Eksperimenti “metamorfoza e krimbit të mëndafshit” mund të kthehet në punë sezonale
Nga Ismet Balaj –
Qendra Kulturore e Fëmijëve në Fushë-Arrëz, edhe pse pandemia ia kufizon punën rretheve, ajo vazhdon veprimtarinë në grupe të vogla. Rrethi i artit ( orkestra e çiftelisë) me drejtues Pjetër Nimanin; i këngës e i valleve me drejtues Ylber Islami, Merita Gjinaj dhe Seferin Delia, si edhe rrethi i sportit me drejtues Mark Toplanën, kanë vazhduar përgatitjen e talenteve të reja. Sidomos rrethi i shkencës me drejtuese Rina Simoni dhe Valbona Leka është model se si mund të bëhen punë të mira edhe në kushte të vështira. Rina, me grupin e saj të sektorit të shkencës, ka realizuar me sukses eksperimentin “Metamorfoza e rritjes së larvës së krimbit të mëndafshit”. Në prill të këtij viti ajo mori një kuti me larva mikroskopike nga Universiteti Bujqësor Tiranë dhe i vendosi në një dhomë në kushte që të realizohej eksperimenti, si temperatura, oksigjenimi, lagështia, ndriçimi dhe ushtrimi. Këto i realizoi me përpikëri sipas protokollit laboratorik, duke vëzhguar, hulumtuar dhe duke mbajtur kalendarin ditor.
Ky punim i mirofilltë shkencor kaloi nëpër këto procese:
- Larvat u ushqyen me gjethe mani, prandaj ato u zhvilluan dhe u rriten. Nga një kuti e vogël, u shtuan edhe tetë të tilla.
2.Për pesë javë larva kreu një cikël të vështirë që kërkonte shumë kujdes nga eksperimentuesit.
- Dy javë e gjysmë vazhdoi cikli i endjes së fijes së mëndafshit nëpër muret e dhomës
- Vazhdon vjelja e topave të mëndafshit që larvat kishin ëndur nëpër muret e shtëpisë.
5.. Procesi i tharjes dhe i pastrimit të topave të mëndafshit vazhdoi tri javë .
- Përpunimi në mënyrë artizanale i fijes së artë të mëndafshit dhe kthimi në pëlhurë.
Gjithë këto procese bashkë me fijezimin bëhen për rreth tre muaj. Këtë punë shkencore e drejtoi mësuesja e biologjisë Rina Simoni, e cila aktivizoi edhe anëtarët e rrethit të shkencës si Enio Simoni, Valmira Basha, Migena Basha, Enea Martini, Keisi Leka, Kondoleza Simoni, Erlinda Pepa, Samuel Pepa, Ardit Mulaj dhe Viktoria Gjergji. Organizimi në kushtet e kufizimit nga pandemia, duke vepruar në grupe të vogla, është një mësim për të gjitha shkollat që përfshihen në bashkinë e Fushë-Arrësit, si në Kryezi, Qafë-Mali, Xath, Flet, Dardhë, Arst, Iballe, Bugjon dhe Fierzë etj. Ato në pranverën e ardhshme, mund të veprojnë kështu. Në të gjitha fshatrat e bashkisë Fushë-Arrëz, kultivohet me shumicë pema e manit. Është gjithashtu me vlerë që, ky pinim shkencor, te kthehet në një detyrë për të gjitha shkollat në territorin e të cilave kultivohet kjo bimë. Natyrisht duhet të përfundojë procesi e të prodhohet pëlhura e mëndafshtë sepse është mjaft e kërkuar edhe në tregje ndërkombëtare. Kështu kthehet edhe në një burim të ardhurash nga një punë tremujore që bëhet pa shumë mundime.