“Za Fest”, në Alpe për të rizgjuar vlerat

Tinguj zanash ndjellin në Theth. “Za Fest” vijon rrugëtimin për 3 ditë radhazi mes bjeshkëve e mikpritjes së banorëve, për të rizgjuar shpirtin e këtij vendi. Kantautori dhe drejtori artistik i festivalit, Vlashent Sata, fton dashamirësit e muzikës, arteve pamore dhe sportit, për t’iu bashkuar një eksperience ndryshe, në gjirin e natyrës, në 2,3 dhe 4 gusht.

Emra të njohur si Elina Duni, aktori me famë ndërkombëtare Arben Bajraktaraj, këngëtarja Agona Shporta e grupi “Don’t listen to your Neighbors” do t’ju rrëfejnë artin elitar përmes këngësh e poezish, që pa dyshim do të mbartin edhe pjesë nga tabani popullor.

auto_fl1513960685

Nuk do të mungojnë në këtë ngjarje artistike as miqtë nga bota, si artisti Bob Berky, që ka prekur teatrot më të mëdhenj ndërkombëtarë, apo anglezi Piers Façini, një nga këngëtarët më të dëgjuar në Francë dhe jo vetëm. “Dëshira për realizimin e këtij festivali ka lindur nga unë, por u frymëzua nga artistë të tjerë, që kanë dashur përherë që të jenë të angazhuar për të bërë diçka për Shqipërinë.

‘Za Fest’ nisi me idenë për të pastruar Thethin, ku arti do të ishte një formë përbashkuese për të pastruar natyrën. Ky ka qenë çelësi i parë, që ne të bëjmë diçka për vendin, që të pastrohet nga mbeturinat. Por në të njëjtën kohë ka qenë që të sillnim elementë kulturorë nga vendi dhe bota, duke bashkuar gjithashtu artistë nga të gjitha trevat shqiptare.

Por edhe për të përcjellë idenë se njerëzit që janë në Theth nuk duhet t’i trajtojmë si njerëz të izoluar, por si individë që kanë shumë vlera, sikundër është edhe mikpritja”, u shpreh Sata dje gjatë konferencës për mediat.

Kantautori tregon gjithashtu se risia e këtij edicioni të 3-të është takimi “Logu i Za Fest”, ku njerëzit mes bisedave mund të shkëmbejnë eksperienca edhe ide, për të ndryshuar diçka në jetën e përditshme. Edhe pse njerëzit mund të jenë shumë të lodhur e pa forcë fizike që të reagojnë, “Za Fest” kërkon që të nxisë tek ata frymën e bashkimit, për të rritur probabilitetin e një ndryshimi të mundshëm.

“Ky festival, falë dëshirës së artistëve që i kanë qëndruar besnik edhe këtë vit, ka ngjallur një lloj gëzimi e entuziazmi te publiku, sepse në thjeshtësinë e vet synon rikthimin te vlerat, për të ndërtuar dhe riparuar ato pjesë, që do na bëjnë të ecim përpara”, tha artisti. Më 4 gusht, në Logun e Kishës do të mbahet një bisedë e vyer për rininë.

“Ku është rinia shqiptare sot? Si është raporti i saj me tokën? Për këtë do të jenë prezentë antropologë edhe filozofë, së bashku me publikun e thjeshtë”, shton Albana Rica, organizatore e festivalit.

SHKARKO APP