Zhiti flet për bustin e Arbnorit: Ai grumbull bronzi duhet t’i ngjajë të gjithë…

Vazhdimi i një shkrimi nga Visar Zhiti

Përse u rikthye tani Pjetër Arbnori?

Që të na tregojë se cilët jemi dhe vokacionin e kohës…

Vënia e bustit të Pjetër Arbnorit në lulishten para parlamentit shqiptar, gjithsesi pluralist, ku ai ishte deputet dhe kryetari i parë demokrat i atij parlamenti për 5 vjet me radhë, është një akt që po merr rëndësi, domethënia e së cilës e bën ta quajmë ngjarje.

I ngjan një fillim të vonë, i nisur më herët, në fillim të viteve ’90 të fundshekullit të kaluar dhe ende mbetet një fillim i ngrirë, aq sa më bën të mendoj se tashmë jemi në Epokën e Bronzit të demokracisë tonë. Shkak si asosacion mendimi u bë një sasi bronzi.

Që Pjetër Arbnori të ketë një statujë, pasi u vu, u duk se pati miratim nga të gjithë, edhe nga kahet e ndryshme politike, që nuk i pranojnë pothuajse asgjë njëra-tjetrës, patjetër dhe statujat, aq sa ngjan se edhe ato e vazhdojnë sherrnajën midis tyre.

Vendi ynë ka përvojën e vet në ngulje dhe shkulje statujash, shpërngulje të tyre, zvarritje, thyerje, vjedhje veprash arti dhe shitje, qoftë dhe për skrap, hedhje në erë me dinamit të piedestaleve, etj.

Pjetër Arbnori u bë simboli i njeriut të vuajtjes së madhe, i qendresës së pazhurmët, i atij që nuk kërkoi hakmarrje, që ndryshimet e kohëve e ndryshuan si me magji fatin e tij, doli ku ishte kreu dhe mbeti modesti e paqësori dhe toleranti i rrallë.

Kur ai ishte kryetar i parlamentit shqiptar, gjykatësit që e kishin dënuar me vdekje ishin përsëri gjyqtarë.

Vetitë e tij, simboli i tij më shumë, sikur i kanë kaluar dhe bronzit të tij tani, por diskutimet për të do të ishin të pashmagëshme. Nisën si të tilla larg e larg thelbit, do të thosha, ku përzihej politika dhe sfida, si p.sh., se kush e dha miratimin e vendosjes së atij busti, kundërshtarët e tij, kryetari aktual i parlamentit, pra njëri nga pasuesit e tij, por socialist, që ka qenë ministri i fundit i brendshëm në diktaturë dhe përse nuk e kishin ngritur më parë bustin e tij ata të kahut të tij, demokratët, duke shtuar që atë, Pjetrin, e kishin braktisur, harruar. Ndërkaq demokratët e ngritën Pjetrin në atë lartësi. Aq duhej, e përdorën. Të shërbesh nuk është përdorje. Po ja, që këta, kundërshtarët, ia ngritën bustin për sfidë ndaj atyre. Po kjo është arritje…

Sido që të kenë qenë qëllimet dhe rrethanat, dëshirat dhe mosdëshirat, busti i Pjetër Arbnorit duhej ngritur dhe u ngrit ky është një akt përtej tyre, të të gjithëve, madje dhe përtej vetë Pjetër Arbnorit.

Është një ngjarje që do e donte koha medoemos. Më përpara apo tani apo më mirë më pas? Rëndësi ka që u bë ajo që duhej, këtu është thelbi.

Ndërkaq diskutimet precipituan paradoksalisht, nga thelbi i simbolikës te ngjashmëria e bustit me origjinalin, se sa ia ishte arritur, që natyrisht kanë rëndësi, por niveli artistik është dhe çështje profesionistësh, artistësh e kritikësh arti, arkitektësh etj dhe duhen dëgjuar ata së pari.

Absolutisht që qytetari s’ka pse të jetë i përjashtuar, por mendoj se parësore tani për tani është që pse u thirr statuja e Pjetër Arbnorit, ç’sjell ajo e çfarë thotë?

Ç’ka dashur të përgjithësojë autori me këtë e të tjerët përreth bustit ç’thanë? Ndokush a shumëkush do të donin të ishte ndryshe busti dhe pse? Jo po duhet të ishte kështu dhe pse s’duhej të ishte ashtu?

Mendoj se më shumë se sa për domethënien dhe realizimin e veprës skulpturore (autori i saj S. S. është skulptor i mirënjohur dhe me vlera), diskutimet ngërthejnë mendimin tonë për Pjetër Arbnorin, dukurinë e tij, se si e kemi parë atë dhe si do të donim ta shihnim, ç’na dha ne ai dhe ne ç’duam të themi përballë tij.

Duke qenë dhe bashkëkohës me të, i njohur gjithandej, me të cilin dhe kanë qenë bashkëvuajtës në burg apo kanë punuar më pas, kanë milituar në parti, parlament, etj, pra dhe janë takuar apo kanë pirë dhe kafe me të, (kafeja tek ne ka shumë rëndësi, sa parlamenti a më shumë), pra pa atë distancën e domosdoshme kohore për vlerësim “të ftohtë dhe objektiv” të atij dhe të të tjerëve, protagonistë dhe të ngjarjeve dhe dukurive dhe, dashje pa dashje, ne kemi folur dhe për veten, si e kuptojmë kohën ku jemi dhe vendin dhe në bazë të këtij të kuptuari gjykohen si rrjedhojë dhe veprimet tona.

Më shumë se sa t’i ngjajë Pjetër Arbnorit, ai grumbull bronzi duhet t’i ngjajë të gjithë neve, mendimit dhe frymës që kërkon koha.

Duke qenë se Arbnori ishte Kryetari i parë i parlamentit pluralist të pas ’90, njerëzia, sidomos ata të kahut të tij, nuk do të donin ta shihnin disi si të gjorë në bronz. Por unë do të thosha se të qenit kryetar parlamenti, sado tolerant dhe i butë, dinjitoz siç dhe ishte Pjetri, nuk është dhe aq e mjaftë për të patur një statujë jashtë në mjediset urbane.

Po Pjetri është dhe “Mandela i Ballkanit”, i burgosur politik i regjimit, dhe statuja e tij duhet të shprehë qendresë dhe durim, siç dhe i pati Pjetri, forcë dhe akuzë ndërkaq. Shikoji në bronz, a janë? Të burgosurit shqiptarë ishin më shumë se Mandela përsa i përket vuajtjes. Ata dhe rebeluan. Burgu shqiptar ka dhe të tjerë heronj e martirë, që ngritën sipër telave me gjëmba të rrethimit Flamurin Kombëtar, pa yllin ideologjik dhe ata s’kanë statuja, madje dhe burgjet e tyre si muzeume të kujtesës që duhej të ishin, po rrënohen.

E pse duhet t’u duket si i një murgu busti i Arbnorit? Po ai ishte dhe i vetmuar, po shikoni, te ai ka dhe diçka të fshehtë, të pashpjegueshme. Pjetri me ca shokë, mos harroni, ka dashur të themelonin fshehurazi në monizëm një parti, prandaj e dënuan rëndë. Me Pjetrin në këtë nismë ishin dhe të tjerë. Pastaj Pjetri është themeltar dhe në PD. Po është statuja e Azem Hajdarit “tribunit të studentëve”.

Po Musine Kokalari që e themeloi partinë dhe e dënuan, desidentja e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste dhe shkrimtarja e parë grua në letrat shqipe, ku e ka statujën? Edhe Pjetri ishte shkrimtar. Ja, dhe fletët e bronzta në krah të tij. Po statujë nuk ka as poeti që pushkatuan,  “Lorka shqiptar”, Trifon Xhagjika. Po ja, kanë ata, dy poetët e Librazhdit, Vilsoni dhe Genci, që i pushkatuan. Etj, etj.

Ngulmoj, statuja e Pjetër Arbnorit sidoqoftë ngrihet me meritë. Është dhe statujë e virtytit. E përsëris, ai është një “Dukuri e veçantë”, e bëri koha të tillë, madje ai, besoj, nuk u kujdes ta administronte veten kështu dhe, shtoj, kjo është më e rëndësishmja, që qëndrimet ndaj tij, ndaj simbolit të tij, do të përcaktonin shoqërisht dhe politikisht se cili je ti tani, që del në krye dhe koha që jetojmë.

Ja, që një barrë e tillë i ra të urtit Pjetër Arbnori dhe ai e mbarti prapë.

Kronologjikisht, tmerrësisht shkurt, ja ç’ndodhi me të: mbasi bie Muri i Berlinit si dhe e gjithë perandoria komuniste në Europë, edhe Shqipëria, patjetër e detyruar, do t’i bashkohej ndryshimeve epokale të botës, Pjetër Arbnori, i porsa dalë nga burgu i rëndë dhe i gjatë, i bashkohet lëvizjes për “liri e demokraci” në vend, është themelues i Partisë Demokratike në qytetin e tij, në Shkodër dhe, pasi i fitojnë zgjedhjet demokratët, ai zgjidhet deputet dhe kryetar i parë i atij Parlameti. Kështu ai do të jetë bashkëpunëtori më i afërt i atij që i priu furishëm kësaj lëvizjeje, që e kishte flakur teserën e komunistit të zakonshëm dhe bëhet Presidenti i parë demokrat i vendit, karizmatikut Berisha.

Të dy i duheshin njërit-tjetrit, kohës. Karaktere të ndryshëm, fate të ndryshëm. Dhe dalin në krye. I pari i dyti. I dyti i pari. Me të kaluara antagoniste, por me të tashme të përbashkët, në unitet për një Shqipëri më të mirë.

Shqipëria kishte nxjerrë nga ferri të burgosurit politikë dhe po i përzgjidhte ata. Kjo ishte marramendëse, e pabesueshme më parë.

Për ish të burgosurit politikë po kërkohej integrimi social. E përsëris, mes atij vrulli ndryshimesh, iu dhanë shtëpi e shkolla, kualifikime e detyra në të gjitha instucionet, etj. Pra, iu dhanë… Statistikat e dëshmojnë këtë, por realiteti dhe fryma e jetës janë dhe përtej tyre. Shtoj se po promovohej “letërsia e burgjeve”, që solli realitete e tjera, pa të cilat realiteti do të ishte i mangët dhe i rremë dhe përurime të bujshme u bënë dhe me librat e Pjetrit.

Pas 5 vjetësh të suksesshme mbaron dhe misioni i Pjetrit, i ish të burgosurit politik, i Mandelës së Ballkanit. Kështu u duk. Natyrisht për të vazhdonte të flitej në media, të thirrej në takime partiake e letrare më shumë, etj. Por dhe kur erdhën sërish demokratët në pushtet, Pjetri u la mëmjanë dhe shtresa e martirtë që ai i përkiste, po përfaqësohej gjithnjë e më pak dhe kurrë në lartësinë që i ishte dhënë atij njëherë. Kishte nisur heshtja, edhe e qëllimtë, edhe harrimi, edhe i dëmshëm.

Kur socialistë rikthehen në pushtet, në mandatin e tyre të dytë, befas përurohet busti i Pjetër Arbnorit, post mortum, në lulishten para parlamentit.

Ndërkaq aty përreth janë dhe busti i Imzot Fan Nolit, orator i shkëlqyer në parlament, kryeministër, poet, përkthyes, klerik, ai që i dha dhe autoqefalinë kishës ortodokse shqiptare. Po aty është dhe busti i Sabri Godos, republikan pas ‘90, hartues në kushtetutën e re, shkrimtar. Më tej është dhe Jeronim De Rada, arbëresh, që ndoshta pak e dinë që ka qenë dhe deputet në Itali, por ai mbetet poeti i mrekullueshëm shqiptar, që europianizoi poezinë rilindase shqipe.

Përse u thirr në bronz dhe Pjetër Arbnori tani? Përse u desh dhe çfarë sjell dhe risjell ai? Cila është porosia që merr koha?

Duke qenë se ai është i vetmi i burgosur politik që e lanë të shkojë aq lart, deri në kreun e parlamentit shqiptar, pra ai përbashkoi burgun e dikurshëm politik me udhëheqjen aktuale, vuajtja si dënim kaloi në (pu)shtet, mund të themi, në drejtimin e lartë, kështu ai mbarti kumtin e duhur se lidershpi i sotshëm i Shqipërisë duhet të kishte një të kaluar të tillë, si përvojë dhe si vokacion, të paktën të ngjante e kësisojshme, me forma të ndryshme, të përafërta si një mendësi, bindje a si një apel suprem.

Dhe e mirseardhen, tani pa Pjetrin, por me statujën e tij. Kjo ishte e mundura, simbolika, që i intereson shumicës së lidershpit tranzicional, kur vendi ka halle të mëdha me korrupsionin, drejtësinë, kulturën, etj, që mbase janë dhe si pasojë e kësaj mungese, pra atëhere le të pranohet si  një rastësi e domosdoshme statuja e Arbnorit, që vazhdimisht madhohet idealja e saj.

Një statujë që sikur del nga dheu dhe s’ke se ç’i bën. Do t’i gjesh vendin dhe do të hapësh rrugën drejt saj. Fundja statujë është, asgjë nuk kërkon, nuk është Pjetri vërtet, as shën Pjetri, Krishti jo e jo, as dishepujt e tjerë…

Statistikave, datave, ngjarjeve, emrave që lidhen me burgjet e vuajtjen, le t’u shtohet dhe përurimi i kësaj statuje, të gjitha së bashku mirë i bëjnë gjeneralisht politikës. Por nuk mjafton. Që të mos mbetet hipokrizi dhe cinizëm e maskë. Duhet dhe përulja e sinqertë para asaj dhembje të madhe, që solli shpirtin e qendresës dhe ringritjen e të vërtetës. E prapë nuk mjafton.

Deshën apo nuk deshën ajo statujë erdhi. Dhe me meritë, që s’i shmangëshe dot, e përsëris. Është e dënimit të padrejtë që kërkon shpagën morale. E duan apo nuk e duan, rëndësia e saj është vendimtare për të ardhmen, që gjithmonë fillon tani.

Duhet fryma e saj ideale që të paraprijë. Shqipëria nuk ka pse të ketë nga sot e tutje liderë që nuk janë të lidhur me shpirtin e popullit të tyre, me martirizimin ndaj aspiratave të lirisë e të prosperitetit. Të vendit dhe individit njëkohësisht.

Kujtoj se kam kam shkruar dikur, paradoksalisht, i pari në gazetën e parë opozitare, që burgu ynë ishte Shqipëri e vogël dhe Shqipëria jonë ishte burg i madh, për rrjedhojë sot përsëris se duke qenë në sistemin shoqëror që ëndërronin të burgosurit politikë, në Shqipërinë që po shkon me mund atje ku deshën ata, në botën Euroatlantike, nuk mund të ketë lartësi pa patur themel burgun e atyre dëshirave të copëtuara, nuk mund të kete arritje të madhe pa atë baltë të përgjakur, s’mund të ketë kohë të vërtetë pa ato rënkime jete.

Ky nuk është kthim koke pas. Por bekimi për sigurinë e ecjes përpara si humanë.

Ajo statujë e pakët këtë porosi të madhe mërmërit në heshtje. Të mësojnë ta dëgjojnë ata që duhet./Panorama/

 

SHKARKO APP