Xhovana: Legjenda e Papës grua, që u vra me gurë rrugëve të Romës
Nga Matteo Rubboli
Papa Françesku, Jorge Mario Bergoglio, është zyrtarisht Papa i 266-të i Kishës së Romës, i fundit i një serie ekskluzivisht papësh meshkuj. Apo ndoshta nuk është tamam kështu? Një legjendë interesante, flet për historinë e Xhovanës, e njohur si Papa Gjoni VIII, Papa i Kishës së Krishterë (ndarja midis katolikëve dhe ortodoksëve, nuk kishte ndodhur ende) midis viteve 853855, në mesin e periudhës së Mesjetës.
Ndonëse konsiderohet si një legjendë nga specialistët e historianëve të periudhës, historia e saj është sigurisht intriguese, dhe një lexim i parë të bën të dyshosh se ajo ka një bazë të së vërtetës. Xhovana (ndoshta me mbiemrin Angliko – mbiemër që në gjuhën greke tregon origjinën angleze) ishte një grua me origjinë angleze.
E rritur dhe të arsimuar në qytetin gjerman të Maincit, ajo shkoi në Athinë në moshë madhore, për të ndjekur njeriun me të cilin ishte dashuruar. Atje, me ndihmën e shokut të saj, e maskoi veten si një burrë dhe përfundoi trajnimin si klerik, duke u bërë një studiuese. E admiruar për dhuntitë e saj intelektuale, ajo shkoi më pas në Romë së bashku me partnerin e saj.
Sipas legjendës, Papa Leoni IV, i shenjtëruar nga kisha, vdiq më 853 (zyrtarisht më 855), dhe Kolegjit të Kardinalëve, zgjedhja më e përshtatshme iu duk Xhovana, e maskuar si një burrë, e respektuar dhe admiruar në të gjithë qytetin.
Papati i saj po shijonte asokohe njëfarë suksesi, por pas 2 vjetësh ndodhi një ngjarje fatale. Xhovana, ashtu si shumë papë të tjerë jo legjendarë, ishte larg praktikës së abstinencës seksuale, duke mbetur shtatzënë me partnerin e saj. Gjatë Procesionit të Pashkëve, më 7 prill 855, rrugës nga Shën Pjetri në rrugën Shën Gjoni, kali i Xhovanës u rrëzua për shkak të turmës së madhe që po festonte, duke i shkaktuar një lindje të parakohshme në rrugë, pranë bazilikës së Shën Klementit.
Fati i Xhovanës ishte i përcaktuar:Turma e lidhi gruan pas kalit, dhe e tërhoqi zvarrë nëpër rrugët e Romës, duke e vrarë në fund me gurë në Ripa Grande. Një variant tjetër më pak mizor i histories, thotë se Xhovana thjesht u detyrua të largohet, me fëmijën e saj që kur u rrit u bë peshkop i Ostias, dhe në Bazilikën e Shën Aureas, do të varroseshin si Xhovana ashtu edhe djali i saj.
Papa që i pasoi, Benedikti III, vuri në zbatim të famshmen “Damnatio Memoriae”, duke e fshirë Xhovanin VIII nga të gjitha regjistrat zyrtarë, dhe duke e lënë të mbulohet nga pluhuri i harresës. Që atëherë procesi papnor nuk do të kalonte më nga vendi ku lindi fëmija.
Një legjendë e mëvonshme (e shekullit XV), e kontekstualizon edhe më mirë papatin e Xhovanës, dhe ajo është prova e mashkulloritetit, që i bëhet të gjithë papëve të rinj të zgjedhur. Për të shmangur çdo rrezik nga zgjedhja e një gruaje të dytë si Papë, pas zgjedhjes së tij, Papa i ri ulej në një karrige të kuqe prej porfiri me një vrimë në qendër, përmes së cilës duhej të verifikohej gjinia e tij.
Mundësia që të ketë ekzistuar një Papa grua, është e paktë ose gati zero. Elementet e së vërtetës duhet të kërkohen në detaje, siç është karrigia e kuqe prej porfiri me një vrimë në qendër. Nuk kishte një, por dy të tilla, që ruhen ende sot në muzeumet e Vatikanit dhe në Luvrit.
Nuk ka referenca zyrtare me shkrim, madje as në vende të tjera, ku të përmendet një Papa Gjoni VIII, që në fakt ka qenë Papë në vitet 872-882, dhe pati një vdekje të dhunshme nga të afërmit lakmitarë.
Në Romë nuk ekzistojnë referenca, as laike të historisë së Xhovanës. Të gjithë elementët janë të jashtëm. Ende sot mbetet një referencë interesante, Shatërvani i Papa Xhovanit, në rrugën ‘dei Querceti 27’, vendi i saktë ku do të ndodhte lindja e gruas.
Legjenda e Xhovanës u shfaq në mesin e shekullit XIII, kur Frederiku II i Suabisë, mbreti i Siçilisë dhe Perandori i Perandorisë së Shenjtë Romake, vuri në dyshim pushtetin e kishës. Papa Gregori IX e pa atë si Antikrishti, dhe sovrani u shkishërua dy herë.
Në këtë kontekst është e lehtë të imagjinohet një histori qesharake, që e shfaqur rëndom edhe festat e karnavaleve të Mesjetës, tregon një histori të vjetër e të sikletshme të Kishës së Romës.
Duhet të rikujtojmë se ndarja e madhe katoliko-ortodokse, kishte përfunduar tashmë prej më shumë se 2 shekujsh, dhe se Kisha e Romës shihej si antagoniste në shumë pjesë të Ballkanit deri në Greqi, çka mund të ketë favorizuar përhapjen e kësaj historie.
Burimi: VanillaMagazine
Nuk mund të ribotohet pa vendosur linkun e plotë:
http://www.bota.al/2018/09/xhovana-legjenda…rrugeve-te-romes/