15 mijë gropat e mistershme zbulohen në Paqësor

Ajo që po ndodh në oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të Kalifornisë, është një mister i vërtetë. Website-i “ScienceAlert”, shkruan se në shtratin e detit janë pikasur me mijëra vrima që askush nuk di të thotë sesi janë krijuar. Ekspertët i zbuluan rastësisht ndërsa po hulumtonin thellësitë e detit në Big Sur, të Kalifornisë.

Studiuesit nga Instituti i Kërkimeve ujore Monterey Bay (MBARI) thonë se vrimat e mëdha, kanë mesatarisht një diametër prej 11 metrash dhe janë një metër të thella. Ata kanë gjetur rreth 15 mijë të tilla. 30% e tyre përmbanin mbetje të natyrës njerëzore, si edhe peshq e krijesa të tjera që i përdorin këto vende si habitatin e tyre.

“Janë vërtet të mistershme, sepse nuk po gjejmë asnjë provë që të tregojë sesi janë krijuar”, tha Eve Lundsten, kërkuese pranë institutit MBARI.

Një prej teorive kryesore ishte se ky fenomen mund të jetë pasojë e gazit metan, që çlirohet nga nëntoka e që mbase ka lënë pas këto forma të çuditëshme.

Por ekipi i specialistëve i cili përdori deri edhe pajisje sonore, nuk arriti të gjente gjurmë metani. Këto xhepa në fakt, duket se kanë qenë joaktive për një kohë shumë të gjatë, megjithatë, shkencëtarët që vazhdojnë verifikimet, kanë zbuluar edhe disa të tjera më të reja, që duket të jenë krijuar më vonë.

SHKARKO APP