Jetë në Hënë? Përfundon eksperimenti biologjik kinez, rezultatet
Jetë e shkurtër për sythat e pambukut të çelur në anën e fshehur të Hënës, të cilët janë vrarë nga i ftohti. Mbyllet kështu eksperimenti biologjik që filloi menjëherë pas uljes së 3 janarit të misionit kinez Chang’e-4. Me mbërritjen e natës së gjatë hënore, temperatura brenda mini-serrës ka rënë në 52 gradë nën zero, duke i dhënë fund eksperimentit, raporton agjencia e lajmeve China Neës Service.
Përkundër gjithçkaje, teknikët e agjencisë kineze të hapësirës CNSA janë të kënaqur me rezultatin e tyre historik: sythat e pambukut të mbirë në Hënë përfaqësojnë formën e parë të jetës të lindur në një trup qiellor të ndryshëm nga Toka, një hap themelor për të provuar mundësinë e kultivimit të frutave dhe perimeve në planete të tjera për furnizimin e kolonive të ardhshme njerëzore në hapësirë. Deri më tani, përpjekje të ngjashme ishin bërë vetëm në bordin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar në orbitën rreth Tokës.
Në biosferën Chang’e-4, së bashku me sythat e pambukut, janë prezentë dhe farat e arabidopsis, patates, majasë etj, por që nuk kanë dhënë shenja jete, të paktën duke gjykuar nga imazhet e botuara nga Cnsa (autenticiteti i të cilave megjithatë vihet në pikëpyetje nga disa faqe dhe tabloide).
Të gjitha materialet biologjike të serrës për momentin rezultojnë të ngrira: me fundin e natës hënore (e cila zgjat rreth dy javë) dhe rritjen e temperaturave, ato do duhet t’i nënshtrohen dekompozimit. Materiali organik do të ruhet në një rezervuar të mbyllur në mënyrë që të mos ndot mjedisin hënor.