Zbulohet mozaiku që hedh dritë mbi jetën në Berat në antikitetin e vonë
Në qendrën Mesjetare Islamike në Berat teksa punohej për restaurimin e saj, doli në dritë një mozaik i cili mendohet se i përket shekullit të V -VI . Në këtë mënyrë Berati, prezantohet në kërkimin shkencor nëpërmjet gjetjeve të reja dhe këtë herë me gjetje mjaft të rëndësishme, por të zbuluara në mënyrë rastësore.
Puna restauruese dhe konservuese në Qendrën Mesjetare Islamike, e cila ndodhet brenda Qendrës Historike të qytetit të Beratit ka nxjerrë në dritë një pjesë mozaiku, zbukurim i një vepre ndërtimore që mendohet se i përket shek.V-VI si dhe shumë gjetje të tjera arkeologjike, të cilat do të ndryshojnë rrjedhën historike të qytetit, rreth ekzistencës së jetës jashtë kalasë së tij.
Dritan Çoku, specialist arkeolog në Berat ka një muaj që po punon në zbulimet pranë objekteve që po restaurohen. Arkeologu ka ndjekur procesin e konstatimit, gërmimit të shpëtimit, ka përgatitur raporte për cdo rast dhe tashmë është në pritje të vendimit që do të merret nga Këshilli Kombëtar i arkeologjisë.
Çoku: Gjatë punimit të fazës së parë të drenazhimit të objektit, pra të kanalit për izolimin e lagështgisë, aty u hasën mbetje skeletore njerëzore. Sipërfaqja e gërmuar, aktualisht nuk të lejon për të dhënë të dhëna më të plota dhe përfundimtare pasi hapësira është shumë e vogël. Por me anë të një konstatimi tjetër dhe me anë të një raporti tepër të detajuar edhe për katalogun e gjetjeve të tjera, pritet një vendim nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë.
Në Qendrën Mesjetare Islamike që ndodhet shumë pranë qendrës së qytetit, prej një muaji punohet në dy objekte kulti, një xhami dhe një teqe. “Xhamia Mbret” objekt i kategorisë së parë dhe “Teqeja e Halvetive”, që gëzon të njëjtin status, janë në restaurim e sipër.
Zbulimi i skeletit njerëzor duket se është vetëm maja e ajsbergut, pasi zbulime të tjera janë hasur dhe që duket se do të vazhdojnë.
/Ora News