Foto selfie që i kushtoi Skocisë Euro 2016
Kjo foto selfie mund t’i ketë kushtuar Skocisë kualifikimin në Euro 2016. Në ndeshjen eliminatore mes Skocisë dhe Polonisë, i riu vendas zbriti në fushë gjatë pjesës së dytë duke i kërkuar sulmuesit polak një foto.
Ai e postoi menjëherë foton në profilin e tij në Instagram ku mijëra skocezë e kanë sulmuar pasi vonesa që ai shkaktoi në fushë e detyroi arbitrin të jepte 4 minuta shtesë dhe pikërisht në sekondat e fundit të ndeshjes, Lewandowski realizoi golin e barazimit 2-2 që shoi përfundimisht shpresat e skocezëve për një vend në play off.
Gjatë pjesës së dytë u kryen plot 6 zëvendësime dhe sipas rregullores për një zëvendësim llogaritet me 30 sekonda shtesë çka do të thotë se arbitri duhej të jepte 3 minuta. Gjithsesi, arbitri Viktor Kassai u detyrua të shtonte edhe një minutë për shkak të hyrjes së tifozit në fushën e lojës ku 13- vjeçari i kërkoi një foto sulmuesit polak.
Në këtë mënyrë, skocezët kanë vërshuar në llogarinë e të riut në Instagram duke e sulmuar me fjalë fyese. Një gjest që do ta ndryshojë përjetësisht jetën e 13-vjeçarit pasi ajo foto me shumë mundësi i ka kushtuar Skocisë një vend në play off ku arriti të shkonte Irlanda e vendit të tretë.