Ylli Demneri prezanton “Më kujtohet”

“Më kujtohet që nëna ime ka patur një librezë kursimesh. Im atë, jo. Më kujtohen faqet ku ishin të shkruara me dorë shuma që derdhej dhe ajo që tërhiqej. Çdo fund muaji mbetej vetëm shuma e detyrueshme, më duket se ishte 150 lekë”.

Kjo është një nga 359 copëzat e jetës komuniste që Ylli Demneri përshkruan në librin e tij “Më kujtohet” vëllimi i dytë.

Ylli Demneri: Edhe pse nuk njoha persekutimet, edhe pse nuk njoha burgjet, prapë sa herë që kujtoj këtë epokë, ajo e para që më vjen është frika.

Por nuk është aspak hapësirë frike ajo që krijon Demneri. Njerëzit, vendet, gjuha, festat, veshjet, shkolla, shijet, zanatet, të lëna jashtë nga rrëfimet për komunizmin, kanë çfarë t’u thonë atyre që s’e kanë jetuar atë epokë.

Ylli Demneri: Doja që kjo epokë të njihej me këto detaje të vogla.

Shtatë vjet pas botimit të vëllimit të parë që u prit mirë nga lexuesit dhe mjediset letrare, në këtë vazhdim Ylli Demneri ka thelluar njohjen e njerëzve realë, atyre më të afërmve aq edhe disa emblemave në Tiranën e viteve ’60-’90.

Është një lloj teksti ky që nuk ka nevojë për vuajtjen për të treguar çfarë ka qenë ajo kohë, por për gjuhën e duhur dhe perspektivën e sinqertë që e bën kujtesën të tregojë e pasforcuar nga ndonjë lloj morali apo detyre sociale.

Demneri nuk ka qëllim të krijojë iluzione nostalgjie. Bukuria dhe shëmtia janë kaq ngjitur njëra-tjetrës në rrëfimet e tij, jo për t’u kontrastuar po për të bashkëjetuar e rizbuluar një lloj epifanie të përditshmërisë komuniste.

Ylli Demneri ka shkruar ndër të tjera “E dashur A.” , “Bloc-notes”, “Njëqind e njëmbëdhjetë haiku” dhe ka në proces “Më kujtohet” vëllimi i tretë për jetën larg Shqipërisë, në Francë ku jeton dhe punon, por si gjuhë komunikimi me lexuesit ka ruajtur shqipen.

/Burimi: Ora News/

SHKARKO APP