Vjeshta e përjetshme e Dhori Qiriazit
Nga Yzedin Hima – Befas, diku, disku i ngrirë i pellgut kris…kris… Kris- tinë…
Poezia “Dikur në vjeshtë” e Dhori Qiriazit lexohet me të njëjtin emocion të leximit të parë, ndonëse kanë kaluar disa dekada që nga nyjëtimi i saj. Energjia estetike dhe kuptimore që përcjell ky tekst nuk hijezohet e zbehet nga koha, redaktorja e pamëshirshme e çdo lloj arti. Lexuesi vjetërohet, ndërsa teksti poetik, me të cilin ka kaluar çaste mahnie në të ri të tij, ka ngeluar po ai: i ri, i pathënë, i sapothënë, magjik, i pandryshkshëm në gjithë nyjëtimin e tij.
Shija që të lë leximi i një teksti të tillë, i tejkalon të gjitha shijimet, ku intelekti dhe shpirti njerëzor ndihet i mahnitur dhe i përkëdhelur, gjë që ndodh mjaft rrallë. Natyrisht të rrallë janë edhe tekstet, ku forma është edhe përmbajtje dhe përmbajtja është formë si tek poezia “Dikur në vjeshtë”. Ky tekst jo vetëm lexohet, por edhe kundrohet si një pejzazh i pikturuar mjeshtërisht me fjalë. Ky tekst, plot ngjyrë, ritëm, mall, dhimbje, ndarje, humbje, kujtesë, muzikë, lexohet, kundrohet dhe pëshpëritet si një melodi tejet shpirtërore, apo përshpirtet nga lexuesi i radhës për vjeshtën dhe Kristinën e tij të humbur, por të patretshme, strukur a fshehur në kujtesë, por e shfaqur nga alkimia estetike e përjetimit të tekstit në mënyrë krejt personale e diskrete. Teksti nis si një rrëfim:
Dikur në vjeshtë kur pellgjet ngrijnë
dëgjova larg të sajnë zë.
Po pse “kur pellgjet ngrijnë”?! Sepse një peizazh i ngrirë nuk ka lëvizje, nuk ka zhurma. Akujt kanë pushtuar natyrën apo shpirtin e tij?!
Befas, diku, disku i ngrirë i pellgut kris…kris… Kris- tinë.. Uni poetik në qetësinë e ngrirë, dëgjon një zë. Akujt kanë përfshirë e ngurosur gjithçka, me përjashtim të një zëri, që drithëron dhe kris akujt e shpirtit njerëzor, zërit të Kristinës. Poeti nuk na e qartëson se si e nga vjen ky zë, vjen nga larg, nga jashtë apo nga brendësia e tij?!
Pikërisht në vjeshtë, kur ndodhin ndarjet e vogla dhe të mëdha, subjektit mendues i shfaqet Kristina, jo si imash, por si zë. Zakonisht njeriu magjepset nga pamja, jo nga zëri, por fizikanët thonë se zëri është i paasgjësueshëm. Vargjet janë sugjensionuese: receptuesi befas dëgjon zërin e “Kristinës” së tij…
Poeti me një lehtësi të pazakontë, me një thjeshtësi prekëse ndërton dy vargje, që rrallë i takon në poezinë shqipe:
kaq shumë e desha unë Kristinën
sa nuk e donte njeri më.
Po cila është kjo energji dashurie, që shterron jo vetëm burimin, subjektin mendues, por edhe objektin, Kristinën?! Mund të jetë rrjedhoja e një dashurie sublime. Aq e fortë ka qënë, sa që ka krijuar një aureolë rreth Kristinës dhe askush nuk guxon t’i afrohet dhe të përballet me të. Asnjë burrë nuk mund t’i afrohet Kristinës dhe t’i shfaqi dashurinë e tij të vocërr. Do të dukej krejt i padenjë për të merituar Kristinën, të cilën dikush para tij e kishte ngritur në lartësi të tilla dashnie, sa që çdo mëtonjësi do t’i merreshin mendtë.
Dy vargjet e tjerë të këtij teksti të sjellin ndër mend se Kristina e mrekullueshme, me bukuri ngjethëse dhe virtyte hyjnore, me ikjen e saj, e ka zhvleftësuar dhe varfëruar aq shumë mjedisin rreth e rrotull, sa që subjekti mendues klith i pashpresë:
e dashur kaq më ish Kristina
sa kurrë s’desha njeri më.
Mos vallë një dashuri e tillë sublime robëron,shterron, “vret” bartësit e saj, duke i dënuar ata pas ndarjes me mosdashuri?! Zbehja e objekteve të tjerë, njerëzve, peizazheve, stinëve dhe zëvëndësimi i tyre vetëm me një pamje, imazhin e Kristinës, zërin e saj, mos vallë është patologji?
Që t’i japësh përgjigje kësaj pyetje duhet të provosh atë që ka provuar subjekti mendues i këtij teksti. Në tekst nuk e gjejmë portretin e Kristinës, nuk ka asnjë fjalë për bukurinë e saj, por gjendemi para pasojave që ajo lë pas. Aq magjepse ka qënë Kristina, sa që mjedisi rreth saj shkretohet, vulgarizohet, humb vlerën, bëhet i padenjë për t’u dashur, për të dashur kur ajo nuk është më.
Dhori Qiriazi është mjeshtër i rrallë i fjalës, kur fton imagjinatën e lexuesit për të krijuar portretin e Kristinës. Pikërisht, enigma e portretit të Kristinës dhe forca e bukurisë së saj për të rrënuar gjithçka përreth, e bën atë të mistershme.
Dihet, që dashuria është energji pozitive. Po çfarë mbetet pas? Mbetet Kristina, e shndërruar në zë, që sa herë fryn suferina, vjen e i fryn në vesh, i depërton në shpirt subjektit mendues, duke ia bërë më të bukur, më të dhimbshme dhe më të trishtshme vjeshtën.
Subjekti mendues, poeti, është shndërruar në fjalë, në tekst poetik, në vjeshtë të përjetshme, ku koha është e pafuqishme për ta kthyer në asgjë.