Hitleri kandidon kundër Leninit
Hitleri po përpiqet të rimarrë pushtetin. Nuk bëhet fjalë për ringjalljen e diktatorit nazist. Hitler quhet kandidati për kryetar të një qyteze të vogël në Perunë qendrore. Ky është Hitler Alba Sançez. Është 37 vjeç dhe të gjithë e njohin si “Hitleri i mirë”.
“Në të vërtetë Hitleri, Hitleri i mirë, kthehet në këto zgjedhje me mbështetjen e miqve, simpatizantëve dhe popullatës”, tha ai.
Hitleri peruan po kandidon për t’u rizgjedhur si kryetar komune në qytezën Jungar, me më shumë se 3 mijë banorë. Ai ka drejtuar qytezën mes viteve 2011 – 2014. Por surpriza nuk mbaron me kaq. Në fletën e votimit të zgjedhjeve të 7 tetorit ai do të ketë përballë Leninin, Leninin peruan me identitetin e saktë Lenin Vladimir Rodrigez Valverde.
Hitleri, mbështetjen e ka më të madhe se Lenini, pasi në muret e qytezës dominojnë parullat me emrin e tij. “Besim të plotë tek Hitleri” dhe “Të gjithë jemi Hitler”. Familjen që i ka vënë emrin, nuk e lidh asgjë me të shkuarën naziste dhe as nuk e simpatizojnë. Emrin ia ka vënë babai, një fermer që e kishte dëgjuar vetëm si mbiemrin e një udhëheqësi, por i painformuar për historinë e tij.