ZA Fest përçon tek publiku vlerat më të mira europiane
Festivali ZA Fest, që do të zhvillohet në Theth nga data 2 deri më 4 gusht do të përçojë tek publiku vlerat më të mira të kulturës dhe historisë shqiptare dhe europiane
Kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ambasadori Luigi Soreca dhe Drejtori i ZA Fest Vlashent Sata zhvilluan sot një konferencë të përbashkët për shtyp ku theksuan se në këtë festival do të evidentohen të paktën tre elemente kryesore.
“Mesazhi i ZA Fest është pikërisht mesazhi që dëshiron të përçojë BE në Shqipëri, pasi është në përputhje të plotë me politikat për kulturën, artin, turizmin dhe zhvillimin politik në tërësi”, tha ambasadori Soreca.
“Të bashkojmë njerëzit me anë të kulturës dhe artit në këtë festival. Janë tre elemente kyçe që ky festival kërkon të arrijë, rigjallërim, zhvillim ekonomik dhe ruajtje e kulturës”, tha ai.
“Rigjallërim e them pasi me këtë festival do të rigjallërojmë këto vlera dhe tradita të rëndësishme shqiptare që do na vijnë me anë të historive që do na tregojnë artistë të ndryshëm atje”, u shpreh Soreca.
“Pika e dytë ka të bëjë me zhvillimin. Ne punojmë për zhvillimin ekonomik, sidomos në zonat malore. Pra t’i ndihmojmë këto zona të arrijnë potencialin e tyre. Ne dëshirojmë të shkojmë edhe përtej kufijve dhe kemi projekt ndërkufitar edhe me Kosovën. ZA Fest duhet të jetë projekt ndërkufitar dhe t’i përçojmë këto vlera edhe në vende të tjera”, tha Soreca.
“Së treti është ruajtja. Ne duhet të jemi gjithnjë të vetëdijshëm për ndikimin që kemi tek natyra. Të trija këto gjëra janë vlera që dëshiron t’i përçojë BE”, nënvizoi ambasadori Soreca.
E rëndësishme, theksoi ai, “që është dhe thelbi i aktivitetit është ajo që do ndodhë mëngjesin e 4 gushtit. Konsultimi në Theth, ku shpresojmë të diskutojmë me artistët pët ato vlera që ka Shqipëria, që dëshiron t’i përçojë në të ardhmen si shtet anëtar i BE. Shpresoj të bisedojmë me banorët e zonës dhe shumë të rinj”.