Çfarë është “sindroma e zemrës së thyer” dhe nga çfarë shkaktohet
Vite studimesh kanë treguar se kur vjen puna tek çeshtjet e zemrës gjinia ka shumë rëndësi. Një shembull për këtë është edhe problemi i zemrës i quajtur kardiomiopatia takotsubo, i njohur edhe si sindroma e zemrës së thyer, që u përshkrua për herë të parë në vitin 1990 në Japoni.
Më shumë se 90% e rasteve të raportuara janë në gratë e moshës 58 – 75 vjeç. Studimet sugjerojnë se 5% e femrave të dyshura se kanë atak në zemër, në fakt kanë këtë problem. Shumica e njerëzve përmirësohen pa pësuar ndonjë dëmtim afat – gjatë.
Karakteristika të kardiomiopatisë takotsubo:
Dhimbje në kraharor dhe vështirësi në frymëmarrje pas një stresi të rëndë (emocional apo fizik).
Parregullsi në elektrokardiogramë që imitojnë ato të një ataku në zemër.
Nuk ka prova të një bllokimi të arterieve koronare.
Parregullsi në lëvizjet e ventrikulës (barkushes) së majtë.
Fryrje e ventrikulës së majtë.
Rimëkëmbje brenda një muaji
Çfarë është kardiomiopatia takotsubo apo sindroma e zemrës së thyer?
Kardiomiopatia takotsubo është një dobësim i ventrikulës së majtë, dhomës kryesore pompuese të zemrës, zakonisht si rezultat i një stresi të rëndë fizik apo emocional, si një sëmundje e papritur, humbja e një njeriu të afërt, një aksident serioz, apo një fatkeqësi natyrore si p.sh. një tërmet.
Kjo është arsyeja se pse ky problem quhet edhe kardiomiopatia e shkaktuar nga stresi, apo sindroma e zemrës së thyer. Simptomat kryesore janë dhimbja në kraharor dhe vështirësia në frymëmarrje.
Stresorë të lidhur me kardiomiopatia takotsubo:
Rënie e papritur e tensionit të gjakut
Sëmundje serioze, ndërhyrje kirurgjikale, apo procedurë mjekësore
Dhimbje e rëndë
Dhunë
Krizë astme
Marrja e lajmeve të këqija (si p.sh. një diagnozë kanceri)
Aksident me makinë apo ndonjë lloj tjetër aksidenti
Humbje e papritur, sëmundje apo lëndim i një njeriu të afërt, shoku apo kafshë shtëpiake
Një zënkë e rëndë
Humbje financiare
Frikë intense
E folura në publik
Një festë surprizë apo surprizë tjetër e papritur
Shkaku i saktë nuk dihet plotësisht, por ekspertët mendojnë se rritja e hormoneve të stresit (p.sh. adrenalina), në thelb, “trullos” zemrën, duke shkaktuar ndryshime në qelizat e muskujve të zemrës apo enët koronare të gjakut (ose të dyja) që pengojnë kontraktimin në mënyrën e duhur të ventrikulës së majtë. Sindroma e zemrës së thyer ndodh më shpesh tek femrat se sa në meshkuj, sidomos pas menopauzës/shendeti.com