Adashi i Sali Berishës, një 80-vjeçar nga Mamurrasi (Foto)

Ky është Sali Berisha, por jo i biri i Ram Berishës nga Tropoja; nuk është ish­-president dhe ish­-kryeministër, por prapë është Sali Berisha.

I ka 80 vite, ka plot shtatë fëmijë dhe ndjehet mjaft i lumtur me emrin e tij, ndonëse gjendjen ekonomike nuk e ka të atillë siç i do i shkonte këtij emri.

Pra, është fjala për një Sali Berishë tjetër, e që është nga Mamurrasi.

Në vitin 1996, ka ndodhur që Sali Berisha ­president të takohet me adashin e tij të dyfishtë, që ndryshe nga ai, nuk kishte veshur ndonjëherë bluzë të bardhë e te merrej me zemrat e njerëzve, por ishte veshur me kombinoshe tërë njolla vaji e graso, pasi ishte marrë me “zemrat” dhe “trupat” e automjeteve si ish-punonjës në Parkun e Mallrave të Laçit. 

“Unë i jam prezantuar ish-­presidentit të Republikës, Sali Berisha, duke i thënë: Edhe unë jam Sali Berisha, por jam nga Mamurrasi, ndaj ne dy Berishët do të bëjmë historinë”, thotë Sala i Mamurrasit.
 
Sipas tij, nuk i është besuar ish-­presidentit të asokohe, Sali Berishës, se na qenka dhe një tjetër emër si ky, por jo me sozinë e tij.
 
“Ndonëse jam punëtor, jam demokrat i flaktë si tërë mamurrsakët e tjerë”, ­i është përgjigjur Berishës së Viçidolit, Berisha i Mamurrasit.
 
“Unë jam Sali Berisha i Mamurrasit dhe ti ai tropojani që po drejtoni vendin, ndaj duam të qeverisim mirë nën siglën e PD­-së”, citon sërish veten Sala 80-­vjeçar, kur i është drejtuar Salës famëmadh në politikën shqiptare.
 
Dhe teksa e pyet sot 80­-vjeçarin nga Mamurrasi i cili jeton në një shtëpi përdhese njëkatëshe dhe me boll probleme ekonomike, nëse i qëndron sërish fanatik liderit të qeverisë së mëparshme, këtij Sali Berishës që sot ndodhet në opozitë, ai thotë se po.
 
“Me Edi Ramën nuk më lidh asgjë dhe nuk e dua si kryeministër”, deklarohet politikisht Berisha i Mamurrasit, sipas së cilit, edhe nëse Rama mund të qeverisë shumë më mirë nga adashi i tij i dyfishtë, Sali Berisha, ai nuk ka ndërmend të heqë dorë nga dashuria politike ndaj Salës së Tropojës.
 

SHKARKO APP