes maleve, në rrugë të panjohura dhe në një kohë kur dimri sapo ka filluar, e megjithatë, dëshira për të zbuluar jetën shqiptare ishe më e madhe se frika që mund të rrezikonin në këtë peizazh madhështor, por të rrezikshëm. Ja disa përshkrime nga dorëshkrimi i etnografes franceze Benezech, ku spikat gjithashtu dhe takimi i tyre me Preng Calin e Vermoshit:

E enjte, 20 tetor 1938

U zgjuam në orën 6 të mëngjesit. Gjysma e qiellit ishte në ngjyrën blu dhe pjesa tjetër ishte e ngarkuar me re. Por mjerisht ato ishin nga ajo anë që vinte era, duke e mbytur blunë e qiellit. Papritur u duk se stina ishte shkurtuar në tre muaj. Gjithë mali kishte marrë një pamje të egër. René përgatiti çaj. Bëmë gati bagazhet dhe ç’montuam tendën. Plaku i djeshëm më solli ca fiq të freskët, arra dhe një ftua (këtu ftonjtë janë më pak të athët sesa në Francë dhe i hanë me thikë). Era u ngrit fort dhe bënte ftohtë. Hymë në kishë, ku tre-katër fshatarë me gjunjët në tokë dëgjonin meshën e fratit me mustaqe, me një zë jo aq të fortë. Ishte shërbëtorja që bënte rolin e sakristenit.

Për një çast ajo la cigaren në cepin e dritares. Menduam se me tri paketa cigaresh që të ndaheshin mes fratit dhe shërbyeses mund t’i shpërblenim për atë mikpritje disi të shkurtër, ndërkohë që Bonati ishte i zhgënjyer për makaronat edhe pse kishte kaluar një natë të mirë. Ruante atë qetësinë e tij sikur në mbrëmje nuk do të na sajonte zhgënjime të tjera. U nisëm në orën 8.00. Filluam të besojmë se është thjeshtë një paragjykim i tij. Të gjithë ata që na shoqëronin dukej sikur ishin betuar se do na bënin të pendoheshim në pretendimin tonë që ta caktonim ne orën e nisjes. Por ne i lamë të bënin si të donin, pasi konstatuam se ata nuk e kishin nocionin e kohës, duke imagjinuar çdo mëngjes se atë ditë, nata s’do të binte kurrë dhe kështu të bënim një etapë tjetër tetë orëshe, meqë kishte veçse katër orë ditë, duke u betuar megjithatë, se do të mbërrinim para natës. Rruga e asaj dite ishte veçanërisht e mundimshme, por nuk vonuam ta gjenim lumin e Cemit dhe kështu u ngjitëm drejt burimit.

Kësaj radhe përmes grykash të ngushta dhe vërtet fantastike. Kohë më kohë, për të kaluar nga një shkëmb në tjetrin, kishte një palë shkallë druri, të cilat i ngjisnim me rradhë dhe me kujdes. Nganjëherë i binim shkurt, pa përdorur shkallë, por me një trung të thjeshtë peme, sipër një grope të jashtëzakonshme. Më së fund dolëm nga ajo rrugë gjithnjë e më të vështirë dhe morrëm shtegun në një zonë që me atë barin dhe sipërfaqet e mëdha të dukej se ishe në Zvicër. Para se të arrinim në Jeshnica, qëndruam të pushojmë. Tashmë qielli ishte tërësisht i mbuluar. Frynte erë e fortë dhe i ftohti bëhej i hidhur. Pasi kapërcyem disa gryka rradhazi, arritëm në një qafë, poshtë së cilës shtrihej një luginë e madhe, ajo e Vermoshit. Një xhandar na priste. Deri atëherë xhandarët nuk na shoqëronin. Mesa duket, tashmë do të kishim me vete një xhandar. Donim të dinim se përse kjo? Por kjo ishte njëlloj si për pyetjen mbi armët e zjarrit: ne s’kemi të drejtë ta dimë. Duhet ta pranojmë si një princip të padiskutueshëm se janë gjëra absolutisht të panevojshme por që s’mund ta lemë mënjanë. Por po të këmbëngulim që të mësojmë diçka, kjo do dukej si mungesë takti.

Zbritëm nga shpate të buta në pyllin më të mrekullueshëm prej ahesh e lisash plot gjethe të thata gjithë dritë, një dritë midis degëve dhe poshtë tyre, ku ngjyra e arit dhe e zjarrit përziheshin bashkë me të gjitha nuancat e tyre. René preu gishtin, por nën këshillat e Asllanit, e lau me raki dhe me pak duhan sipër, pastaj e fashoi. Pas një ore, e çara pothuaj u çikatrizua. Më së fundi arritëm fundin e luginës, e cila ishte e pushtuar nga shtrati i gjerë i një lumi prej një apo dy kilometrash. Dukej se ishim në Vermosh.

Dy ditë më parë do thonim se ata talleshin me ne. Por ne filluam të kuptojmë se në Shqipëri, një fshat nganjëherë është i gjatë 12 apo dhe 4 km, por vetëm kur ke udhëtuar gjatë, zbulon së pari se ku gjenden xhandarët dhe “tregëtarët”. Në një fshat shqiptar, shqiptari është një sipërmarrës që kohë më kohë shkon në qytet dhe sjell që andej një numur mallrash që malsorët nuk i prodhojnë ata vetë dhe që pa të cilat s’mund të bëjnë: kafe, sheqer, sapun, oriz, duhan i hollë, nganjëherë qirinj, pe i bardhë, gjilpëra.

Mbrëmja erdhi shpejt dhe dielli prej shumë kohësh ishte larguar pas maleve të larta që rrethonin luginat. Bonati as që kërkonte mendimin tonë, pasi sigurisht ne do kishim kërkuar të vazhdonim deri tek kulla e Preng Calit, te i cili dukej se do të kalojmë natën. Bënte vërtet një i ftohtë i madh dhe nxituam shumë që të arrinim. Por Bonati nuk i rezistonte dëshirës që të pinte sa më shpejt një kafe dhe llomotiste para xhandarëve. Dukej se gjithnjë e më shumë ai e konsideronte veten si një përfaqësues i pushtetit. Përsa na përket neve, mendoj se ne nuk po përfitonim asgjë nga ajo botë e mrekullueshme që na rrethonte. Madje mund të thuash se ishte e kundërta dhe se gjithçka e bukur na ishte bërë e errët, se veçse në dukje ishim pjesë e një ekipi. Kur përpiqeshim të merrnim fjalën, duke iu lutur që të na përkthente, ai na bënte të qartë të kuptonim se e dinte më mirë se ne se çfarë duhej të thoshte.

Do ta pranonim, nëse do na lejohej ta dinim se ç’thoshte në emrin tonë. Por edhe pse nuk e dinim mirë shqipen, me aq sa dinim, ne kuptonim se ai nuk fliste në emrin tonë dhe se tregonte lloj-lloj gjërash pa interes, aq gjatë sa i pëlqente atij, ndërkohë që ne duhej të duronim dhe të prisnim përfundimin e bisedës së tij personale. Kështu, kaluam një orë në dhomën e mbushur plot tym duhani, rreth një zjarri ku ngroheshin tenxheret e vogla me kafe. Ishin aty një gjysmë duzine xhandarësh që po ngrohnin fytyrat, duart, ndërkohë që këmbët e lagura nxirrnin avull nga flakët. Bënte aq errësirë në atë dhomë të ndriçuar nga zjarri, sa mezi dukeshin radhazi fytyrat e tyre. Të gjithë ata xhandarë dukeshin se ishin njerëz të mirë, të gëzuar dhe që bënin një jetë të vështirë. Ishin ata që bënin dhe punën e postës dhe çdo ditë udhëtonin 3-4 orë e madje shumë, shpesh me pushkën në krahë, të mbathur me opinga, me një kolibe që u shërben si postë, para së cilës një tjetër xhandar vinte të shkëmbente letrat e një fshati tjetër.

Posta shpesh përcillte letrat administrative. Tregtari qëndronte në këmbë, me shumë respekt, ndërkohë që gruaja e tij qëndronte jashtë pa guxuar të shqetësojë bisedën e burrave. Një burrë me një veshje evropiane, përveç kobures së ngjeshur në brez, hyri dhe na u prezantua. Ishte mësuesi. Por ai mund të ishte dhe gjahtari kundravajtës. Pyeta veten se në çfarë shkolle jepte mësim ai. Vërtet mund të jepte mësim, por si bënte që të mblidhte çdo ditë një klasë me disa nxënës, ku duheshin tre orë të mira për të shkuar nga një shtëpi në tjetrën. Ishim aty që prej një ore pa parë ndonjë shtëpi tjetër. Por edhe nëse mund të mblidheshin, mendoja se mësimi i tij duhej të përqëndrohej se si të qëllohej në shenjë.

Ishte plotësisht natë kur Bonati pranoi të japë shenjën e nisjes. Pas disa rrëshqitjeve në baltë ne u gjendëm në shtratin e një lumi tepër të gjerë, i cili nën atë pak dritë difuze të hënës që dukej pas reve, ngjante se ishte e shkretë, me ato shkëmbenj anash atyre maleve të lartë në blu. Ecëm veçse një gjysmë ore dhe më së fundi pikasëm një shtëpi të lartë me dy kate prej guri, pothuaj pa dritare, me bedenë në katin e sipërm, ku ishin hapur frëngji të ngushta. Ishte diçka hijerëndë por e rrethuar me një gardh dërrasash. Preng Cali erdhi drejt nesh duke zgjatur duart dhe me një fytyrë energjike dhe një buzëqeshje të mrekullueshme. Që me shikimin e parë ishte shumë simpatik. Një gjigand i vërtetë. Ishte i gjatë të paktën 2 metra. Ishte i veshur shumë pastër me kostumin e Malsisë së Madhe, një kostum me një elegancë të veçantë. Flokët i kishte të bardha dhe mustaqet të shkurtra që spikasnin në figurën e tij të gjatë e të dobët. Natyrish, brezi i tij ishte i zbukuruar me një revolver të madh, një tjetër me një dorezë fildishi apo prej kocke, një model si ato që mbreti u jepte atyre që do t’i shpërblejë e nderojë.

Preng Cali ishte në Vermosh më shumë se një fisnik. Ai ishte kapedani, një titull honorifik që s’ka asnjë vlerë administrative. Le të themi se është njeriu më trim dhe prijësi natyral i këtij vendi, pas të cilit në rast lufte radhiten të gjithë njerëzit e tribusë, madje edhe tributë fqinje. Kur them në rast lufte, kjo nuk është një mundësi thjesht teorike, sepse në këto zona njerëzit janë aq të rreptë në çështjet e nderit, dhe ku shikon më shumë armë sesa qerre, ku je në një luftë të përhershme. Nëse nuk është një luftë kombëtare, gjithnjë ka një problem që duhet zgjidhur. Kur i thashë Preng Calit se ishim miqtë e zotit Marchand, mikpritja e tij u bë akoma më e përzemërt. Ai e ka njohur dikur, kur ka qenë i fshehur në Gjirokastër, nuk e di për çfarë arsye politike. Në shtëpi ngjiteshe përmes një shkallareje guri. Poshtë kishte një dhomë ku rreth zjarrit bisedonin 3-4 burra të armatosur me pushkë.

Preng Cali kishte disa tufa bagëtie dhe disa vathë. Në Francë, vatha, në vend që të jetë kullë, shtëpi e fortifikuar, do quhej fermë dhe kjo dhomë këtu do të ishte kuzhina. Por këtu do duhej ta quanim më mirë një trup-roje. Djemtë e vathës, me pushkët e tyre mes këmbëve, nuk kishin pamjen se mund të ishin bujq. Na çuan në një kat më sipër. Pashko, gruaja e Preng Calit më puthi mu në gojë dhe ne u ulëm mes një zjarri të mirë. Pihej duhan, kafe. Në sajë të miqësisë të zotit Marchand arritëm të kishim një bisedë më personale e ku përkthehej diçka më shumë nga interpreti ynë.

Na sollën gjalpë, qumësht, kos. René poqi patate në tenxheren tonë. Ishim mirë rreth zjarrit dhe kur porta hapej e ndjenim që jashtë duhej të bënte një i ftohtë shumë i madh. Mbrëmja zgjati deri në orën dhjetë dhe ne ende nuk e dinim se ku do të flinim atë natë, madje dhe se çfarë ishte bërë me bagazhet tona. Nuk bëja asnjë pyetje pasi përballë shqiptarëve nuk duhej të kishim pamje të shqetësuar deri në çastin e fundit. Qiraxhinjtë tanë si çdo mbrëmje, duhej t’i kishin ç’ngarkuar kafshët dhe të kishin sjellë të gjithë ngarkesën diku. Por s’duhej të dukeshim se i jepnim rëndësi kësaj gjëje apo ndonjë kërkese të tepërt e madje as se mos dyshonim, pasi mikpritësi natyrisht do bënte më të mirën që mundej. Aty nga ora dhjetë e natës ndjemë aq shumë përgjumje saqë kërkuam të flinim aty ku ishim, çka i dha shkas Preng Calit të na tregonte një vend të veçuar ku ne mund të ishim vetëm. René e vlerësoi akoma më shumë që po udhëtonte me gruan e tij. Ndryshe do bënte si Bonati, Hasani dhe Ismali, që ishin shtrirë rreth zjarrit. Ata do të kishin më ngrohtë se ne, pasi ne ishim strehuar në një hapësirë të gjerë ku thaheshin fasulet dhe ku era depërtonte duke ulërirë jashtë nga të gjashtë dritaret pa xhama.

E premte, 21 tetor

Gjithë natën vdiqëm nga të ftohtit, pasi ishim shtrirë në tokë, diku në një cep, nën dritën e një kandili që gati shuhej, duke u strehuar si mundemi pranë grumbullit të bagazheve tona. Pastrimi më i thjeshtë bëhej me ujë të akullt që Hasani na e solli me një kovë pëlhure, nga e cila uji mezi rrjedh. “Fundi i kopshtit”! Oh, mrekullia nuk ishte veçse një orë rrugë nëpër mal. Ajo ishte në shtëpi, madje në katin tonë si dhe në portën tonë. Padyshim, ishte ajo çka mund të quhej një banjo “allaturka”, një dalje, një lloj tubi prej druri që kërcente pak jashtë, si ata gargujt sipër bedenave, ndoshta për ndonjë rast të dëshpëruar kur s’do të kishim më municione.

Atë “W.C.” të rasteve urgjente, me një pamje të mrekullueshme përpara, mund ta përdorje me kusht që të përkuleshe, duke e drejtuar shikimin në një drejtim që përgjithësisht është për një funksion tjetër. Por në të kundërtën, në funksionin normal, nëse nuk sheh asgjë, ke përparësinë të ajrosesh mjaft nga poshtë, nga një erë e ftohtë që ju kap menjëherë. Nuk kishte depozitë uji që ta zbrazje, por kishte një zbrazje ajrore, që guxoj të them sepse funksionimi i vetëm ishte që t’i ngrinte qimet përpjetë. Në fund të fundit ishte më mirë se të shkoje tutje ku qentë që ruanin jashtë shtëpisë mund të të kafshonin prapanicat.

Jashtë binte borë dhe ja ku dimri po fillonte papritmas. Ende binte borë. Pashko mesa dukej i njihte zakonet perëndimore. Para se të visheshim, ajo hyri gjithë autoritet me dy filxhanë kafeje që ne nxituam t’i pimë, para se të ftoheshin nga ngrica. Madje nuk u vonuam të dilnim nga dhoma. Sapo nxorëm pajisjet tona të dimrit, vrapuam menjëherë të ngrohemi pranë zjarrit të madh që Hasani e Ismaili e mbanin të ndezur me një kompetencë të jashtëzakonshme. Shkuam të shëtisnim në lumë me Preng Calin, i cili na shpjegoi linjën e kufirit mbi shpatet fqinje. Kishte një lloj krenarie, sepse pikërisht ai me disa luftëtarë të tjerë luftoi gjatë shumë viteve që kjo copë tokë t’i kthehej Shqipërisë.

U kthyem të hamë drekë, pasi në këtë vend po na merrte një uri e tmerrshme: djathtë, bukë e thekur, somon i ftohtë, patate të pjekura në hi. Hëngrëm aty pranë zjarrit, të ulur rrotull kërcunjëve dhe duke ruajtur bukën të mos digjej dhe që patatet të piqeshin. Buka ishte gjithnjë ajo e Shkodrës, e cila ruhej mirë. Ndërsa patatet, ishin të Vermoshit dhe madje të vetë Preng Calit. Ishin shumë të mira dhe me përmasa të mëdha, 5-6 herë më të mëdha se te ne. I ndamë ato me mikun që na ka pritur, i cili shkoi të përfundojë drekën me djemtë e armatosur të vathës.

Ishim nisur që prej katër ditësh dhe me këtë regjim ushqimi pyesnim veten sesa kohë do të mjaftonin rezervat që kishim marrë. Në fakt, përveç bukës e kafesë, të tjerat nuk i kishim me shumicë dhe ne po i harxhonim çdo ditë. Nga ana tjetër pyesja veten se çfarë hanin në këtë vend, pasi deri tani s’kisha parë njerëz të hanin, dhe për më tepër në orë që zakonisht shtrohet për të ngrënë. Mbi të gjitha më dukej se kishin dëshirë të ndanin me ne pak a shumë atë çka ne përgatisnim me mjetet tona. Askund nuk dukeshin gjurmë ushqimesh. Si do bëhej kur do të donim të furnizoheshim? Aty të paktën ishin ato patate të mrekullueshme, çka ngjante se ishte një specialitet i Vermoshit. Bonati, të cilin René e mbyste me pyetje, përgjigjej se i ishte dashur shumë për të gjetur kostumet që donim të studjonim dhe se jo vonë do të na i sillnin.

Shterimi i shpejtë i ushqimeve kishte të paktën një të mire, sepse kali i bagazheve lehtësohej nga barra e madhe, duke e sjellë deri në Vermosh, i kërrusur e pa frymë, duke nxjerrë gjuhën përjashta dhe shumë herë duke u rrëzuar. Edhe në të përpjetën e madhe, Hasanit dhe Ismailit iu desh të mbanin mbi shpinë një pjesë të ngarkesës në orën e fundit të udhëtimit. Në këmbë kishte një plagë të madhe, të cilën e kishte që para se të niseshim dhe që tani i ishte bërë akoma më keq. Këmba po i enjtej në mënyrë shqetësuese. Hasani betohej se e enjtura ishte shenjë e mirë dhe se shpejt kali do shërohej plotësisht. Por René nga ana e tij betohej se nuk do të nisej me një kalë në një gjendje të tillë.

Pas drekës dhe një bisede etnografike me Preng Calin ne shkuam të shikonim njëherë andej nga xhandarët. Zbritëm shtratin e lumit gjer në barakën e tyre, por tashmë po e bënim zakon të shkonim sërrish tek i njëjti vend në atë luginë gjigande ku kishte një lloj dinamike njerëzore. Ishte njëlloj si të ishte kafeneja e madhe e një qendre kantoni. Duhej të shllapuriteshe në një baltë të ngrirë për të arritur portën dhe shqetësuar dy derra që kërkonin të hannin mbeturinat. Por në këtë mjedis hijesh valëvitëse dhe atij tymi ku vetëm figurat dukeshin të shkëputura nga thellësia e natës, ne ndjeheshim tashmë të mësuar.

Lajmi i afrimit tonë me sa dukej ishte marrë vesh. Atë ditë ishte edhe komandanti i rojeve kufitare që s’dihej nga kishte zbritur, një figurë shtatlartë e kuqalashe, me një palë mustaqe jeniçeri. Ishte nënoficeri që komandonte. Aty ishte dhe mullixhiu. Nuk di pse ishte aty mullixhi pasi nuk besoj se duhej të kishte një mulli, ose ndoshta kishte nga ata mullinjtë e vegjël me ujë që u përket të gjithëve dhe ku secili e vë në punë kur ka diçka për të bluar. Ndoshta titulli mullixhi korrespondon me ndonjë titull administrativ dhe kushedi, mos ndoshta ky njeri është i ngarkuar të riparojë diçka kur është e nevojshme. Kishte gjithashtu disa burra të lagur nga shiu dhe që thaheshin duke bërë shumë tym, veçanërisht pleq, njerëz me përvojë, që në kthim ishin të ngarkuar të jepnin mendimet e tyre për të huajt e çuditshëm që një qëllim i pakuptueshëm për ta i kishte sjellë një natë më parë në Vermosh.

E shtun;, 22 tetor

Jashtë dëbora binte me flokë të mëdha. Shtrëngoheshim rreth zjarrit. Një kënaqësi e panjohur kjo në qytetet dhe apartamentet e ngrohura. Flitej për gjëra të rëndësishme, si të krahasosh ditët e këtij viti me ato të vitit të kaluar, etj. Tregoheshin gjithashtu shumë histori hajdutësh por ata ishin të gjithë të anës tjetër të kufirit. Shumë pak pyetje na bënë. Më dukej se Bonati ishte i ngarkuar të thoshte mbi ne çfarë t’i donte qefi, mirë apo keq, por nuk më pëlqente që s’isha e sigurt që fliste mirë. Na sollën një kostum vajze për ta parë. Ne donim ta merrnim, por dukej se nuk ishte e përshtatshme, se kjo gjë ishte tepër e nxituar. Dikush do të na e sillte deri në kullë. Nuk donin të thonin se kur? Gjithë ajo që mund të mësoja ishte se do të ishte në çastin e “kaida”-s misterioze që do ta gjykojë të përshtatshme.

Porta u hap. Një burrë i armatosur, i lagur si gjithë të tjerët, hyri dhe shkëmbeu me ata disa fjalë, në një ton serioz, pa u nxituar, çka ishte me sa duket mënyra e të folurit në këto anë. Këtu nuk qeshet, nuk thirret! Mënyra e shprehjes së gëzuar është e panjohur. Ndërsa mënyra e ashpër duket se ruhet për raste serioze dhe që s’dua t’i njoh, pasi në këtë rast gjithnjë përfundon keq. Njeriu qëndroi pak kohë atje dhe refuzoi të ulej. Pastaj u largua. Përmes tymit, nga një cep i shtëpisë dallohej figura e një gruaje që priste me padurim në dëborë. Më thanë se ishte një grua e sapo martuar që sipas zakonit, pas disa javë martese, shkonte për disa ditë në shtëpinë e prindërve, ku burri i saj nuk ka të drejtë të shkojë ta takojë. I vëllai kishte shkuar ta marrë disa orë larg Vermoshit. U kthyem natën, pasi blemë disa vezë dhe një raki kumbulle, siç e bëjnë në Jugosllavi. Një xhandar ecte para nesh për të na “treguar rrugën”.

Në shtëpi, një surprizë e përgjithshme: Preng Cali kishte therrur një pulë për ardhjen tonë. Gëzimi ynë i krijoi atij një kënaqësi të dukshme. Na kishte marrë uria tmerrësisht dhe René-a, megjithë disa litra raki që na kishin dhuruar xhandarët, nisi të presë pulën, para se ta pjekë. Preng Cali dukej tepër kureshtar nga ky ritual të coptuari, mënyra e pjekjes së pulës, etj. Gjithçka e shikonte me shumë kureshtje. Tashmë ishte ai që merrej me etnografi. Bonati na njoftoi se do të bënte një omletë në mënyrën e tij. Në realitet ishte një recetë turke. Së pari tregova sesi duhej bërë: omleta bëhet si në Francë, por pa i hedhur kripë e piper. Kur ajo piqet, e palosin pa e nxjerrë nga tigani dhe në këtë çast hedhin përsipër me shumicë shurup të përgatitur veçmas me qëllim që omleta të notojë në të. Duhet njomur nga të gjitha anët me shurupin që djeg dhe kështu omleta fryhet menjëherë. Bonati më dha një ide të largët të asaj që duhet të jetë, pasi duke mos ditur si bëhet një shurup sheqeri, ai mjaftohej ta lagte omletën me një gotë ujë të vakët e të sheqerosur.

Një qëndrim i shkurtër me Preng Calin, i cili është ulur me ne duke përkëdhelur macen e tij, ndërkohë që Pashko qëndronte në cep të dhomës dhe kohë më kohë afrohej të më përqafonte duke më dhënë një goditje në shpatull, aq fortë sa mund të vriste një lepur. Vinte dhe na ofronte patate të pjekura apo një ftua, një mollë jo të pjekur, siç duhet e që duhej ta haja patjetër që ajo të ishte e lumtur. Megjithë gjumin që po na kapiste, ishte e vështirë të shkonim në dhomën tonë që ishte si një frigorifer. Magjithatë, atë mbrëmje kishte një lloj progresi, sepse në një lloj dollapi René zbuloi disa mbulesa nga ato që ngjajnë si mbulesat me pupla amerikane me ngjyra më të gëzuara, ku pushi është zëvendësuar me lesh, çka i bën ato aq të rënda, si dyshekë. Dhe ato në fakt kështu janë e që përdoren për tu shtrirë dhe për tu mbuluar. Sapo u mbyllëm brenda në dhomë, nxorrëm disa gjëra që të mbyllnim dritaret dhe të mbulohemi. Meqë nuk na i kishin ofruar, nuk guxuam ta bëjmë këtë hapur që të mos krijonim ndonjë shqetësim, çka nuk na pengonte të zhyteshim në atë grumbull amorf ku janë shtuar dhe materialet tona dhe ku fjetëm të veshur…

E diel, 23 tetor

Bënte tmerrësisht ftohtë. Duhej të ishe aq i mësuar me të ftohtit sa të mos hiqje dorë që të laheshe. Në mëngjes, René nuk u ul të punojë sepse Preng Cali do ta çonte në një shtëpi ku një vajzë e fejuar duhej të nisej të nesërmen për tu martuar tri ditë larg, në Jugosllavi. Natyrisht, ajo kurrë nuk e ka parë të fejuarin dhe as që e kanë kërkuar mendimin e saj. Ishte tek shtëpia e dytë apo e tretë pas asaj të Preng Calit. Por për këtë duheshin 30-40 minuta në këmbë në shtratin e atij lumi, pra do duhej të ecnim gjithsejt një orë e gjysmë. Rrugës kaluam pranë një strehe të krijuar nga dy mure dhe një çati e ulët. Dukej se ishte një kishë. Por më shumë ishte një altar ku thuhej mesha një herë në vit. Ishte kisha e Vermoshit dhe e katoliçizmit të tyre të moderuar. Përreth ngriheshin disa kryqe dhe dy pemë. Preng Cali ishte tepër i vëmendshëm ndaj meje, ndërkohë që Bonati vazhdonte përpara pa kthyer kokën. Në çdo përrua apo mur, Prenga kthehej pas që të më ndihmonte për ta kapërcyer. Isha e detyruar t’i buzëqeshja dhe ta falenderoja, duke ngritur kokën drejt tij sikur të shikoja nga Notre-Dame. Ishte një lartësi prej 50 cm sipër meje, jo pak.

Shtëpia e të fejuarës ishte si të gjitha shtëpitë e tjera të Vermoshit: një shtëpi me gurë dhe shumë e ulët, çatia e së cilës ishte tepër e sheshtë dhe që niste në lartësinë e një boje njeriu. Në dhomën e vetme, rreth zjarrit, disa burra ishin mbledhur dhe ulur në tokë. Me pushkët e tyre të varura në mur dhe fytyrat e ashpra, të dukej sikur ishe në një bodrum kaçakësh. Gratë shkonin e vinin, por nuk hynin. Ata morrën pushkën e Preng Calit dhe e vendosën krah të tjerave. Ne u ulëm në rrethin e burrave dhe vajza e martuar na solli filxhanat e kafesë, duke u përkulur para secilit prej nesh me një dorë në zemër.

Pas kafes, ishte rakia dhe disa copa të vogla djathi dhie. Natyrisht, unë shërbehesha e fundit. Në fakt s’duhej të isha atje. Duhej të isha jashtë, me gratë dhe të admiroja prikën e ekspozuar në një gardh, siç varen rrobat që thahen, sepse koha ishte zbutur. René nuk po duronte. Donte të fotografonte, por dukej se aty gjërat nuk bëheshin aq lehtë dhe se duhej me takt e me diplomaci, në mënyrë që kureshtja jonë të mos i prekte në sedër. Kur Bonati kërkoi të shtjellojë kërkesën tonë të vështirë, çështja u rregullua aq lehtë sa patëm përshtypjen se këta burra të fortë nuk ishin dhe aq të paditur dhe të ashpër sesa na thonin. Nëse ai pretendonte të na pengonte të mos i nënçmonim bashkëpatriotët e tij, ai e bënte këtë në mënyrë jo të mirë.

Para se të vijmë këtu, René donte të fotografonte Preng Calin, që me pushkën e tij kishte një pamje të hatashme. Bonati kishte kundërshtuar me një ton jo të këndshëm, duke thënë se deri tani ishte treguar shumë paqtues për fotografitë tona, por kjo kërkesë i kalonte caqet e duhura që mund të lejoheshin. Gjithnjë e më shumë kishim përshtypjen se nuk kishim patur një interpret në shërbimin tonë, por një polic pas këmbëve.

Sidoqoftë, pothuaj qetësisht, ne bëmë një seri fotografisht dhe polici ynë na njoftoi se në sajë të diplomacisë, ne do mund madje të fotografonim edhe nusen. E vërteta ishte se familja kishte kërkuar me ngulm që ne ta fotografonim atë. Pyetëm se ku duhej të ishte nusja. Dukej se ishte e mbyllur në një odë të vogël dhe se do të dilte kur të gjithë burrat dhe vajzat e reja të ishin larguar. Burrat shkuan në shtëpi dhe vajzat e reja u fshehën pas pemëve. Ne mbetëm vetëm me të atin dhe disa gra të tjera. Më afruan pranë vajzës së fejuar, në anën e majtë, e cila qëndronte nën atë shall shumëngjyrësh që e prishte bukurinë hijerëndë të kostumit të zi të malësorëve. Të

gjithëve na dhanë mollë, me sa duket jo për ta ngrënë menjëherë. Ishin peshqeshe. Në kthim ndaluam te tregtari i fshatit ku gjetëm gjithë xhandarët dhe mësuesin. Aty kishte vezë dhe ne vendosëm të bëjmë një omletë. Bonati do të merrej me të. Kishte dhe djathë të bardhë si dhe bukë misri. E vështruam bukën disi me mosbesim, pasi para nisjes tonë nga Tirana, të gjithë njerëzit nuk rreshtnin duke na thënë se ishte e pamundur ta kapërdinim dhe ta tresnim atë. E shijuam thjesht për princip dhe zbuluam se ishte shumë e shijshme, veçanërisht kur e vendosëm për disa çaste mbi zjarr. Hëngrëm mollët që i kishim si peshqesh, pimë kafe dhe raki me litra. Kur ju them litra do të thotë se ne nuk e porosisnim me gota, por me litra, dhe kjo përsëritej. Akoma dhe disa fotografi me një bareshë të vogël. U kthyem në orën 16.00 dhe René filloi të punojë, ndërkohë që ne u vendosëm sërrish rrotull zjarrit, duke përgatitur çaj dhe duke pirë. Gjatë natës, kapedani iku në shtëpinë e vajzës së fejuar, ku do ta kalonte natën duke pirë me burrat. Kur mendova për rrugën që do të bënte, nuk doja që të ishte ai. Hëngrëm darkën me patate të zjera dhe mollë.

E hënë, 24 tetor

Atë natë kishim më pak të ftohtë. Kishim filluar të mësojmë se nga fryn era dhe si t’i zemë vendet e hapura nga mos të futet era. Sa keq që shkenca vinte këtu me kaq vonesë, pasi ne të nesërmen do niseshim. Pashko ishte bërë pak nga pak e guximshme. Tashmë në mëngjes, kur René u nis, ajo erdhi dhe kontrolloi në bagazhet tona. Kishte zbuluar një karficë dhe gjilpëra të vogla të dyfishta dhe me ngjyra nga të cilat i kisha dhënë disa syresh. Po kështu dhe për ilaçet. Ajo donte të kishte nga çdo lloj asortimenti. E kufizova bujarinë time vetëm me ngjyrën e jodit dhe me aspirinat. Ajo do të donte të kishte të drejtë për ilaçe dhe për tri-katër pjesët e trupit, por me aq sa munda i shpjegova se gjithçka që kishte tani i mjaftonte, pra jodi dhe aspirina, dhe e ngushëllova duke i dhënë një copë sapuni. Ajo më përqafoi dhe më dha disa të goditura dashamirëse.

René vazhdonte të punonte me nxitim mbi kostumet e njerëzve të familjes. Kali i bagazheve tona do të qëndronte padyshim në Vermosh. Asllani bleu një pelë. Quhej Delush. Ishte René që do t’i hipte dhe ai rekomandoi se s’duhej ta godisnim me shqelma në bark. Kali tjetër, Dori, do të mbante bagazhet. Fotografuam shtëpinë e Preng Calit si dhe Pashkën. Kishim përshtypjen se po bënim fotografi miqsh ose portrete familjare. Hëngrëm një darkë të mrekullueshme. Kishim blerë një pulë dhe e ziejm. Përgatitëm njëkohësisht disa rezerva për të nesërmen dhe vezë të zjera. Pashko poqi kafe me një qebap të vogël, i cili ishte një nga instrumentat e domosdoshëm në çdo shtëpi shqiptare, pasi në këtë vend, askund nuk shitet kafe e pjekur. Secili e pjek sipas qefit të tij, pak ose shumë të errët dhe e bluajnë në çastin që piqet.

E martë, 25 tetor

E kishim lënë kullën e Preng Calit që në orën 8.30 të mëngjesit, pas përshëndetjeve tona prekëse. Qielli ishte pak i mbuluar, por nuk bënte shumë ftohtë. Pjesa e parë e rrugës ishte veçse përgjatë shtratit të lumit, i cili ngjitej gjithnjë. Ishte një shëtitje e këndëshme, pasi rruga ngado na shfaqte ca gëmusha përmes të cilave kalonin rrëkeza me ujë të qartë e të bollshëm. Papritur u kthyem në të djathtë përmes një ngjitje të fortë, aq e fortë sa e ngjita gati barkaz, duke u kacavjerë dhe duke u kapur me dhjetë gishtat pas krifës së Cilës. Arritëm në një rrafshnaltë nga ku e humbëm nga sytë luginën e Vermoshit. Tashmë ishte Zvicra. Hapësira të mëdha bari të një lugine me një kurorë drurësh të zinj, me lopë e dele. Ndjehej një përshtypje e madhe vetmie.

Tutje, sa një figurë njeriu, dukej një shtëpi mjaft e vogël, e cila ishte e ulët për t’i shpëtuar erës. Një shtëpi e bërë nga trungje pemësh dhe që ne mundëm të arrinim gjatë ditës, duke trokitur në portën e saj. Njerëzit e shtëpisë dukej se ishin plandosur për t’iu nënshtruar dimrit. Zoti i shtëpisë ishte Kol Petrushi. Ishte atje me gruan e tij dhe nusen e shtëpisë. Zjarri ishte ndezur mes asaj dhome të vetme dhe meqë s’kishte oxhak, tymi qëndronte lart si një re e nderur pothuaj gjer poshtë tokës. Ulur përtokë dhe duke përkulur kokat, mund të merrnim frymë. As mund të imagjinohej nëse do doje të qaje. Ajo çka dalluam përmes atij tymi, ishte se nëpër dërrasa, midis trungjeve ishin të varura objekte etnografike. Aty çdo gjë ishte totalisht etnografi, madje dhe pushka, me një tjetër armë të çuditëshme, një lloj pistolete e bërë nga një pushkë, të cilës i kishin hequr qytën dhe ia kishin shkurtuar grykën e gjatë. Sigurisht, kur bëhej fjalë për armë, asnjëherë nuk flitej për armë gjuetie.

Ajo etapë ishte aq e shkurtër sa ne hëngrëm gjatë rrugës. Para një zjarri hëngrëm vezët e zjera, ndërkohë që Asllani ngrohte filxhanat e çajit për tu dhënë ngrohtësi zemrave të miqve tanë dhe të dy xhandarëve që do të niseshin sërrish. Në një qilim të hollë bari ngritëm tendën tonë. Një qen i egër ulurinte e shkumbëzonte nga tërbimi sapo na shikoi, por ai ishte i lidhur pas shtëpisë. Ndërkohë, një djalosh që kishte kohën të gëzonte lirinë dhe që nuk kishte qenë i nevojshëm në rolin e tij social, dukej një njeri i gëzuar dhe i dashur, i cili kishte qef të lozte. Nuk ndahej nga ne dhe duke pritur, hyri ngadalë në misteret e mrekullueshme të të qytetëruarve përmes mortadelit, kores së djathit dhe të lëvozhgës së vezëve të zjera. Vendosja e çadrës sonë aty ishte si një lloj kampingu. Ishte hera e parë që ishim vendosur në një mënyrë kaq të kënaqshme.

Dhjetë metra larg nesh ishte një trung peme i gërryer nga ku derdhej ujë i pastër, i ftohtë dhe i shijshëm. Nuk bënte ftohtë edhe pse lart kishte një kurorë dëbore që na rrethonte. Kolë Petrushi ishte i varfër por mikpritja e tij ishte bujare. Gjithë ajo që mund të na ofronte ishte kafja dhe buka e misrit. Dhe këtë e bënte me një kënaqësi të dukshme. Tutje, larg sa sheh syri, nuk dukej asnjë gjurmë tjetër njerëzore. Bonati na kishte thënë se do të flinim në Lëpushë, një fshat i ngritur në lartësinë e 2500 metrave. Donim të dimë se përse do të flinim atje? Por në fakt ngjante se ishim në lartësinë e 2500 metrave dhe në anën tjetër të Lëpushës. Ajo që dukej e vërtetë ishte se ky fshat përbëhej nga shumë shtëpi. Veçse ato nuk mund të dukeshin që andej. Pasdite u kthyem në shtëpi. Para nisjes sonë, Preng Cali na ofroi një dhuratë princore të këtij vendi, ku pamja hijerëndë e natyrës ishte e paimagjinueshme, pasi pas perëndimit filloi të bëjë një ngricë shumë e madhe. Megjithatë duhej shkuar të mbyllej çadra pneumatike pasi kishte dy derrkucë të vegjël në ngjyrë rozë, disa dele dhe një qen, të cilët ishin bashkuar për ta dhunuar sekretin që përbënte ajo çadër…

SHKARKO APP