Çifti vlonjat në Firence krijon parfumin e parë “Shqipëria ime”
Ashtu si shumë shqiptarë në botë që jetojnë e punojnë janë dhe krijuesit e parfumit të parë shqiptar “Shqipëria Ime” Jola Hasimi dhe Nertil Boraj. Kanë emigruar nga Vlora në Firenze të Italisë me familjet e tyre dhe kanë bashkuar shpirtrat, tashmë bashkë, burrë e grua.
Në rastin e Jolës dhe Nertilit qëndron drejtë shprehja: “janë bërë mish e thua” jo vetëm në anën sentimentale por edhe në anën profesionale. Janë rasti i shqiptarëve të emigruar jashtë trojeve të Shqipërisë që luftojnë për të ngritur emrin e atdheut të tyre.
Janë nacionalistë? Këtë e kupton që në fillim të bisedës me të dy, por jo vetëm. Të krijosh aromën e parë shqiptare për ta përhapur në gjithë botën mendoj se nacionalizmi është pak për të dy, të ushqyer nga zakonet, traditat dhe gjuha shqipe.
“Shqipëria Ime” quhet parfumi kuq e zi i cili sipas Jola Hasimit krijueses së parfumit është fillimi i risive që do të bëjnë për vendin e tyre.
Në një intervistë ekskluzive për shqiptarja.com, Jola Hasimi dhe Nertil Boraj themeluesit e shtëpisë së modës “JH, Jola Hasimi”, thanë se tashmë aroma shqiptare “Shqipëria Ime” Made in Italy po përhapet në të gjithë botën ku shitjet më të mëdha janë në Amerikë, Kanada dhe Kosovë.
Parfumi me nota atdhetare sipas 23 vjeçares, Jola Hasimi, nuk është krijuar vetëm për të prekur zemrat atdhetare të shqiptarëve që kanë emigruar por edhe për të huajt të cilët kanë shprehur një interes edhe më të madh.
Kush është Jola Hasimi dhe Nertil Boraj?
Jemi dy shqiptarë si shumë të tjerë në botë. Prej disa vitesh në Firenze. Kemi vendosur t`i japim jetë ëndrrës tonë duke krijuar markën “JH, Jola Hasimi”. E para markë shqiptare Made in Italy, por e vlefshme në të gjithë botën.
Znj. Hasimi keni krijuar parfumin më të veçantë e më atdhetar. Si ju lindi ideja?
Jola Hasimi: Unë jam rritur mes parfumesh pasi për shumë kohë në Vlorë (qyteti ku kemi lindur të dy) kemi patur një dyqan ku tregtonim markat më të mëdha. Më pas ideja e studios së modës erdhi natyrshëm. Përsa i përket çështjes patriotike ose atdhetare ne vuajmë racizmin dhe famën e keqe të të mos paturit diçka tonën identifikuese. Ishte përgjigja jonë "Shqipëria Ime".
Z. Boraj, si themeluesi i shtëpisë së modës JH, a keni patur bashkëpunime me firma të tjera të njohura ndërkombëtare?
Nertil Boraj: Themeluesit e “JH Jola Hasimi” jemi vetëm unë dhe bashkëshortja ime. Unë dhe Jola synojmë një treg të gjerë. Jemi të marrosur pas të bukurës dhe pas gjërave që kanë jetgjatësi dhe përcjellin një mesazh. Natyrisht për të aritur të gjitha këto kemi zgjedhur me vëmendje realizuesit.
Sa kohë ju është dashur në krijimin e “Shqipëria Ime”?
Jola Hasimi: Projekti është regjistruar thuajse dy vite më parë dhe automatikisht është pjesë e listës botërore të parfumeve si i pari shqiptar në botë. Janë bërë 1020 prova përpara se të zgjidhnim të duhurën.
Mendoni se do të prekni zemrat e shumë atdhetarëve me parfumin tuaj?
Jola Hasimi: Absolutisht, parfumi nuk është krijuar për të prekur askënd por për të prezantuar aromë, ngjyra, vargje shqiptare kudo në botë.
Aroma shqiptare e parfumit tuaj përbëhet nga elementë të natyrës sonë? Cilët janë përbërësit e parfumit?
Jola Hasimi: Parfumi ka një piramid olfative të realizuar në perfeksion jo më kot u deshën dy vite. Çdo element është unik. Nuk përmban asnjë element ngjyrosës ose pigment. Mesi i piramidës ose notat e zemrës së parfumit janë tërësisht Shqipëria. Përveç tyre, përmban dhe drurin WOOD që e klasifikon menjëherë si "fragranze nobile".
Kjo është aroma e parë shqiptare që po përhapet në gjithë botën. Mendoni që ky parfum do të jetë pikënisja për të korrur sukses me shtëpinë tuaj të modës JH? Objektivat e së ardhmes?
Nertil Boraj: Ne tanimë kemi nisur karrierën tonë në fushën e modës. Projekte thuajse në përfundim vijnë shumë shpejt në JH, të cilat do të jenë risi për Shqipërinë. Parfumi ishte vetëm fillimi, të tjerat surprizë.
Komplimente për dizanjin. Parfumi indentifikohet mjaft mirë me Shqipërinë. Të dy keni punuar për idenë e imazhit të tij apo keni patur bashkëpunime?
Nertil Boraj: Dizajni është tërësisht i personalizuar që nga tapa dru arre e lyer me dorë. Shishja po ashtu. Kutia bijou dhe qeska që e plotëson. Puna është tërësisht artizanale (e bërë me dorë). I jemi besuar COVERPLA (Francë). Përsa i përket pjesës grafike ja kemi besuar një tjetër vajze shqiptare Lorina Gushi e diplomuar në Athinë por mjaft e njohur edhe në Itali nëpërmjet punës së saj për stilisten e madhe Sonia Fortuna. Lorina jo vetëm ka përqafuar idenë tonë por na ka ndihmuar me shumë profesionalizëm.
Është e vërtetë që këtë parfum e keni krijuar vetëm për shqiptarët që jetojnë jashtë kufinjëve të Shqipërisë?
Jola Hasimi: Po parfumi i referohet pjesës emigrante por shitjet po na tregojnë që nuk është e vërtet. Janë shumë të huaj që e kanë blerë.
Kujt ja keni kushtuar?
Të gjithëve qoftë si mesazh, qoftë si ideal, qoftë si apel për këdo që harron gjuhën dhe mohon atdheun!
Deri më tani në cilin vend të botës ka patur më shumë kërkesa?
Amerikë, Kanada dhe Kosovë.
Ku mund ta gjejmë?
http://www.jolahasimi.com
Sa kushton?
13-80€
Kë falenderoni?
Mirënjohës të gjithëve! Falenderimi i takon vetëm zotit!/Shqiptarja.com