Ja emrat që preferojnë emigrantët shqiptarë në Itali t’u vendosin fëmijëve të tyre

Aron, Noel, Liam, Kevin e Enea, për djemtë e Amelia, Emma, Noemi e Emily për vajzat, janë emrat më të përdorur për fëmijët  e lindur nga emigrantët shqiptarë në Itali. E vogëlushët shqiptarë të lindur nga prindër emigrantë renditen ndër të tretët më të shumtë në numër pas atyre me origjinë rumune e marokene.

Si një ndër katër komunitetet e huaja më të mëdha në numër, shqiptarët zgjedhin për fëmijët e tyre kryesisht emra popullorë italianë e larg kulturës së tyre , gjë që nuk vihet re tek emigrantët nga Maroku që preferojnë emra tradicionalë marokenë si Amira, Sara, Nour, Jannat, e Lina për vajzat e  Amir, Adam, Rayan, Youssef e Jad për djemtë.

Analiza e këtij informacioni ka ardhur nga dosjeri i sapo publikuar nga Instituti Italian i Statistikave mbi lindjet e fekonditetin e popullsisë rezidente në Itali.

Viti i fundit ka regjistruar një tjetër rekord negaitv mbi nivelin e lindjeve në Itali, gati 20 mijë më pak se një vit më parë e një reduktim me rreth 156 mijë lindje më pak, të shënuara që prej vitit 2008.

Gjatë një viti në Itali tek popullsia rezidentë janë regjistruar 420.084 fëmijë të lindur e 327.724 prej tyre i kanë të dy prindërit italianë.

Në reduktim të dukshëm është dhe numri i fëmijëve të lindur nga prindër emigrantë në Itali, duke zbritur nën kuotën e 70 mijë lindjeve të regjistruar për herë të fundit më vitin 2016. Gjatë një vitit janë 62 918 fëmijë të lindur nga dy prindër të huaj rezidentë në Italia e rreth 2500 më pak se një vit më parë.

Fëmijë të lindur nga prindër emigrantë shqiptarë në Itali janë 6 684 e për nga numri renditen në vendin e tretë pas atyre të lindur nga prindër rumunë që janë 12.215 e marokenë 8687.

Po ashtu dhe tek lindjet kur vetëm nëna është shtetase e huaj e babai italian, fëmijët e lindur nga nëna shqiptare janë 8.425 e të tretit për nga numri pas vogëlushëve me nëna rumune e marokene ( përkatësisht 15.630 e 11.078 fëmijë).

Fekonditeti i nënave rezidente në Itali ka regjistruar  nivelin e minimumit historik gjatë vitit të fundit e është mesatarisht 1. 27 fëmijë për nëna.

Fekonditeti i nënave italiane ka zbritur në nivelin më të ulët të regjistruar prej vitit 1995 e ka arritur në koeficentin e 1.18 fëmijë për cdo nënë,  ndërsa për nënat e huaja që jetojnë në Itali është mesatarisht 1.98 fëmijë.

Në veri të Italisë në çdo 5 fëmijë të lindur, një prej tyre i ka prindërit të huaj. Fëmijët e lindur nga prindër emigrantë përbëjnë mbi 21% të lindjeve në rajonet veriore e veri lindore italiane ndërsa në rajonet jugore italiane ky fenomen është mjaft i reduktuar.

Në koeficentin e lindjeve në Itali ndikon dhe numri i grave emigrante që çdo vit marrin nënshtetësinë italiane. Gratë shqitpare janë ndër më të shumtat në numër e brenda një viti rreth 13 mijë emigrante shqiptare kanë fituar të drejtën e nënshtetësisë italiane e baraz me rrreth 20% të kuotës së përgjitshme të rreth 127 mijë grave të huaj që janë bërë shtetase italiane brenda një viti.

Gratë emigrante kontribuojnë pozitivisht në koeficientin e fekonditetit në Itali, në numrin mesatar të fëmijëve për prindër e në moshën mesatare të nënave rezidente.

Mosha mesatare për t’u bërë nëna në Itali është 31.3 vjeç, e në çdo katër gra të lindur pas vitit 1979 një prej tyre nuk ka fëmijë.

SHKARKO APP