Voskopoja, jë nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore
Fshati turistik i Voskopojës në Korçë mbetet një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, artistike dhe historike të Ballkanit, një perlë e kulturës ballkanike dhe evropiane.
Voskopoja, rreth 21 kilometra larg Korçës është pjesë e ofertës turistike të juglindjes së vendit, ku në dimër, bardhësia e dëborës shoqëron vizitat në natyrën e bukur, ndërsa në verë sportet e aventurës janë kryefjalë. Ky fshat malor ofron mundësi për të shijuar kulturën dhe historinë dhe mund të vizitohet në çdo periudhë të vitit, pasi çdo stinë sjell një përvojë të veçantë.
E veçanta e Voskopojës janë objektet e kultit, kryesisht kishat. Ndër to veçohen: “Kisha e Shën Kollit”, “Shën Maria”, “Shën Ilia”, Manastiri i “Shën Prodhromit”, “Shën Thanasi” dhe “Shën Mehilli”. Këto janë monumente kulture të kategorisë së parë, për të cilat është treguar vazhdimisht kujdes për restaurimin dhe ruajtjen e vlerave të tyre arkitekturore.
Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell pamje nga Kisha e “Shën Kollit” në Voskopojë, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, e cila tërheq çdo vit gjithnjë e më shumë vizitorë.
Kisha e Shën-Kollit në Voskopojë është kisha më e rëndësishme për arkitekturën e saj të tipit bazilikal postbizantin. Kisha është ndërtuar nga qershori i vitit 1721 deri në shtator të vitit 1722, ndërsa këmbanarja mendohet të jetë ndërtuar më vonë. “Shën Kolli” i Voskopojës është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948, për vetë vlerat e saj të mëdha arkitektonike dhe artistike.
Kisha e Shën-Kollit në Voskopojë përfaqëson një dëshmi të prekshme të rëndësisë historike të qytetit të dikurshëm. Ajo ndodhet në qëndër të Voskopojës dhe është kisha më e rëndësishme për arkitekturën e saj me të gjitha elementët e tipit bazilikal postbizantin, që ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Kjo kishë i ka të gjitha: naosin, narteksin, arkadën dhe këmbanaren.
Kisha është ndërtuar nga qershori i vitit 1721 deri në shtator të vitit 1722, ndërsa këmbanarja mendohet të jetë ndërtuar më vonë. Rindërtimi i fundit të saj është bërë rreth vitit 1936. Kisha është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948 për vetë vlerat e saj të mëdha arkitektonike dhe artistike.
Pjesë e kishës së Shën-Kollit ka qënë edhe kishëza e Shën-Efthimiut,në pjesën jugorë të saj, tashmë e shkatërruar plotësisht. Naosi është pikturuar rreth vitit 1726 nga David Selenica, një prej mjeshtrave më të mirë të shek. të 18-të. Stili i tij i përket shkollës tradicionale të artit të Paleologëve, e njohur edhe si shkolla Maqedonase. Ndërsa arkada është pikturuar rreth vitit 1750 nga vëllezërit Athanas dhe Kostandin nga Korça, të mbiquajtur “Zografi”. Ata kanë pikturuar skena të shumta nga cikli i Apokalipsit, për të dytën herë pas asaj të pasqyruar në kishën e Shën Thanasit ( të dy ciklet nuk janë kopje të njëra-tjetrës, por secila paraqet veçori krijuese).
Më 1960, pjesa e arkadës pësoi një dëmtim serioz për shkak të një tërmeti të fuqishëm, duke u shkëputur rreth 28 cm nga naosi. Ndërsa një ekspeditë restaurimi, e ndërmarrë në vitin 1962 nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, për rikthimin në vënd dhe konsolidimin e saj bëri një punë të shkëlqyer dhe profesionale. Ikonostasi i kësaj kishe u punua mjeshtërisht nga Kostandin Ieromonaku rreth vitit 1722-1726, një nga mjeshtrat më të mëdhenj të punimit të ikonës në fillim shek. të 18-të. Sot një pjesë të ikonave origjinale janë pjesë përbërëse e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.
Në Voskopojë, përveç bukurisë natyrore dhe aktiviteteve dimërore, vizitorët mund të shijojnë edhe gatime tradicionale, si lakrori dhe ushqime të tjera të përgatitura me produkte bio të zonës.
KOHA JONË SONDAZH
























