Grupi i gjakut ndikon në ecurinë e COVID-19 në trupin tonë

Nga Anisa Elmazaj –

Rezultatet e para të një studimi të kryer nga Klinika Universitare në Oslo dhe Universiteti Kiel në Gjermani bëjnë me dije se, grupi i gjakut mund të ketë një ndikim të madh në rrezikun ndaj COVID-19.

Vetëm 10% e të prekurve me Korona virus shfaqin simptoma të rënda të sëmundjes sikundër janë vështirësitë e mëdha në frymëmarrje deri në rrezik për jetën. Faktorët që rrisin rrezikun ndaj sëmundjes janë vazhdimisht temë diskutimesh. Një studim i parë i publikuar në “medRxiv” implikon grupin e gjakut si një ndër to.

Sipas këtij studimi, pacientet që kanë vuajtur pasojat më të rënda në rrugët e frymëmarrjes rezultojnë të jenë pacientët e grupit A me rezus pozitiv . Nga ana tjetër, është vënë re se pacientët e grupit 0 jane më të mbrojtur.

Shkencëtarët kanë analizuar mostrat e gjakut të 1610 pacientëve nga Spanja dhe Italia, të cilët ishin prekur nga virusi COVID-19.

Edhe studime më të hershme të kryera nga Universiteti i Wuhan kanë nxjerr përfundime të ngjashme. Në mars të vitit 2020 studiuesit kinezë vunë re një lidhje midis grupit të gjakut dhe prekjes nga Sars-COVID-19. Ata zbuluan se grupi A ishte më shpesh i prekur nga ky virus ndërsa ai 0 shumë më rrallë.

SHKARKO APP