Ja si testohet një pacient për koronavirus

Procedura e testit për koronavirus është e lehtë dhe mund të bëhet pothuajse kudo. Zakonisht testi përfshin marrjen nga zgavra e hundës së një pacienti një koleksion qelizash.

Më pas mostra dërgohet në një laborator, ku testohet për të përcaktuar nëse qelizat e pacientit janë infektuar me virus. E njëjta procedurë përdoret edhe për të mbledhur një mostër nga një person që mund të ketë grip.

Ndërsa marrja e mostrës është e lehtë, përcaktimi nëse një person është i infektuar me koronavirus është shumë më i komplikuar.

Metoda aktuale kërkon materialin gjenetik të virusit (ARN) në qelizat e pacientit. Për të zbuluar praninë e ARN-së në kampionin e pacientit, laboratorët kryejnë një provë të quajtur RT-PCR (reverse transcriptase polymerase chain reaction), shkruan media greke Zougula.gr.

Kjo metodë fillimisht konverton çdo ARN virale në ADN.

ADN-ja më pas kopjohet miliona herë derisa të ketë mjaft kopje që mund të zbulohen duke përdorur një pajisje të veçantë, të quajtur instrument për përcaktimin sasior të PCR.

Nëse materiali gjenetik nga virusi gjendet në mostër, atëherë pacienti është i infektuar nga virusi. Duhen 24-72 orë për të marrë rezultatet.

Gjatë provave të para, kishte disa dyshime për saktësinë e tyre, pasi një studim zbuloi se 3% e testeve në Kinë dhanë një rezultat negativ kur njerëzit ishin në të vërtetë pozitivë.

Sidoqoftë, ky lloj i testimit gjenetik është përgjithësisht i saktë – më i saktë sesa testet e shpejta të gripit  dhe përfitimet e testimit tejkalojnë marzhin e gabimit.

Testi i koronavirusit kërkon një kit, një pajisje të specializuara dhe personel të trajnuar posaçërisht. Po prodhohen shumë kite për të plotësuar kërkesat,  ndërsa Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka shpërndarë rreth 1.5 milion në 120 vende

A duhet të merren parasysh të gjithë njerëzit me simptoma?

Realisht nuk është e mundur të bëhet një gjë e tillë. Gjithsesi, profesionistët e kujdesit shëndetësor besojnë se është e rëndësishme t’i jepet përparësi testimit të atyre që kanë më shumë nevojë: atyre me rrezik të lartë, siç janë punonjësit e kujdesit shëndetësor që kanë rënë në kontakt me pacientët COVID- 19. Gjithashtu, njerëzit simptomatikë në zonat me rrezik  të lartë të infeksionit dhe njerëzit mbi 65 vjeç me probleme shëndetësore kronike, të tilla si sëmundjet e zemrës, sëmundjet e mushkërive ose diabeti.

Më shumë teste janë të rëndësishme sepse do i lejonte shkencëtarët të kuptojnë më mirë si do të jetë ecuria e pandemisë dhe të parashikojnë  ndikimin e virusit në shoqëri.

SHKARKO APP