Zbulohen emrat e prezantuesve të Fest’ 57
Përmes një konference për shtyp, Radio Televizioni Shqiptar ka zbuluar emrat e dy prezantuesve të Festivalit të Këngës. Edicioni i 57-të do të prezantohet nga aktori i mirënjohur Viktor Zhusti dhe aktorja dhe këngëtarja kanadeze me origjinë shqiptare Ana Golja.
Viktor Zhusti, aktori mjaft i dashur për publikun shqiptar, rikthehet në prezantimin e festivalit pas 47 vitesh. Zhusti ka lënë gjurmë me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Mes tyre përmendim lojën e shkëlqyer në filmat “Malet me blerim mbuluar”, “Kur xhirohej një film”, “Taulanti kërkon një motër” apo dhe në skenën e teatrit në shfaqjet “Kush ka frikë nga Virginia Ëolf”, “Të gjithë me huqe”, “Djemtë gazmorë”, etj.
Ana Golja është një tjetër talent shqiptar që po shkëlqen në botë. Ka lindur në Toronto më 31 janar 1996 nga prindër shqiptarë. Veçohen rolet e saj në filmat “Full out” dhe “Love on ice”. Ndërsa këtë vit ka debutuar edhe me albumin e parë muzikor “Epilogue”.