Arra jo vetëm një frut, por edhe “pema e demonëve dhe hyjnive”
Falë përmbajtjes së të pasur të kripërave minerale, vitaminave dhe yndyrave Omega 3.
Shumica e njerëzve i njohin vlerat e arrës dhe e shijon me kënaqësi frutën e saj, por ka jo pak njerëz që u besojnë ende legjendave të mjegullta rreth arrës, legjenda që i kanë dhënë edhe “titullin” si “fruti i shtrigave”.
Sepse, thonë legjendat, me fort se i duam ne, arrat i duan shtrigat dhe demonët.
Druri i arrës vjen nga Azia e Afërt, por sot është i përhapur në gjithë botën.
Prej kohësh qe s’mbahen mend, arra, ky dru dhe frutë aq i çmuar, mbart me vete edhe plot legjenda të liga të lidhura me demonë, shtriga e magji të zeza.
Për këto arsye, tradita popullore na e ka mbushur mendjen që arra është një pemë e mallkuar e prandaj nuk duhet fjetur kurrë poshtë saj.
Edhe ndër shqiptarët besohet se, ai që mbjell një arrë, do të vdesë kur trungu i arrës të rritet në përmasat e qafës se tij!
Të flesh nën “pemën e mallkuar”, do të thotë të provosh këputje, shqetësime të përgjithshme, dhimbje koke e temperature.
Po i njëjti besim ndalon ngritjen e stallave të bagëtive në afërsi të arrave, sepse rrënjët e tyre, duke depërtuar nga poshtë, mund ta vrasin gjithë gjënë e gjallë.
Aq e vërtetë është kjo, sa shume njerëz kanë frikë të flenë nën hijen e arrës dhe stallat nuk ndërtohen afër arrave!
Ç’ka të vërtetë në legjendat rreth arrës?
Ka plot histori e legjenda, që u kanë mbijetuar shekujve, e kësisoj kënq ndikuar në raportin që vendos njeriu me një bimë, kafshë a objekt të caktuar. Arra nuk bën përjashtim nga rregulli.
Si në çdo legjendë – që nuk lind nga hiçi – edhe në këtë të arrës ka një grimë të vërtetë: në gjethet dhe rrënjët e arrës gjendet një substance kimikë helmuese dhe e demshme. Qe mund t’ua “shkurtoje jeten” pemëve që gjenden përreth saj!
Është “Juglandina” substanca që ia ka dhënë gjithë namin e keq arrës dhe e ka “dënuar” këtë të jetojë e vetmuar, larg pemëve të tjera.
Edhe pse shpjegimi shkencor mund të na lehtësoje disi, prape se prape legjendat mbeten të gjalla, të mbështjella nga një vello misteri, sidomos kur ata lidhen me shtrigat dhe demonët.
Në Mesjete besohej se arrat ishin streha e djallit, prandaj fatziun që kishte pushuar ose e kishte zënë gjumi nën arrë, e kishte marre djalli! S’i behej më derman!
Jo vetëm kaq, por besohej gjithashtu se nën hijen e arrës, shtrigat e shtriganët mblidheshin për të kërcyer e për të festuar rite demoniake e për të krijuar magji të reja në kurriz të viktimave të pafajshme!
Legjendat rreth arrës nuk lidhen vetëm me demonët, por edhe me hyjnitë.
Arra i përket familjes Juglandaceae, fjalë që rrjedh nga termi latin “Jovis glans”, me kuptimin “lendja, boçja, fryti i Jupiterit” (ka autorë që i japin kuptimin “koka e penisit të Jupiterit”!)
Askush nuk mund ta shpjegojë këtë lidhje të arrës me shenjtërinë hyjnore, por mendohet se ka të bëjë me madhësinë e kurorës – pra me madhështinë e saj imponuese – dhe rritjes se saj në vende të veçuara.
Për përshkrimin sado të përmbledhur të legjendave rreth arrës, duhet vend e kohe me bollëk, por ajo çfarë mund të thuhet në fund e pa frikë, është:
- Hani arra sa të mundeni, se janë të shijshme e të dobishme.
- Sa herë t’ju bjerë rasti, rrini e pushoni te qetë nën hijen e arrës se, sa për “demonët e shtrigat që gjenden aty”, s’ka me ju gjatë kurrnisend e asnjëherë!