A duhet rimenduar sjellja ndaj plastikës në përgjithësi?
Një kamion plehrash shkarkohet në fund të oqeaneve tanë çdo minutë. Kjo përbën një masë gjigante prej 8 milion tonësh në vit. Plastika përbën rreth 90% të mbetjeve në oqean. Llogariten 46.000 copë plastike për milje²
Nga Gëzim Hoxha
Një masë e madhe shishesh dhe lugësh, pirunjsh e pjatash plastike u gjetën duke notuar në Karaibe. Një det plastike shtrihet për milje të tëra. Fotografja nënujore Karoline Pauër qe një nga dëshmitaret e para të kësaj batërdie. Fotot nuk të japim një pamje të drejtë të gjendjes – thotë Karolina në një video të shpërndarë në rrjetet sociale nga BBC muajin e kaluar. – Ajo është gjëja më shkatërruese dhe më e pështira që ju mund të imagjinoni të shikoni në ujë. Ne duhet të kemi përshkruar një zonë prej 5 miljesh të gjerë me plehra të shpërndara kudo. Mbi ujë ju mund të shikonit shishe plastike të notonin, ndërsa nën ujë qese pas qesesh plastike.
Dua të them është e pabesueshme, – vazhdon Karolina, – ato ishin kudo. Pastaj ne arritëm një zonë ku menduam që kishim parë më të keqen, por që mesa duket qemë gabuar. Aty gjetëm edhe më tepër plehra. Kjo zonë qe e gjerë 2 milje dhe vetw ajo ish një vijë plehrash prej 30 metrash e gjerë që shtriheshin nga njëri horizont në tjetrin. Ajo dukej gati – gati si një ishull që notonte.
Vende si Mbretëria e Bashkuar, përdorin rreth 13 miliard shishe plastike uji në vit. Nga këto vetëm 3 miliard riciklohen, pjesa tjetër përfundon nëpër landfiille dhe shumica e njerëzve mendojnë se unë e hedh këtë në koshin e plehrave dhe ajo largohet, por nuk është e vërtetë. Shumica e tyre përfundojnë duke u larë në ujërat e oqeaneve. – Dua të them, – vazhdon ajo, – sasia e plehrave të hedhura në oqeane është shndërruar në një barrier të pakalueshme dhe 90% e tyre janë mbetje plastike.
Në fund të vidios shkruhet një pyetje: “A duhet rimenduar sjellja jonë ndaj shisheve plastike?” Po kjo nuk është e vetmja pyetje që kërkon një përgjigje.
Një tjetër organizatë ndërkombëtare “Pastro Oqeanin” ka hedhur në faqen e saj “Sience Nature” kohë më parë një tjetër vidjo ku parashtrohen fakte tronditëse në lidhje me ndotjen e oqeaneve.
Një kamion plehrash shkarkohet në fund të oqeaneve tanë çdo minutë. Kjo përbën një masë gjigante prej 8 milion tonësh në vit. Plastika përbën rreth 90% të mbetjeve në oqean. Llogariten 46.000 copë plastike për milje². Një million zogj dhe 100.000 gjitar detar vriten në vit nga mbetjet plastike.
Kjo dëmton ekosistemet dhe ndërhyn edhe në kanalet ushqimore. Dekompozimi i këtyre mbetjeve zgjat nga 500 deri në 1000 vjet. Në vitin 2014 një copë nga një disk i thyer u gjet në barkun e një balene të nxjerrë në breg. Gëlltitjet e plastikës janë dokumentuar në 56% të gjitarëve ujor.
Me një normë të tillë konsumi prej 31% në disa prej popullatave në, 32% të 78 milion tonëve plastikë të prodhuar përfundon në botën nënujore oqeanike çdo vit. Kjo është e barasvlefshme me një kamion plehrash çdo minutë. Pritet që kjo sasi të dyfishohet në 2030 dhe të katërfishohet në 2050. Dhe me të tillë ndotje do të ketë më tëpër copa plastike sesa peshq nëpër oqeane. Llogaritet që në vitin 2050 të ketë 937 milion tonë plastikë dhe 895 milion peshk në oqeane.
Sot vetëm 14% e plastikës globale riciklohet dhe vetëm 2% ripërdoret për paketim. Në total humbja vjetore që pëson i gjithë planeti llogaritet nga 80 deri 120 miliard $. Gjithë kjo humbje a mund të mënjanohet, a mund të gjendet një mënyrë që ato të marrin një tjetër vlerë?
Kjo pyetje e ka një përgjigje dhe përsëri nga një tjetër vidjo. Faqja “Unknown facts” ka publikuar një vidjo me titull “Asgjë nuk mund të humbasë deri sa ju e bëni të humbasë atë ndërkombtarisht”. Në të jepen pamje të ndërtimit të shtëpive duke përdorur shishe plastike, të cilat mbushen në fillim me rërë. Dhe male të tëra me shishe plastike shndërroheshin në shtëpi me kosto të ulët në të cilat në vend të tullave përdoreshin shishe plastike.
Sistemi duhet të ndryshojë, sepse nuk mund të vazhdohet më kështu dhe për këtë po punojnë shumë njerëz. Një kompani që merret me pastrimin e oqeanit planifikon të përdorë rrjeta shumë të mëdha, të cilat i ka ankoruar në fund të oqeanit Paqësor. Kjo do të bëj të mundur që të kapen prej saj të gjitha copët e plastikës të hedhura në të.
Një tjetër zgjidhje e ka ofruar vetë natyra. Kjo është me anë të krimbave që hanë plastikën duke na ndihmuar neve që të heqim qafe mbetjet plastike. Këta janë krimba dylli, emrin e kanë marrë nga fakti që normalisht ato ushqehen me dyllin e bletëve. Për fat të mirë si dylli i bletëve ashtu edhe plastika kanë përbërje kimike të ngjashme.
Duke i lejuar këta krimba të ushqehen me polietilen një prej plastikës më të zakonshme, ata e shndërrojnë atë në glikol etileni i cila është përbërës natyral i fibrave të puliestrave dhe të substancave që pengojnë ngrirjen e motorëve të makinave.
Biodegradimi i qeseve plastike zgjat deri në 100 vjet, ndërsa 100 krimba dylli mund ta biodegradojnë 92 mg polietelen për 12 orë. Kërkuesit po mundohen ta përsërisin këtë mekanizëm në kushtet laboratorike për të mundësuar shkurtimin e kohës së tij.
E megjithatë edhe kjo nuk do e zgjidhte problemin. E vërtetë kjo do të hapte sektor të rinj ekonomik të panjohur deri më sot e do të gjeneronte ndoshta me mijëra vende pune. Por unë do ngrija një tjetër pyetje. A do të munden vallë krimbat e dyllit të përtypin me milliona a ndoshta me miliarda sende plastike që nuk dihet se ku përfundojnë? A do munden vallë krimbat të mundin babëzinë njerëzore për të konsumuar çdo gjë në këtë planet? Do të munden?
E deri sa ta gjeni përgjigjen, unë do të thoja se zgjidhja është edhe më e lehtë se sa mund ta imagjinoni. E kujt do t’i duhej të blinte një shishe uji nëse uji që rrjedh nëpër rubineta do të jetë brenda standarteve të atij që quhet ujë i pijshëm? Qeset plastike mund të zëvendësohen fare mirë me trastat prej fijesh najloni apo prej robe. Vetëm zgjedhja nuk duhet t’i lihet në dorë individit, kjo nuk të çon gjëkundi, duhen hequr fare nga qarkullimi qeset plaastike, ashtu si edhe shishet e bidonat plastikë. Kjo do e reduktonte tej mase të gjithë ndotjen globale.