Çfarë fshihet pas famëkeqes 13 shtator?
Për këdo që s’është në dijeni, sot jemi në atë që konsiderohet si “e premtja e tersit”. Njerëz në mbarë botën kanë bindjen se në një datë të tillë, fatkeqësitë nuk kanë të sosur; aq shumë madje sa “e premtja 13” është një nga besytnitë më të përhapura mes njerëzve.
Si lindi e gjitha kjo?
Ç’është e vërteta, numri trembëdhjetë është konsideruar historikisht si aspak fatsjellës, për vetë faktin se Juda, i cili siç shkruhet në Bibël tradhtoi Jezusin, ishte i ftuari i trembëdhjetë në Darkën e Fundit. Sikur të mos mjaftonte kjo, e premtja nga ana tjetër s’është aspak e favorshme kur vjen çështja te tersi, nisur nga fakti se kryqëzimi i Jezusit ndodhi pikërisht këtë ditë. Persona të tjerë e lidhin të premten famëkeqe me ditën kur mbreti Filip IV ekzekutoi me qindra kalorës pjesëmarrës në kryqëzatat e Jeruzalemit. Përsa i përket numrit 13, fobia ndaj tij është kaq e madhe sa shpesh ndodh që në avionë, numri 13 të mos shënohet fare. Po kështu, si për rastësi të fatit, ose jo, disa ngjarje të bujshme, aspak pozitive kanë ndodhur gjejeni çfarë, pikërisht më datën 13! Kështu, Tupac vdiq më 13 shtator, 1996 si dhe më 13 shtator, 1940, nazistët goditën Pallatin Buckingam me 5 bomba.