13 miliardë në dhjetë vite – Ja si do të jetë Milano e vitit 2030
Në një Itali që s’po lëviz dhe nuk regjistron rritje, qyteti i Milanos është i vetmi që ‘vrapon’. Ai tërheq kapitalin privat falë sigurisë së rregullave dhe shpejtësisë së burokracisë, duke numëruar rreth gjysmën e kompanive ndërkombëtare në Itali ose ndryshe 10% të PBB kombëtare.
Kjo është arsyeja pse ky qytet është bërë kryeqyteti europian i investimeve sipas raportit të Skenarëve të Pasurive të Patundshme 2019. Në qershor, Milano theu rekordin e shitjeve të pasurive të patundshme: 1.6 miliardë euro, një kërcim prej + 38.9% në krahasim me gjashtë muajt e parë të 2018. Pothuajse të gjithë janë kapitale të huaja: investitorët kryesorë vijnë nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Azia (82.4%). Dhe në nëntë muajt e parë të vitit 2019 pati 2.1 miliardë euro investime.
Nuk është rastësi. Një vit më parë u regjistruan 2.8 miliardë investime, në vitin 2017 ato ishin 4.3. Kuptimi është një: Milano është bërë miniera e artë e pasurive të patundshme. Sidoqoftë, ka një ndryshim midis 2018 dhe 2019 pasi tani shoqëritë e mëdha nuk po investojnë më në qendrën historike, por synojnë zonat periferike si dhe Projektin Porta Nuova. Nuk janë vetëm shitje: deri në vitin 2024 priten 730 mijë metra katrorë treg i ri i pasurive të patundshme. Një qarkullim prej 2.9 miliardësh që ende nuk merr parasysh Lojërat Olimpike të vitit 2026 dhe ndërtimin e stadiumit të ri për ekipet e Interit dhe Milanit.
Shumë miliarda investime në duart e vetëm disa ndërmarrjeve të rëndësishme të pasurive të patundshme kryesisht të huaja që koordinojnë punimet private për të ndërtuar Milanon e vitit 2030. Sidoqoftë përpos të gjithave dhe sado bukur të duket e ardhmja e qytetit e përshkruar si më lart është e nevojshme që ky fenomen të qeveriset sepse një pjesë ende shumë e kufizuar e qytetit po e shijon këtë moment pozitiv. Rritja e kërkesës ka çuar në rritje çmimesh duke tërhequr më shumë turistët se sa vetë vendasit dhe të rinjtë që janë dhe shtresa më nevojtare për pasuritë e paluajtshme por me kosto të tilla është e pamundur të ketë barazi.
(LK)/ SCAN