Vlerat turistike të Borshit promovohen edhe nga të rinjtë
Vlerat turistike të zonës së Borshit, punimet artizanale, etnografia, kulinaria u promovuan ditët e fundit nga nxënësit e shkollës së mesme “Qazim Pali”, të këtij fshati. Përmes aktivitetit “Të njohim dhe promovojmë potencialet turistike të Borshit”, të organizuar nga mësuesit dhe nxënësit e shkollës, të pranishmit ndoqën një aktivitet të pasur kulturor në oborrin e kësaj shkolle. Poezi, këngë, teatër, të interpretuara nga nxënësit sollën në vëmendje traditën e vjetër të Borshit, ku nuk munguan edhe kënga labe dhe vallet tradicionale shqiptare. Kryetari i bashkisë së Himarës, e konsideroi si një model për organizimin e projekteve të tilla, që janë zhvilluar edhe në shkolla të tjera të bashkisë Himarë.
Borshi, me pamje magjike dhe det të pafund njihet për mikpritjen, ku turisti apo kalimtari gjen një komunikim të ngrohtë dhe të kulturuar. Kulinaria specifike është një tjetër ftesë që të bën të qëndrosh, qoftë edhe për disa orë në Borshin e bukur. Por, një tjetër veçori e tij, përveç natyrës së bukur, detit, qiellit, gjelbërimit, janë edhe shumë objekte kulturore dhe historike që tregojnë për hershmërinë e banorëve të kësaj zone.
Kështjella e Sopotit është një nga objektet kulturore te Borshit që gjendet në majën e kodrës së quajtur Kala. Në Borsh udhëtari do të gjejë atë që kërkon: legjenda, histori, natyrë dhe privatësi për atë që është i lodhur nga zonat e zhurmshme urbane dhe ka vendosur të harrojë për pak kohë ekzistencën e pjesës tjetër të botës.