Gjejnë shkrimin e pahijshëm në faturë, çifti i gayve u bën namin pronarëve të restorantit
Një çift të rinjsh gay, rreth 20-vjeç, të cilët ishin duke darkuar në një restorant në zonën San Giovanni, në Romë, janë përballur me një faturë me shkrim homofob.
Çifti kërkoi që, në vend të djathit të deles, në salcën e makaronave të kishte djathë parmezan. Në shënimin e kamarierit për të rinjtë, krahas porosisë, kishte shpëtuar edhe një shprehje homofobe.
Në fund të darkës, në faturën që duhet të paguanin, shkruhej: “Jo djath deleje, Po pederast”.
Pasi djemtë i kërkojnë llogari për atë që ishte shkruar, tërësisht të ofenduar, kamarieri ia kthen serbes-serbes, duke u justifikuar se ishte një gabim i kompiuterit.
Në këtë situatë ndërhyri edhe pronarja e restorantit duke insistuar se bëhej fjalë për një problem teknik dhe duke u përpjekur ta zvogëlojë rëndësinë e situatës.
Pas 30 minutash debat, pa kërkuar ndjesë, u ofrua t’i paguante darkën, por çifti nuk ka pranuar dhe denoncoi ndodhinë në sajtin e Lgbt dhe më pas në linjën e ndihmës për njerëzit gay për të marrë suport juridik.
Fabrizio Marrazzo, përgjegjësi i Gay Help Line dhe zëdhënës i Gay Center, e ka cilësuar si një ngjarje tepër të rëndë atë që ndodhi.
Ai u shpreh:
Nuk ka asgjë për të qeshur dhe nuk është e pranueshme që një çift gay të mos shkojë dot në një restorant në qendër të kryeqytetit, pa u ofenduar dhe pa iu prishur mbrëmja.
Kjo është thirrja e fundit që i bëjmë kryebashkiakut: I kërkojmë Raggi-t t’i heqë liçencën restorantit dhe të vlerësojë faktin për t’i vënë disa sanksione.
Restorantet janë lokale me liçencë publike dhe veprimet diskriminuese nuk mund të lejohen.
Ndërkohë, ftojmë të gjithë qytetarët dhe turistët të braktisin lokale të tillë.”