Ymeri i drejtohet Ahmetajt e Kumbaros: Mos investoni në tulla dhe llaç por në libra

Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri jep alarmin për situatën e librit në Shqipëri. Ndonëse Panairi i 21-të i Librit mund të quhet i suksesshëm, sipas Ymerit lexueshmëria në Shqipëri është në nivele katastrofike duke konfirmuar shifrën e INSTAT se 1 milionë shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër.

Në një letër që i ka dërguar ministrit të Financave Arben Ahmetj, ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, kryetares së Komisionit Parlamentar për Median dhe Mjetet e Informimit Publik Alban Vokshi, kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë Erion Braçe, ai i kërkon ndëhyrjen urgjente nëpërmjet rregullimeve ligjore në mënyrë që gjendja të ndryshojë sa më shpejt dhe që shifra 1 milionë të mos rritet.

Letra u bë publike dje nga gazetari Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One” në të cilin ishte ftuar deputetë të komisionit parlamentar të Medias, vetë kryetari i shoqatës Petrit Ymeri por edhe shkrimtarë dhe botues. Ja cilat janë problemet e paraqitura në instancat shtetërore nga kreu i shoqatës Petrit Ymeri:

  1. Mungesa e bibliotekave publike në shkallë vendi. Përveç disa minibibliotekave në Tiranë, ka një mungesë totale të bibliotekave. Ngritja dhe hapja e tyre do bëjë që shqiptarët të afrohen me librin, ta lexojnë atë edhe nëse nuk kanë mundëisnë ta blejnë.
  2. Nuk ka asnjë pasurim të librave që nga vitit 2012 për bibliotekat ekzistuese. Shtetei nuk ka asnjë financim për pasurimin e biblitekave në të cilat mungojnë masivisht librat dhe nuk furnizohen prej 6 vitesh.
  3. Shteti bën restautrim të godinave me tulla, pllaka, e vetrata, por shteti nuk ble libra për bibliotekat në shkolla dhe ato publike.
  4. TVSH-ja me 20 për qind në blerje të librit dhe 0 për qind në shitje sjell rritjen e kostos dhe e shkatërron botimin e librit.
  5. Ekzistenca e shtëpive botuese fantazmë që kanë shtypshkronjë por nuk kanë shtëpi reale botuese është një problem dhe pengesë për një aktivitet ligjor dhe cilësor.
  6. Rritja e tatimit me 50 për qind të honorareve e dëmton botimin por shkatërron dhe dekurajon punën krijuese.

Nënkryetarja e Komisonit Parlamentar për Median dhe Mjetet e Informimit Publik Milva Ekonomi deklaroi për gazetarin Qafoku se ishte e informuar për këtë shqetësim dhe mazhoranca është e angazhuar për rregullimin e kësaj situate.

Ekonomi pranoi gjendjen e rëndë të mungesës së leximit duke e ilustruar me disa shifra interesante. Dikur drejtoreshë e INSTAT dhe njohëse shumë e mirë e statistikave, sipas Ekonomit deri në vitin 2006 në Shqipëri kishte 46 biblioteka lokale.

Ndërsa përsa i përket leximit, Ekonomi tha se të dhënat tregojnë se një shqiptar mesatarisht lexon vetëm 11 minuta në ditë. I ndarë sipas qyteteve, sipas Ekonomit të dhënat janë të tilla se në qytete lexohet më shumë se në Tiranë. Rezultatet e anketave nxjerrin se në qytete lexohen 10.4 libra në vit, ndërsa në Tiranë 7.6 libra në vit.

Edhe më të rëndë e paraqiti situatën anëtarja e po këtij komisioni deputetja e LSI-së Nora Malaj. Sipas Malajt, në një sondim që kishte bërë vetë në universitet, 70 për qind e studentëve në vitit të parë nuk kishin lexuar asnjë libër gjatë gjithë vitit.

SHKARKO APP