A rrezikon një nënë me Covid-19 ta infektojë fëmijën përmes qumështit të gjirit?
Shumëkush mund të pyesë me të drejtë se çfarë i ndodh foshnjes në rastin kur e ëma është mbartëse e Covid-19. A transmetohet virusi përmes qumështit të gjirit? Studimi më i fundit thotë se jo, për fat të mirë diçka e tillë nuk ndodh.
Studiuesit analizuan dhjetëra mostra të qumështit të gjirit dhe dolën në përfundimin se asnjëra prej tyre nuk përmbante copa të materialit gjenetik viral. Po kështu, ata zbuluan se foshnjat merrnin antitrupa “të lindura nga qumështi”, që mund të neutralizojnë koronavirusin.
Ekipi, nga Universiteti i Qendrës Mjekësore të Universitetit të Rochester-it në Nju Jork, thotë se gjetjet japin prova të mjaftueshme që gratë me COVID-19 të mos ndahen nga të porsalindurit e tyre. Për të mundësuar studimin në fjalë, botuar në mBio, ekipi shqyrtoi 37 mostra të qumështit të gjirit, të paraqitura nga 18 gra që ishin diagnostikuar me COVID-19.
Asnjëra prej tyre nuk rezultoi shqetësuese! Mostrat nuk përmbanin material gjenetik të virusit ose antigjene, të cilat janë proteina që gjenden në sipërfaqen e virusit. U vu re se në gati dy të tretat e tyre shfaqeshin dy antitrupa specifikë për koronavirusin.
“Gjetëm nivele të larta të IgA-së – një antitrup i zakonshëm në gjak dhe lëngje të tjera të trupit – në qumështin e tyre të gjirit”, tha Dr Mark Sangster, një profesor në departamentin e mikrobiologjisë dhe imunologjisë në URMC.
Për fazën e ardhshme të hulumtimit, ekipi do ta zgjerojë studimin, ndaj po regjistron edhe 50 gra me gji të diagnostikuara me COVID-19. Studiuesit planifikojnë ta ndjekin vëzhgimin e tyre ndaj sëmundjes gjatë dy muajve,
“Kjo punë duhet të përsëritet në grupe më të mëdha. Për më tepër, tani duhet të kuptojmë nëse vaksina COVID-19 ndikon në qumështin e gjirit në të njëjtën mënyrë”, tha eksperti.